Press "Enter" to skip to content

E bardha

329Shares

Vrapon, si çastet që mbushin ditët; plot njëzet mijë. Në fytyrë ruan buzagazin e lehtë, që i rri bukur në buzët e tulta; ndër mollëza ca njollëza të lehta, porsi quka, ia fshehin gjurmët e moshës. Flokët ende nuk i janë prushëruar prej thinjave, kanë çelur tek-tuk vetëm disa. Flet ngadalë, e sigurt, pa iu dridhur qerpiku. I njeh mirë ngjyrat dhe dritëhijet. E pashë në ekspozitën e “Zanateve të harruara”. Në dorë mbante një gotë të hollë, mbushur me pak verë. Ishte vetëm në sallën ku shfaqej filmi i përgatitur enkas për punishten e tyre, që ndodhet diku aty ku nis e duket Tirana e Re. Herë pas here kthente nga një gllënjkë vere të bardhë dhe lëvizte lehtë kokën e kënaqur. Vazhdoi kështu gati për dhjetë minuta, aq sa koha që i ishte kushtuar punishtes.
Mori për nga sheshi; kaloi përmes turistëve, që në muajin prill derdhen mizëri në krejt vendin. U drejtua për nga parku i qytetit dhe pastaj hyri në rrugën e blinave. Çlodhej kaherë kur kalonte aty, edhe pse rridhte lumi bashkë me jashtëqitjet e qytetit. Gjelbërimi i fortë i blinave zbut idhnimin e saj dhe të vendasve. Fundja, pisllëku rrjedh, nuk rri në një vend!
Kishte ecur për tridhjetë minuta kur arriti në punishte. Dera ishte e hapur. U çudit pak; ishte herët që të vinte i biri dhe ta zëvendësonte. Hyri brenda dhe gjeti të shoqin pranë makinës qepëse “Singer”, prodhim i vitit një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë.
– Paske ardhur më në fund? Sa vite kishe pa e parë derën e punishtes?
Ai ngriti kokën dhe pa folur i shkeli syrin në shenjë pohimi. Kishte diçka ndryshe sot në sytë e tij të qielltë, me dritë e plot shkëlqim. Edhe duart i lëvizte më shpejt se çdo herë tjetër mbi pjesët mekanike të makinës.
– Po kjo qenka në rregull, i duhet vetëm pak vaj. Sa ke pa e përdorur?
Ajo, për t’ia marrë hakun, nuk i foli fare, por tundi kokën si me qesëndi. Gruaja u ngjit në katin e dytë të punishtes. U shtri në shtrat dhe mati me sy hapësirën e sipërme të dhomës. Vetëm aty s’kishte këpucë e sandale. Ai cak ishte vendi ku ajo për tridhjetë vjet kishte varur në fijen e padukshme të gjitha ndjesitë, vuajtjet e përjetimet njerëzore. E zuri gjumi duke menduar për shkëlqimin e syve të tij, nxitimin. Ishte ndryshe nga herët e tjera!
U zgjua nga zilja e celularit. E hapi të fliste, pa e parë numrin. Në anën tjetër të telefonit njohu zërin e gazetares së kulturës:
– Si ju duket titulli “E bardha”, për shkrimin që kam bërë për punishten tuaj?
– Më pëlqen, – iu përgjigj gruaja. – Titulli ngjason me emrin tim.
Pasi e mbylli telefonatën ktheu sytë nga hapësira e sipërme, sikur aty do të gjente përgjigje për dyshimin e saj. Me një lëvizje gjysmërrethore të dorës largoi atë mendim që i kishte vetëtirë ashtu papritur, si një rrufe e beftë.
Zbriti në katin e parë. Mbi tavolinën e punës gjeti një palë sandale të bardha me gurë zvarovski dhe një fletë të palosur. Mendoi se bashkëshorti do kishte shënuar numrin e telefonit të klientit dhe orën kur do të merrej porosia. E hapi letrën. Me shkronja të mëdha ishte shkruar:
“Goce, këto janë për ty. Është dhurata ime për përvjetorin tonë të njohjes. Shihemi tek kafja në orën shtatë”.
U ngjit përsëri në katin e sipërm. Aty, në hapësirën bosh, për herë të parë pa të radhitura bukur e me kujdes sandale të bardha. Atë mot, kur u njoh me Verin, vajzat e bukura të Tiranës mbathnin vetëm sandale të bardha. Pas një ore, gruaja lëshoi flokët, vuri një të kuq të fortë në buzët e tulta, veshi sandalet dhe u nis drejt kafes ku e priste ai. Kur e takoi, shqoi përsëri atë shkëlqim të fortë në sytë e tij të qielltë.

Të tjera nga ky autor:

329Shares