Press "Enter" to skip to content

Slowly gym

366Shares

“Seksualiteti, pavarësisht moshës, është prekja, kënaqësia, kontakti me trupin e tjetrit”.

Franco Nouvo

∗∗∗

Moti shkëlqeu gjatë gjithë javës. Një pranverë e vogël atë fillim shkurti. Diell e ngrohtësi marramendëse. Jozefi dhe Olga po shëtisnin si zakonisht para drekës. Me shkopinjtë e ecjes nordike dhe këpucët paksa të rënda të dëborës, me thumba, për të shmangur rrëshqitjet, ecnin rrugës së gjatë. Herë-herë përshëndetnin me kokë apo me gjuhën e tyre Bonjour² marshuesit jo të paktë me të cilët këmbeheshin. Nga të tjerët, përshëndetjet vinin në shumë gjuhë. Ata kuptonin pak a shumë përshëndetjet e vendasve me gjermanishten e tyre tepër të veçantë, atë të Haute-Valais, që në fakt ishte ndryshe edhe nga ai i gjermanishtes së Zvicrës; një dialekt më vete. U këmbyen me një grua në moshë, që shëtiste me hapa të ngadaltë dhe këndonte një arie operete. I buzëqeshën, duke e shoqëruar me Bonjour-in e tyre. Tjetra ua ktheu po me buzëqeshje e me Bonjour (paskësh qenë e tyrja), pasi pushoi pak arien për ta rimarrë përsëri katër-pesë hapa pas tyre. Të dyve u ndritën sytë nga një ngazëllim i veçantë, shkaktuar nga pozitiviteti i ‘sopranos’.

∗∗∗
Ngadalësia e Andresë për t’i hapur portën e apartamentit kur Jozefi trokiti atë mëngjes shiu të para dyjavësh, i kaploi mendimet. Jozefi e ndihmonte herë-herë me ndonjë shërbim. Në mbrëmje i kishin rënë në sy fenerët e ndezur të veturës së Andresë, plakut 99-vjeçar, që banonte një pallat më tej. I vetëm që prej pesë vjetësh, kur e shoqja kishte ndërruar jetë. Gjithë natën e kaloi i merakosur, ndaj nuk priti as të mbaronte mëngjesin e zakonshëm me Olgën, copën e bukës së thekur me gjalpë e reçelin e luleshtrydheve, që gruaja e përgatiste vetë në shtëpi. Ajo ngriti cepin e vetullës së majtë, karakteristike e saj, për ta pyetur pa fjalë për nxitimin e tij.
– Erdha, – i tha ai shpejt e shpejt, duke veshur xhupin.
Andre, tek e pa në prag të derës, e kuptoi menjëherë qëllimin e ardhjes së tjetrit.
– Ah, e di, i kam lënë ndezur. Sa do dilja tani, nuk është e nevojshme t’i jap çelësat e veturës sot.
Andre nuk arriti as ta mbaronte fjalinë, kur sytë e Jozefit dolën vendit nga ajo çka panë pas kurrizit të plakut. Trupi lakuriq i një femre vrapoi për nga banja me rrobat shuk shtrënguar në gjoks.
– E pe? Epo, ja që edhe në moshën time ca lloj gjimnastikash seç bëjnë mirë.
“Bëjnë mirë, bëjnë mirë”, i buçitën në vesh për gjatë gjithë javës fjalët e Andresë. Nuk duroi dot më. Pas kafesë së mbasdites së ditës së tetë, e ndau sekretin me shokun e tavolinës së kafenesë së përhershme në buzë të Sarinës, lumit që përshkon qytetin e Friburgut.
– Oh sa e bukur, – ia ktheu ai, kur Jozefi i përsëriti fjalët e Andresë për gjimnastikën që bënte mirë. -Fantastike! E ç’të keqe ka? Në këtë prag-shekulli të Andresë? Bravo atij!

