m’i dërgoni flokët në aushvic ju lutem
flokët që në burg m‘i prenë
dërgomini në aushvic
të mrekullueshmit e përdheshëm pasurinë time krenarinë time
asgjë tjetër s’duhet të jenë veçse bëzhdile me shkëlqim mëndafshi
rreth karriges së berberit (ç’më duhet pamja
e kahershme si Novalisi si Holderlini)
dërgomini kaçurrelat në aushvic
gërshëra e mjeshtrit s’më dhembi
(pas gjysmë shekulli praktike ai e zotëron mjetin e punës)
më në fund m’u kthye rregulli sërish rreth rrashtës
veç mblidhmani arsyen bionde e niseni kah aushvici
thurini krelat e mia
me male flokësh të grave që shtrihen aty
mos harroni të përzieni flokun tim
asaj arome të dendur dehëse le të rritet brenda saj
le të rritet dashuria ime
që këtu s’u rrit dot
këtë dashuri lëreni të ndizet lëreni të valëvitet
gëlltitur nga flokët e çmuar të kësaj bote.
racizëm i zakonshëm
një grua e bukur për mua
dhe për ty një grua e bukur
sepse të gjithë jemi të bukur të bukur
burra patriarkë të rinj të vetëdijshëm për kaloritë
rritur nga qumështi, gjaku dhe sporti biond
të bukur si adonisë të shkathët si qentë e vrapimit
mbështetur nga femra të bukura
e dërgojmë arsyen tonë në treg
e drejta jonë është arti i normës
për ca gjinj, kofshë, vulva vagine
arti ynë është mjekësia
zgjedhja jonë e eliksirit rinor
mes shtratit dhe portës së zjarrit
për mbretërinë e përllogaritur të familjes së shenjtë
Përmbys
Gjumë të thellë bëra në dritë
shumë kohë i shtrirë në shkëlqim
krejt i përhumbur paqësisht në mendime
gurë dhe britma m’u rritën brenda shpirtit.
Nga hapësirat mbrëmësore mbi fantazitë e mia
nga pemët e zhveshura mbi fiksimet e mia
hijet u tërhoqën
u fundosën tej
bashkë me zjarrin u shfaq edhe nata.
Thellë asaj ëndrre njoha fytyrën tënde
të kthjellët si dita – e cila më end nga gjumi në gjumë.
Prill pa datë
Jashtë shkëlqen shiu
në një iris klorofili: bota
një sy gjigant ciklopi
bie shi i lehtë e i njëtrajtshëm
dhe dëshira fshihet nga drita
që s’reflekton më asgjë.
Jashtë shiu lan
muret pa shkëlqim të kohës
që ende qëndrojnë si për t’u betuar
se unë do të bëhem i dukshëm.
Sa shumë diell duhet të më bjerë përsipër
të ma ndriçojë jetën
e shformuar nga vdekja.
Jashtë bie shi jashtë bie dritë.
Malli për një organo
Sa i rrallë malli për një tingull
për atë mbrëmje të shumëpritur
kur rikthehen fjalët –
verë verë thërras unë verë
ti që ngrohtësinë e qershive të egra
shtrin në bar aromën e një shiu të mëvonshëm
fsheh në rërë trëndafilash
territ të papërshkrueshëm të ajrit
një shkëmb që flladit
muzikë për qershorin
një shkëmb për këtë mbrëmje të dehur nga heshtja
për verën për etjen e frutave
për këtë jetë një shkëmb
një këngë të fortë adhurimi-
hej mendo atë që s’e shpreh dot
mendo mallin tim për një muzikë të rrallë
për një himn
që s’mundem më ta këndoj-
Përktheu nga gjermanishtja: Ana Kove
Ky cikël u shkëput nga vëllimi poetik “Gjethet dhe hijet”, Wolfgag Hilbig, botuar nga “Poeteka Albania”, 2022.
Dy fjalë për autorin
Wolfgang Hilbig Wolfgag Hilbig, poet dhe shkrimtar gjerman, lindi më 31 gusht 1941 në Meuselwitz, (Tyringen). Ishte anëtar i Akademisë Gjermane për Gjuhë dhe Poezi/“Deutsche Akademie für Sprache und Dichtung”, i Akademisë së Lirë të Artit të Lajpcigut/”Freie Akademie der Künste zu Leipzig”, i Akademisë Saksone të Artit/ “Sächsische Akademie der Künste” dhe i Akademisë Bavareze të Arteve të Bukura/ “Bayerische Akademie der Schönen Künste”. Wolfgang Hilbin është nderuar me dhjetëra çmime të rëndësishme letrare për veprat e tij, të cilat janë botuar që nga fillimi e deri në fund nga S. Fischer Verlag.
I ati u raportua i zhdukur në Stalingrad në vitin 1942. Familja e mbetur pas përbëhej nga dy gjyshërit dhe e ëma. I gjyshi kishte emigruar nga Polonia në Tyringen para Luftës së Parë Botërore. Pas të vetmes shkollë të tij, tetëvjeçares, në qytetin e lindjes, Hilbig mësoi zanatin e tornitorit. Me përfundimin e shërbimit ushtarak bëri punë të vështira si përpunues dhe montues në minierat e qymyrit. Në vitin 1967 ndërmarrja e propozoi si pjesëmarrës në një rreth shkrimtarësh nga klasa punëtore në Lajpcig, por autodidakti i talentuar u përjashtua nga ky rreth një vit më vonë, sepse poezitë e tij u konsideruan krejt të pakuptueshme. Fundi i dhunshëm i “Pranverës së Pragës” e çoi poetin Hilbig në një krizë të dukshme psikologjike. Falë ftesës së mikut të tij Siegmar Faust shkoi në Dresden, kohë e cila u duk se shënoi rrugëdaljen e tij nga kriza dhe u kthye sërish në vitin 1970 në shtëpinë e nënës dhe gjyshërve. Në qytetin e lindjes punoi si kaldajist në një fabrikë shtetërore. Në vitin 1978 u arrestua dhe u lirua në pak kohë pa u akuzuar. Pastaj u transferua në Berlinin Lindor, ku përsëri gjeti punë si kaldajist. Në 1979-n, Wolfgag Hilbig vendosi të jetojë si shkrimtar i pavarur, midis Berlinit Lindor dhe Lajpcigut. Në vitin 1985 braktisi përfundimisht Gjermaninë Lindore me një vizë udhëtimi për në Gjermaninë Perëndimore. Hilbig jetoi në Berlin që në fillim të viteve 1990. Pas punës së rëndë në rini dhe abuzimit të skajshëm me alkoolin dhe duhanin, humbi jetën nga një sëmundje e pashërueshme më 2 qershor 2007.
Tema e veprave të tij, edhe pas rënies së Murit të Berlinit, mbeti ekzistenca e tij e dyfishtë si punëtor dhe shkrimtar në RDGJ, si edhe kërkimi i individualitetit. Përveç romaneve dhe tregimeve, autorin e shoqëruan deri në fund poezitë e bukurisë së errët dhe ëndërrimtare; ato ishin fillimi dhe fundi i shkrimeve të tij.
Me vdekjen e tij të hershme, letërsia në gjuhën gjermane humbi një zë unik poetik.