Press "Enter" to skip to content

Zarfi misterioz

‘Prraaf’. Natali hyri në jetën time siç hyn një gur, që thyen qelqet e dhomës. Sonia dhe unë po jetonim të lumtur. Nënën sapo e kishim hequr qafe. E vendosëm në azil. Sonia u kujdes për gjithçka. Bëri letrat, gjeti vendin, madje edhe ditën kur e hoqëm nga shtëpia u kujdes për të; i dha me vete edhe një kuti të vjetër duhani të të shoqit, tim eti të vdekur prej kohësh. Brenda saj s’kishte më duhan, por disa fotografi të hershme. Shtëpia jonë shkëlqen. Nëna, si send i vjetër, nuk shkonte me mobiliet e reja. E shoh ndonjëherë; është mirë atje, me shokë e me shoqe.
Po lexoja romanin “Melusina”, të Balil Gjinit, kur ra zilja e derës.
– Natali! – tha gruaja e re dhe më zgjati dorën. – Infermierja e nënës suaj!
Mendova se kish vdekur nëna. Jo. Akoma. Natali më shpjegoi shpejt e shpejt se nëna ishte mirë. Shëndetin e kish të qëndrueshëm e ndihej për bukuri në dhomën e saj të dekoruar me aq përkushtim nga Sonia. Po, Sonia pat bërë vërtet mrekulli. Qe kujdesur shumë që nëna të ndihej mirë atje. M’u duk e padrejtë ta mbaja aty në këmbë atë grua, që po më sillte lajme të mira nga planeti i nënës, ndaj e ftova brenda. Bëra një gjest gjysmak, si punë keqardhjeje që s’e kisha gruan në shtëpi, por Natali s’qe nga ato sqimataret, që pyesnin për detaje. Hyri brenda e, kur i shërbeva një çaj të ftohtë – “Ice tee”, i thotë Sonia – Natali, me gjunjë të bashkuar, tërhoqi cepin e fustanit, si për t’i mbuluar pak.
– Me zonjën nënë, flasim gjithë kohës për seks!
Aty e përjetova të fortë atë ndjesinë e gurit që thyen xhamin, “prraaf”, e bie mbi këmbështroje. Nëna, e mbetur e ve në moshën të re, i qe përkushtuar rritjes e shkollimit tim. E ia kishte arritur si zonjë e madhe. Studiova shumë, në gjithfarë fushash, koleksionues diplomash me emër; sa herë paraqitem për ndonjë vend të ri pune, e fitoj me lehtësi. Sonian, po ashtu, e kisha “fituar” me lehtësi. E gjeta përmbys duke vjellë në banjën e një bari nate. U kujdesa për të e ajo ma shpërbleu menjëherë me gjithë të mirat që ka një grua e re. Po të mos qe Sonia, jeta ime seksuale do t’i ngjante një muri të rrëzuar nën dritën e hënës. Diçka e trishtë. Ajo e ka drejtuar anijen e lumturisë sime në këtë liman të qetë. Po s’të lë zoti shëndoshë për shumë kohë! Kjo Natalia, që flitka për seks me nënën time, i dallgëzoi befas ujërat.
– Domethënë… për seks, – po më merrej goja, – ju jeni infermiere… e dëgjoni.
– Kohën e lirë e kaloj me zonjën D. Shëtisim në parqet rreth e rrotull, ndalemi për kafe; ajo më flet shumë për ju, për sakrificat që ka bërë për t’ju rritur, arsimuar. Sa krenare është për këtë. Unë kam goxha vite pune aty e kurrë s’kam parë një zonjë të tillë.
Nëna ime ka qenë mësuese. Pak vite pas vdekjes së tim eti e mora me vete. Në atë kohë kisha një bursë për studime doktorature në Universitetin e Gjenevës. Prej atëherë kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet. E gjeja çdo mbrëmje në shtëpi, duke më pritur. Kurrë s’kisha folur me të për seks. Nuk e di a flisni ju me nënat tuaja për këtë gjë, por, zot na ruaj, as që më kishte shkuar ndërmend një subjekt i tillë. Pak tërthorazi më fliste: “Është mirë të gjesh një grua apo shoqe”, “Kur vjen një moshë, martesa bëhet shumë e vështirë” e këso nënkuptimesh, që mëtonin të më nxisnin të gjeja dikë. Pata fat atë natë që gjeta Sonian duke vjellë. E solla në mesnatë në shtëpi. Nëna më pyeti se ku e kisha gjetur. I sinqertë siç jam, “në nevojtore” iu përgjigja. Ajo mbylli hundët me gishta; prej fjalës a prej erës së të vjellave, nuk e di. Të nesërmen e asaj nate, Sonia u bë e pastër, bëri dush. Nëna mbylli gojën. Unë, merret me mend; e dua Sonian si sytë.
Mora një gotë verë. Sonia qe në punë. Ulur përballë Natalisë, po e pyesja për detaje të vogla të jetës në atë shtëpi të moshuarish. Kisha parë filma e lexuar romane për histori dashurie mes të moshuarve. E dija që ndjesia nuk mplaket, se një shikim i ëmbël bën të dridhen edhe lëkura të rrudhura, jo veç këto si tonat, si ajo e Natalisë, për shembull. Gjuri i qe zbuluar tashmë e s’kujdesej më ta tërhiqte fustanin. Natali më tregoi se njëherë kishte gjetur në sirtarin te kryet e shtratit të një burri, një ‘akullore’. E kishte fshehur që t’ia jepte pasdite Johanës, të dashurës.
– Asaj i pëlqejnë akulloret! – qe justifikuar burri, si i zënë në faj.
S’po më zinte vendi. Natali s’kishte ardhur aty të më thoshte veç ato fjalë, por të më jepte një lajm: “Nëna jote ka rënë në dashuri!”, “Ajo do të martohet së shpejti! Ja ftesa për dasmë”. “Nëna ka ndërruar dhomë ose ka ftuar dikë tjetër në dhomën e saj”. Me sa përkushtim qe kujdesur Sonia që dhoma e saj e parafundit të ishte e bukur, e këndshme. Natali, s’dukej fort e nxituar të mbërrinte në këtë pikë të bisedës. Kur befas u ngrit.
– Më duhet të shkoj! Jam e gëzuar që ju njoha!
Mbeta gojëlidhur. E përcolla te dera! Kur befas u kthye e më dha një zarf të vogël, të pikturuar me zemra, lule, diej e yje. Vuri gishtat mbi buzë, fryu një puthje drejt meje, mori ashensorin e unë, si qyq, në derë. U ktheva dikur. Mbarova gotën e verës, vendosa zarfin në faqen ku kisha ndërprerë leximin e romanit “Melusina” dhe e harrova fare. Kohë më vonë, kur hapa librin dhe zarfin me lule e zemra, brenda tij, në foto, një penis “sex toy”, bukur serioz e pas saj shkrimi i nënës: “Ma blej një. S’mund të përdor gjithmonë këtë të Natalisë”.
Pa e mbyllur akoma librin, më zuri syri këtë frazë: “Vafsh në piçkë të sat ëme!”. Për mua ta ketë shkruar Balili?

Tregimin e gjeni në Revista Letrare – Verë 2021

Të tjera nga ky autor:

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.