∗∗∗

Jozefi avanconte ngadalë hapat dhe krahët; lëvizje katër-gjymtyrëshe kjo ecje nordike, por tepër e këshilluar nga ana shëndetësore, se të vinte në punë gjithë muskujt e trupit. Vajza e tyre këmbëngulte që ata ta kryenin me përpikëri. E dëgjonin. Të dy ishin mirë me shëndet, të fortë dhe pa sëmundje të rënda. Ndonjë gjë të vogël si shumë të tjerë, por pa zarar. Zarari i vetëm kish ndodhur kur Jozefi, rreth të shtatëdhjetave, u operua nga prostata.
Me Olgën ishte martuar shumë shpejt. Dhjetë vjet pa fëmijë. Lumturia qe e jashtëzakonshme kur djali u erdhi në derë atëherë kur nuk e prisnin më. Pas tre vjetësh u kishte trokitur edhe vajza, për ta përmbyllur këtë dekor idilik të familjes së tyre të thjeshtë. Olga nuk punoi më. Iu kushtua dy fëmijëve. Rroga modeste e Jozefit si teknik elektrik u mjaftonte të katërve dhe nuk i pengoi të rinjtë (të ndihmuar paksa dhe nga shteti) të diplomoheshin: djali si mjek dhe vajza profesore gjuhe.
– Si të doni, – u kishte thënë djali i personelit të pritjes, – por dijeni se është një ambient natyralistësh.
Këtë paketë javore pushimesh, ku hynte edhe kjo lloj formule në program, ua kishin bërë dhuratë fëmijët për 80-vjetorin e Jozefit. Në stacionin malor “Loekerbad” kishin shkuar disa herë gjatë dimrave. Herë me djalin e herë me vajzën dhe fëmijët e tyre, që merrnin kurse skie. Pastaj edhe vetëm të dy, kur nipërit e mbesat u rritën dhe vajza e djali ishin përherë e më shumë të zënë me punë.
Ai i preku Olgës parakrahun e lakuriqtë. Të dy i kishin përveshur mëngët nga nxehtësia e diellit. Një dridhje e lehtë e përshkoi nga ajo prekje e kadifenjtë, rezultat i gomazhit të një dite më parë. Ajo i buzëqeshi, duke mos mundur ta fshihte dhe ajo dridhmën e saj të lehtë. U panë ndër sy, të shkrehur në një kënaqësi të pandjerë ndonjëherë. Vazhduan rrugën. Pothuajse pa folur. Duke bërë ndalesa të herëpashershme. Për të rigjetur frymën.
Një stol, i zakonshëm në rrugët shëtitore malore, iu shfaq para. U ulën ngadalë. I buzëqeshën sërish njëri-tjetrit. Jozefi iu ngjit Olgës, ia mori kokën me pëllëmbë e ia mbështeti mbi supin e tij. Gruaja nuk e fshehu habinë nga gjesti i beftë i të shoqit. Nuk e kishin zakon të bënin veprime të tilla në publik. Nuk ishte e moshës së tyre, ishte e brezit të fëmijëve të tyre. Por e mblodhi, u shkrifërua për t’u prehur e qetë mbi supin e burrit të vetëm të jetës së saj, të përkushtuar që prej pesëdhjetë e tetë vjetësh. E kishte njohur që gjashtëmbëdhjetë vjeç. U martuan kur ajo mbushi njëzetë dhe tani sapo kishte shkelur në të shtatëdhjetekatërtat. Nuk kishin guxuar të dilnin lakuriq në banjat termale, por, dreqi e mori, të mbështeteshin të lumtur te njëri-tjetri, larg qytetit dhe syve të fëmijëve, qenkësh një kënaqësi e mohuar së koti.
