Ka një dukuri interesante në letërsinë tonë të këtyre viteve të fundit: autorë të rinj me prirje për kërkime të reja në prozë e poezi. Por midis këtyre llojeve letrare, proza ka një specifikë: kërkimet, sidomos në strukturën artistike të saj, krijojnë ngacmime më të veçanta dhe më të fuqishme tek lexuesi, turbullojnë apo entuziazmojnë shijen estetike të tij. Duke qenë më kanonike në llojin e saj, proza i reflekton në mënyrë më të bujshme “shkeljet”, shmangiet nga norma, nga skemat e konsoliduara përmes një tradite të tërë. Për këtë arsye ajo e vë lexuesin e kategorive të ndryshme në dilemë për të pranuar ose jo atë vepër, ku shfaqen koncepte të pazakonta artistike. Raportet e reja që krijohen mes autorit-veprës-lexuesit nuk ka sesi të mos ngjallin edhe gjykime më specifike. Sido që të jenë këto krijime, apo gjykimi mbi to, gjithçka është shenjë e sigurt se letërsia jonë po provon të gjallojë në forma më të larmishme, të dëshmojë se mundësitë e saj janë shumë më të gjera se çka kish dëftyer deri tani. Vepra e Arbër Ahmetaj është një përpjekje interesante që ia vlen ta njohësh më thellë.
Modelimi i veçantë i një realiteti të papërfunduar
Ka gjithnjë një marrëdhënie të veçantë midis veprës dhe realitetit. Në romanin realist, modelimi i realitetit bëhet me format e vetë jetës, gjë që e dallon atë nga drejtime të tjera letrare, bie fjala nga ekzistencializmi etj. Te “Fletëhyrje për në varr” shfaqet një modelim specifik, që s’mund të identifikohet plotësisht as me format e vetë jetës reale, as me përfytyrimet dhe përmasat e plota të groteskut dhe fantazisë areale. Mikrosubjektet, mikroskenat, që krijohen, s’janë dhe s’mund të jenë aq të drejtpërdrejta dhe të plota sa realiteti, fizionomia e të cilit, me shtypjen dhe persekutimin e njeriut, me dramat njerëzore, jepet mes modelimesh të veçanta, sa të pazakonte aq edhe ekspresive. Në trajtën e aluzionit, metaforës, paradoksit, apo edhe të paralelizmit tragjik, autori, brenda caqeve që i ka caktuar vetvetes, krijon një modelim të ri, absurd në dukje, por me ngarkesë të atillë që peshon rëndë në përjetimet e lexuesit. Midis modelimit, që krijon vepra dhe realitetit ekziston një raport i çuditshëm, si ai mes reales dhe ireales, mes të përfunduarës dhe të papërfunduarës. E parë në një aspekt tjetër, vepra është konceptuar më tepër si skelet i një modelimi specifik. Çdo skenë, çdo pjesë mbart mundësinë e zgjerimit, për t’ju qasur sa më pranë tablove më të plota të një realiteti të caktuar. Por nga ana tjetër secila prej tyre modelon jo vetëm një objekt të pjesshëm; në mënyrë po aq konkrete modelon probleme më universale që kanë të bëjnë me thelbin e njeriut dhe ekzistencën e tij. Individi dhe shteti, liri dhe persekutimi njerëzor, brutaliteti dhe përdhunimi, njerëzorja dhe makabriteti, antinjerëzorja etj., janë një varg problemesh reale, universale, që i kalojnë caqet e këtij libërthi. Parimi i dhënies së çdo gjëje në mënyrë iluzive krijon njëfarë turbullimi tek lexuesi, një mundim shpirtëror gjatë përjetimit të mjaft momenteve dramatike që krijon autori. Imazhe të gjalla e tronditëse vijnë përmes modelimesh të çuditshme, të papritura, jashtë shëmbëllesës së drejtpërdrejtë. Kjo padyshim nuk e minimizon forcën përgjithësuese dhe ndikimin tek lexuesi. Nëpërmjet këtyre modelimeve përtej kufijve të së zakonshmes, realizohet në një masë të caktuar marrëdhënia sinonimike me fenomenet e realitetit. Modeli artistik, duke mos pasur tiparin dhe përmasat e një modeli që rikrijon në mënyrë të saktë realen, lejon mundësinë e përfytyrimeve më të lira dhe shumëfish më të gjera te lexuesit. Mikrohistoritë e kësaj vepre evokojnë një shtet, një shoqëri, një rend nëpërmjet aluzionit e konceptimit metaforik, duke krijuar emocione jo të zakonshme.
