Press "Enter" to skip to content

Poezi

I.
Si mund të hyj në errësirën tënde,
pa kyç,
jo nga dërrasa e thyer në derë,
dritarja e hapur nga zheg i zhuritur,
me flladin e ngrohtë, por jo si fantazmë,
si shpirt i errët që endet të të gjejë!

Kush tjetër veç meje ….

II.
Nata e këputur mbërriti në sy,
errësira i mbuloi butë me një ninullë,
u zhdukën dhe yjet një nga një,
veç buzëqeshja jote mbeti si perde pëlhure
si pendë e lehtë varur mbi një rreze dielli!

III.
Hesht në valën e ngacmuar nga kujtimet:
një buzëqeshje si puthje, në muzgun tënd,
si i imi padyshim, e lirë në zgjedhjen që bën,
e dëlirë për ç’në shpirt prek pa e ditur,
qetësinë të prishësh,
të grisësh gjithçka!

IV.
Në valë të lagesh, të dridhesh në akull,
mungesën, zbrazësinë time të ndjesh,
në çdo dëshirë ende të palindur,
të jesh e paqenë në një buzëqeshje
të lumtur, e hidhëruar në terrin e lagur
e panginjur!

V.
Mos më zgjo pa më vënë ende në gjumë,
arsye të ftohta mos vër mbi vete të mbulojnë,
se nuk vij duke mbartur dhurata, as
fli për perëndinë Diell,
vij pa e ditur pse, as të pres diç të më jepet,
pres të pres veten a një gjymtyrë të lë,
si në një lufte për vdekje kur mund të humbet
ajo ç’më e shtrenjtë
rreket të jetojë rishtazi me ty!
Pres të hap një dërrasë kraharori,
të shohësh përtej errësirës dhe dritës sime të fanitur!

Mos më zgjo ta vrasësh, kur mund t’i japësh frymë!

VI.
Çfarë mund të zbulosh në një heshtje,
nga një humbëtirë pa dritë,
që pranë mbërrin për nga largësia,
nga një buzëqeshje që prej të pamundurës u mek,
nga dy sy të çiltër që shohin përtej,
nga një dëshirë, që kurrë veten pas perdes s’e tregoi,
sigurisht asgjë tokësore, as një lëndë planetesh,
diç të tejdukshme si ajër i kthjellët,
një shpirt të pacenuar,
një pastërti hyjsh, një thelb të vërtetë qenie,
që zbriti tjetër të mos jetë!

VII.
Thuamë, ku jam?
Në atë botëzë kaq të vocërr
sa mbi shpinë nuk e mbaj dot
si Atlasi,
zemra e shtypur nga një makth i pashpjegueshëm,
s’mbushet dot me frymë,
shpirti i tymtë vrapon të fshihet,
ndërsa sytë verbërisht kërkojnë në errësirë
të prekin kurmin tënd,
buzët, supet dhe çfarë ti e ngrin
të mos përvëlojë….
një ndjenjë,
një pikë,
një grimë!

(Ky cikël u shkëput nga Revista Letrare – Dimër, 2021)

error: Content is protected !!