Press "Enter" to skip to content

Peshku i dëborës

Kur gjeta rrëzë pemës luspën, më të madhe se pëllëmba e dorës, dukej sikur një divpeshk ishte kruar kalimthi për pleshta. U rrëqetha nga frika se mund të ishte ndonjë ujk me luspa. Për herë të parë u ndjeva aq keq sa volla gjak në dëborë e pothuajse pësova krizë nervore, gjendje së cilës vetëm tani vonë i kam gjetur emër. U nisa, por këmbët nuk po më merrnin drejt shpellës së mjeshtrit, as drejt shtëpisë sime, nga ku u largova shumë kohë më parë, duke u thënë prindërve me mburrje se do të vrisja ujkun e madh të pyllit e do të bëhesha nderi i familjes. Në qoftë se nuk kthehesha, kurrë të mos më qanin, për asnjë çast. Në të vërtetë u zhduka nga fshati, sepse më ishte mërzitur jeta me bagëtitë: ditë e natë me to, aq sa më dukej se po shndërrohesha edhe vetë në kryecjap kopeje të lumtur. Mblodha veten dhe vrapova drejt shpellës, duke klithur për zbulimin tim: “Mjeshtër, Mjeshtër, ku je?!”.
Mjeshtri u shfaq qetësisht prapa një trungu dhe ma rrëmbeu gjithë inat luspën nga dora.
– Ç’mut ke? – dhe i mbajti erë dyshues.
– Ekziston! – murmurita, sikur po shqiptoja fjalët e fundit të botës.
– Budalla, nuk është luspë, debil! Është monedhë floriri, po me kë flas edhe unë! Ti nuk ke parë ndonjëherë asnjërën dhe, mesa duket, kurrë nuk do të shohësh!
Kur ika nga fshati, kisha dëgjuar nga bashkëfshatarët për një të çmendur majë malit, që vetëquhej Mjeshtër. Gjithë frikë nga ujku, e bëra rrugën për te shpella e tij duke vrapuar, thua se ujku nuk më kapte dot. E gjeta symbyllur në hyrje të vrimës së hirtë e iu luta nxitimthi, frymëmarrë, se çfarë donte prej meje që të më pranonte të rrija në mal me të, pasi më ishte mërzitur jeta me tufat e bagëtive dhe fshatarët e pagdhendur. Ai m’u përgjigj përçmueshëm, pa mbaruar fjalën:
– Përgjigju pyetjes sime: a ekziston peshku i dëborës? – dhe hapi sytë e mëdhenj e të egër, duke pritur reagimin tim.
Unë u gajasa së qeshuri, por, sapo mbarova, nuk arrita të gëlltitja as jargët, se mjeshtri më goditi aq fort në ballë, sa njëri sy më ndenji shtrembër ca kohë. Pa mbledhur mirë veten, më bëri të vdekur: më rrahu barbarisht, deri sa u err dhe mua më ra të fikët. Kur u zgjova në mëngjes, nuk kisha as plagë, as shenja nga druri i furishëm i mjeshtrit. E para gjë që më tha, ishte se ditën isha i lirë të bridhja ngado e të vrisja mendjen. Kur të binte nata, do të më drejtonte vetëm pyetjen: “A ekziston peshku i dëborës?”. Ndryshe do më rrihte çdo natë derisa të humbja ndjenjat, gjë që ndodhi vërtet në mënyrën më të rregullt të mundshme.
Në mëngjes zgjohesha, çuditërisht, i freskët, i pagjakosur e dhëmbëpathyer, thua se natën ndodhnin mrekullira, dhe kontrolloja çdo pemë e ferrë në mal. Asnjëherë nuk mendova të kthehesha në shtëpi; për prindërit isha heroi fshatmburrës, ushqim i ujkut dhe nuk doja t’i shihja më me sy tufat e bagëtive e fshatarët e pagdhendur.
Gjithë ditën kërkoja një peshk dëbore, të cilin Mjeshtri ma kishte përshkruar me imtësi të tillë, thua se e kishte tërë ditën para syve, duke mos guxuar të gënjeja se ekzistonte pa gjetur prova. Në mal nuk kishte as burime uji, as përrenj, as pellgje uji, jo më gjallesa ujore. Mbrëmjeve, kur i rrotulloja bisedën Mjeshtrit për mundësitë e ekzistencës së peshkut të dëborës dhe mënyrës së tij të jetesës, ai buzëqeshte duke përgatitur shkopinjtë e rrahjes, të cilët doherë rinovoheshin, pasi jepnin shpirt në kurrizin tim. Shumë dimra e borë lashë mbrapa dhe nuk gjeta dot shenja të peshkut të dëborës apo të shikoja ndonjë gjallesë që t’i ngjate përshkrimit, derisa një ditë vendosa të ikja edhe nga Mjeshtri, të cilit ia thashë në sy se nuk ishte më i mirë se delet e fshatarët dhe se do ta gjeja si vdekja peshkun e dëborës.
– Ti nuk do ta marrësh vesh kurrë nëse do ta gjej apo jo! – i thashë, duke i dhënë lamtumirën me gishtin e mesit, – por unë do t’i bëj vetëm një pyetje: a ekzistojnë Mjeshtri, fshatarët kokëgdhenj, bagëtitë, ujku e unë bashkë me ta?
Ishte hera e parë dhe e fundit që e pashë Mjeshtrin duke u zgërdhirë e qeshur gjuhëjashtë me të madhe, aq sa oshtiu mali, dhe më përshëndeti me dorë si një mik të vjetër, të cilin e sheh për herë të fundit.
Unë ndalova së rrahuri veten mbrëmjeve vetëm kur mbërrita në det e pashë peshqit.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!