Press "Enter" to skip to content

Shtëpia ‘Markarian’

(Shënime mbi librin “Shtëpia te Selvia”, shkruar nga Anisa Markarian, botues “Çabej”, Tiranë 2022)

Janë shënime mbi një libër që fillon me një lindje fëmije dhe mbaron me një vdekje prindi. Kështu duhet të ndodhë, prindi bën fëmijën e fëmija bën prindin, e megjithatë këtu e shkruara e një natyre transautobiografike, jo rrëfim mirëfilli letrar, që ndjek e plazmon një histori të vetme, na përcjell një normalitet që trondit, ku estetizimi i së përditshmes krijon çuditërisht tension: recetat, gatimet, ritualet fetare sjellin suspansë. E kush do ta besonte! Por lexoni librin, nuk lëshohet nga dora deri në faqen e fundit.
Ngjarjet zhvillohen në Tiranë, nga viti 1962 deri në vitin 1980, nën hijen dhe gjelbërimin e një peme, emri i së cilës u bë i përveçëm: Selvia. Përcaktim hapësinor, një vend i shënuar mirë në hartën e vetëdijes së Tiranës, pikë referimi për të gjithë: kryeqytetas e provincialë, të cilët mësyjnë aty mbase vetëm për një ditë, por gjithmonë edhe me shpresën që të nguliten. Tirana në vitet ’30, Tirana në diktaturë, njëjtë edhe Tirana e sotme është vendi ku duan të jetojnë të gjithë shqiptarët, madje edhe ata tiranas që e braktisin e marrin rrugën e mërgimit.
Unë, autori i këtyre radhëve, kam një histori personale që lidhet me Shtëpinë te Selvia: i ftuar nga miku im Markare Markarian kam banuar aty në vitin e trazuar 1991, duke përjetuar me pjesëtarët e kësaj familjeje të nderuar ndryshimet politike në Shqipëri.
Në libër përshkruhen tetëmbëdhjetë vjet, aq sa vetë koha që i duhet njeriut të edukohet e të bëhet gati të dalë në jetë. Zakonisht, historitë me shtëpi tentojnë të kenë strukturë centrifugale, dilet nga shtëpia, kështu fillon çdo ngjarje. Heroi jashtë gjen aventurën, mentorin që e këshillon, ndeshet me të keqen, triumfon dhe kthehet i ndryshuar në vatrën e tij. Jo, këtu kemi të bëjmë me një version tjetër, askush nuk do të dalë nga shtëpia, pasi ajo është e vetëmjaftueshme, mbron, rrit, risjell kujtimet, bëhet një bërthamë rreth së cilës vërtitet bota. Pikërisht, pasi bota jashtë, Shqipëria e periudhës së diktaturës është armiqësore. Shtëpinë e mësyjnë, i marrin nga një copë, banorët e saj mblidhen në një skutë e aty vazhdojnë e ruajnë identitetin, kulturën, duke e lënë derën hapur.
Veçanërisht, si shkrues i këtyre radhëve më prek një detaj nga libri: një grua, e cila ka ardhur në Tiranë si delegate e Kongresit të Grave, caktohet të qëndrojë disa ditë në Shtëpinë Markarian e ndodh që asaj mikpritja, edukata, kultura i ngacmojnë botëkuptimin komunist; pasi largohet i kallëzon në organet e Pushtetit Popullor si ‘mikroborgjezë’, domethënë armiq të barazitizmit mjeran ku ishte zhytur Shqipëria.
Isha njëzetë e gjashtë vjeç kur bujta në atë shtëpi, me iluzionet e një Rastinjaku që vjen nga provinca në Parisin tonë, Tiranën. Më lëshuan dhomën më të mirë, me bibliotekë të pasur, makinë shkrimi, një pamje të gjallë nga dritarja e rrugës që të çonte te Pazari i Ri. Aty kam shkruar librin tim të parë… Kam njohur nga afër zonjën Evdhoqia Markarian, Anisën, duke ndenjur gjithë kohën me mikun tim Markare; të dy vinim nga mësimdhënia në Fan të Mirditës, ku na kishin emëruar. Mungonte Agop Markarian, i zoti i shtëpisë, përfaqësues i njërës prej familjeve më të nderuara armene, që banonin Tiranën, ndarë nga jeta më 15 gusht 1980, të cilin do ta gjeni si protagonist në radhët e këtij libri, nga faqja e parë deri tek e fundit.
Anisa Markarian është një figurë e njohur e kinemasë shqiptare, aktore e skenariste, por pak thuhet që ajo është edhe një prozatore e njohur, tek e cila stili, përkushtimi ndaj përdorimit të gjuhës merr përmasa gati maniakale. Pasurinë e saj leksikore, përdorimin e zhdërvjellët të frazës, gjuhën figurative do ta vini re edhe më shumë në këtë libër. Njësoj si familja Markarian hapte derën për miqtë, Anisa, trashëgimtare e saj, tani në letërsi, di të mbajë derën e tekstit hapur, të shkruajë e të thurë një rrjetë rrëfimi ku lexuesi mund të përfshihet përmes ballafaqimit të përvojës së tij.
Përdorimi i vetës së parë në rrëfim thekson rëndom subjektivitetin, por këtu më shumë forcon e mpreh vrojtimin, gati neutral, i cili bëhet edhe këndshikimi i lexuesit mbi ngjarjet.
Gjithashtu, këtu vjen e freskët një e shkruar femërore, jo feministe, për të krijuar shkollë apo për t’iu kundërvënë së shkruarës patriarkaliste, që dominon njerëzimin për pesë mijë vjet, me të mirat e me të këqijat e veta. Është një e shkruar që habit me faktin se si pasivja dominon e zbeh aktiven, pritja veprimin, inteligjenca emotive atë racionale, dashuria forcën. Një e shkruar femërore që përcjell mirësi.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!