Tragjizmi i një eksperience
Vepra “Fletëhyrje për në varr” mbart në mënyrë të veçantë elementin tragjik, konceptuar nga autori si shtrat mbi të cilin mbërthehen shpejt e shpejt copëza jete, drama njerëzish, fate të hidhura. Të marra së bashku ato krijojnë imazhin e tragjizmit, që pikon në fatin e refugjatit, në vdekjen e vetmuar të pleqve, që u cilësuan “kulakë”, në pushkatimet e fshehta të tyre që u mallkuan “varrëhumbur”. Në këtë drejtim është disi e vështirë të dallohet e mundshmja nga a e pamundshmja. Skenat makabre i krijojnë lexuesit imazhe tronditëse, që fshijnë kufirin midis jetës dhe vdekjes. Rrëfimtari-autor e ndjen veten njëkohësisht edhe të gjallë, edhe të vdekur, sepse, për shumë njerëz, ky kufi nuk ekzistoi kurrë. Kështu, në njëfarë kuptimi, koha dhe hapësira shpesh mbeten jashtë përcaktueshmërisë konkrete, ato e humbasin kuptimin, vlerën e tyre, sepse realisht edhe në këto përmasa të ekzistencës pikon dhimbje, fyerje për njeriun. Vepra krijon një alegori të fuqishme për ekzistencën e njeriut të mashtruar, të spiunuar e të përndjekur, të venitur në dëshirat dhe aftësitë e tij, të pafuqishëm për t’i shpëtuar rrjetës së merimangës drejt së cilës pothuajse se shkon me bindje fatkeqe. Episodi i metamorfozës së vajzës që lind në pyll një bimëz afron alegorinë tronditëse të dëshirës së njeriut për të gjetur qetësinë dhe lirinë në tjetërsimin e tij, në shkëputjen e çdo lidhjeje me realitetin që e rrethon. Nga ana tjetër paralelizmi tragjik mes mizës dhe njeriut, krijon imazhe fyese dhe tronditës për ekzistencën njerëzore. Por ka momente që autori e ndjen të domosdoshme të kapërcejë kufijtë e alegorisë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të deklarojë: “Nëse unë jetoj në shoqëri, jetoj për t’i shtuar diçka asaj”. Në këto momente, lexuesi sikur shkundet nga pesha e rëndë që i kanë krijuar në shpirt ngjarjet e subjektet makabre. Ai ndjen një lloj lehtësimi tek ndjek se bashkëqytetari i tij është i ndërgjegjshëm se ç’duhet bërë për të jetuar në një botë pa dhunë dhe intolerancë. Pra nuk paska vdekur gjithçka, ka edhe raporte dhe ndjenja njerëzore në atë realitet, të cilin autori është prirur ta shikojë vetëm në aspektin tragjik.