Me sytë gjysmë të mbyllur, duke lejuar edhe rrezet e diellit t’u depërtonin nëpër pore, u kotën një copë here në valët e një dalldie të re, të rigjetur mes atyre maleve, që fshihnin në gjirin e tyre një nga bukuritë më të mëdha bardhësore të përziera me ngrohtësi. Kudo ngrohtësi atë fillim shkurti. Që nga ujërat termale të shfrytëzuara nga sa e sa qendra e hotele termale të atij stacioni malor. Ftohtësinë e pistave të skive që priste si me thikë fytyrat e skiatorëve në minus tetëmbëdhjetë gradë, ata nuk e njihnin. Nuk bënin ski. Jo për shkak të moshës. Shumë moshatarë të tyre vazhdonin të bënin ski akoma. Olga nuk e kishte provuar kurrë. Jozefi po. Skitë ishin kthyer në sport kombëtar në Zvicër. Jozefi e kishte zbuluar skinë në moshë paksa të madhe, rreth të dyzetave. Të dielave dimërore ngjitej me nipin e tij në para-alpe, në afërsi të qytetit, ndërsa Olga e priste në shtëpi me supën e ngrohtë. Këto kishin mbetur në kujtimet e të dyve. Të kohës para se Jozefi të operohej nga prostata. Bashkë me pamundësinë mashkullore i kishte ardhur dhe mosdëshira për të bërë ski. Tashmë i kalonin të dy të dielat. Supën e darkës e kishte marrë përsipër Jozefi.
− Hajde lëvizim, – i tha së shoqes me pëshpërimë pranë veshit.
Ajo e kuptoi, megjithëse fjalët nuk i dëgjoi. Nuk e kishte edhe aq mirë dëgjimin. Lëvizën me një dëshirë të re. Diçka po i tërhiqte drejt dikuje…. Në atë orë të mesditës, pas shëtitjes, ata i drejtoheshin përherë restorantit buzë përroit për të drekuar, por këmbët i çuan në hotel. Hynë në dhomë. Olga hoqi xhupin dhe e vari në kremastar. Jozefi i kapi dorën dhe e tërhoqi drejt shtratit. Të dy të kuq-spec në fytyrë. Ai e shtriu ngadalë dhe filloi t’i përkëdhelte faqet, flokët, t’i rrëshqiste duart mbi parakrahët e saj të kadifenjta. Pastaj ia hoqi bluzën, edhe këmishën e brendshme e nisi ta prekte kudo me një dëshirë marramendëse. Edhe Olga filloi ta ledhatonte me po të njëjtën dëshirë. Shpejt u gjendën të dy lakuriq mbi shtratin e madh. Jozefit nisën t’i dridheshin duart. Nga droja, apo dëshira e tejkaluar? Prej më shumë se dhjetë vjetësh nuk ia prekte trupin së shoqes… pale seksin. As ajo të tijin. Pas operacionit, ai ndihej i zhburrëruar. Një ditë të bukur, ajo i kishte thënë: “Nuk është më për moshën tonë seksi. Mos të mendojmë më për të”. Dhe gjithçka kish marrë fund. Mbrëmjeve, para se të flinin, përqafoheshin për dy minuta e një puthje sqepi, si zogjtë, i linte vendin urimit “Natën e mirë, gjumë të ëmbël” dhe secili kthehej në krahun tjetër.
Olga filloi të dridhej nga përkëdheljet. Një kënaqësi e harruar i kishte mbuluar gjithë qenien. Donte dhe ajo t’ia kthente të shoqit. I përkëdheli gjoksin me fijet e pakta bardhoshe që kishin mbetur mbi të, i preku seksin. Ai përsëri i squllët. Nuk donte t’i mëshonte kësaj loje, të vinte në siklet burrin e vetëm të jetës së saj. E tërhoqi dorën ngadalë prej aty dhe filloi t’i përkëdhelte butas fundbarkun. Jozefi u mundua t’i vihej sipër. U fërkuan dhe u ngjeshën pas njëri-tjetrit. Ngadalë, fare ngadalë. Deri në atë shkrirje trupash e lëngjesh, që ua morën edhe frymën e fundit…
Ai ra i drobitur në krahë të së shoqes. U ngjitën përsëri bashkë dhe pritën një copë herë të madhe të rigjenin qetësinë pas takikardisë së provokuar. Gjimnastikë e bukur për moshën e tyre. “C’est ci bon”[3] i erdhi në kokë Louis Armstrong, me vargjet e këngës të tij të njohur.
Më pas, nën avujt e ujit të ngrohtë, me kokën e dushit që e kalonte ngadalë herë mbi trupin e së shoqes, herë mbi të tijin, Jozefi fërshëllente me zë të mekur, por gjithë ngazëllim, “C’est ci bon”…

¹ Gjimnastikë e ngadaltë (titulli)
²Mirëdita në frëngjisht
³ Sa mirë që është

366Shares