Press "Enter" to skip to content

Valixhen e ke në korridor!

– As mos më shih hiç!
– Dua të vazhdoj edhe pak.
– Shko bashkoju valixhes në korridor dhe ik nga këtu!
Isha ndarë prej më shumë se tre muajsh. Ajo më ngjitej si pluhuri në tapet. Mund të sillja në shtëpi gra, burra, të bëhesha përsëri homoseksual para syve të saj, por, prapë se prapë, rrinte aty e më përplaste në fytyrë qeshjen e saj prej një zonje të rëndë. E kishte humbur, në të njëjtën kohë, vlerësimin për veten dhe dashurinë time. Ia kishte arritur të ma thyente indiferencën. Tashmë e përbuzja. Prania e saj më ishte shndërruar në një hukamë të keqe e, me sa dija unë, nuk ekzistonte akoma një deodorant që ta largonte këtë lloj duhme.
Hapja shpesh dritaren e prisja më kot që të hidhej. Le të fëlliqte tarracën e picerisë së katit përdhes në vend të apartamentin tim, që nuk i kishte bërë asgjë.
– Folmë, të lutem!
Nuk pipëtija. Ajo as nuk qante më. Sytë dukej sikur i ishin lidhur me gojën përmes një kanali sekret, që ia përpinte lotët e vakët. Doja ta qorroja, të sigurohesha që s’do t’më shihte më kurrë. Fill pas kësaj t’ia qepja kapakët e syve e kështu të shmangja rrezikun për t’ia parë. T’ia qepja edhe gojën, ta qepja nga të gjitha anët e të bëja me të një bohçe e ta sistemoja në qosh të një valixheje, si rrobat e vjetra.
– Dua të ta mbaj dorën.
Ajo më dha të sajën, të hapur si një guaskë. Një dorë e bukur, që më dukej e lehtë, si të qe e pikturuar në akuarel. Nuk munda t’i rezistoj dorës së saj. Buzët i kishte të freskëta, gati të ftohta, sikur sapo të ishte kthyer në shtëpinë malore pas një dite skish. Shtrati ishte larg, mobiliet e dhomës të prodhuara jashtë vendit, ndërsa divani i ngushtë, me krahët prej dërrase, veshur me pambuk dhe pëlhurë të bardhë. Ajo u shtri në tapet.
Bëmë dashuri përtokë. Pastaj e dëgjova në kuzhinë. Po ziente ujin në makinën përvëluese. U ngrita i tërbuar, me dhimbje në shpinë. Ajo më vodhi një përqafim, spermën, ndoshta edhe fjalë dashurie, prej të cilave nuk kujtoja asnjë. As nuk mund të bëja padi në komisariat. Megjithëse isha viktimë e një grabitjeje, asnjë lloj siguracioni s’do të mund të më zhdëmtonte.
– Më pëlqen të pi një çaj.
– Valixhen e ke në korridor.
Nuk e dija atëherë që dhjetë vjet më vonë do më nxirrte jashtë. Që do bënte tri vajza me spermën time. Që do rrija i ngurtësuar në trotuar duke menduar për të, me valixhe në dorë, e cila qe shndërruar, pas gjithë kësaj kohe, në pronë të përbashkët të vatrës sonë familjare.

Përktheu nga frëngjishtja: Fatmira Ahmetaj

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!