Teksti dhe konteksti
Një ndër problemet më të mprehta që paraqet vepra “Fletëhyrje për në varr” është raporti mes tekstit dhe kontekstit, i cili shpreh në vetvete aspektin themelor të zbërthimit dhe interpretimit të një teksti letrar. Në rastet kur vepra konceptohet kryesisht mbi një nënshtresë metaforike, ky aspekt, në vështrim të parë, komplikohet. Shtjellimi aluziv krijon një lloj turbullimi te lexuesi, por nga ana tjetër jep shkas për një “autonomi” iluzore. Sipas përgatitjes dhe interesave, përvojës dhe intuitës vetjake, lexuesi nuk e ka gjithnjë të lehtë të depërtojë në marrëdhëniet e brendshme emocionale-kuptimore dhe artistiko-strukturore të tekstit dhe nëntekstit, të atyre shtresave strukturore që realizojnë lidhjet më të qëndrueshme dhe më funksionale me kontekstin. Në këtë vepër, autori ndërton disa struktura estetike “autonome”, të cilat, në të vërtetë, kompletojnë përfytyrimin e lexuesit dhe afrojnë gjithnjë e më shumë në fokus një kontekst unik. Duke respektuar thelbin e krijimit metaforik në dy funksionet e tij: objektiv – përcaktues dhe objektiv – vlerësues, autori ka synuar që teksti të mos jetë thjesht pasqyrim i faktit, por reflektim në shpirtin e tij. Sinteza e imitimit metaforik të realitetit dhe shprehja e momenteve subjektive bëhet burim i një ndikimi të veçantë tek lexuesi. Rikrijimi i skenave mbi bazën e analogjisë, mbizotërimi i disa nënshtresave kuptimore, krijon raporte të veçanta midis leximit të drejtpërdrejtë dhe reflektimit mbi atë që lexon. Lexuesi e ndjen se së pari duhen çliruar kuptimet e figurshme të atyre mikrohistorive, që hyjnë në vepër në forma të ndryshme dhe që në të vërtetë përfaqësojnë secila vatra të veçanta rrezatimi. Zbërthimi i kontekstit themelor ka të bëjë me simbolin “qyteti im”, ndonëse në tërësi teksti është shumë i shkurtër, i copëzuar, vizionet që jep ai për periudhën e diktaturës, për disa aspekte të jetës sonë janë tronditëse deri në dhimbje. Po t’i hysh një analize tekstuale më të hollësishme, mund të hidhej dritë në një varg problemesh që kanë të bëjnë si me subkoshiencën e rrëfimtarit, ashtu edhe me një varg dukurish të tjera të aspektit problemor dhe estetik.
Fizionomi romani?
Gjëja e parë për të cilën mund të diskutohet kur lexon këtë libër do të ishte: a mund të quhet roman? Autori që në fillim shkruan: “Shënime për nuk e di se çfarë dreq vepre letrare”. Ai jo vetëm nuk ka pretendim të përcaktojë llojin e veprës, por, me sa duket, pak rëndësi i jep kësaj. Vepra e konceptuar si bashkim i rastësishëm copëzash, shënimesh, mikrosubjektesh, që ndërfuten edhe nga persona të paidentifikuar, që lidhen ose (duket sikur) s’lidhen me njëri-tjetrin, krijon përshtypjen e një skelet-montazhi të shpejtë. Kjo lloj strukture, që shfaqet përmes një çrregullimi në raport me romanin e tipit klasik-tradicional, ka funksionet dhe efektet e veta artistiko-kuptimore, në qoftë se në këtë vepër subjekti konceptohet jo si porosi marrëdhëniesh e raportesh reciproke mes personazheve, fateve dhe veprimet e të cilëve mund të ndiqeshin gjatë gjithë veprës, kjo nuk e zbeh funksionin e atyre raporteve jo të zakonshme, disi të çuditshme, që krijohen si kalimthi midis figurave simbol, me pamje të zakonshme apo monstruoze. Pas groteskut, shfrytëzimit të makabritetit në ndonjë skenë, fshihet rrjedha e një subjekti më të zakonshëm, ka një lëvizje që mbështetet kryesisht në veprimin e brendshëm, që ka të bëjë me tragjizmin e karakterit. Pas heshtjes, qetësisë së jashtme, fshihet drama e një qyteti-alegori, drama e njeriut në shtetin totalitar. Kompozicioni tepër i veçantë, i pleks disa parime e mënyra ndërtimi që nga shënime të ndryshme (fletoresh apo subjektesh të çuditshme), letra të paidentifikuara etj.; të gjitha ndërfuten në një rrjedhë jonormale. Organizator i këtij lloj kompozicioni bëhet vetë rrëfimtari-autor, i cili preferon të shfaqet gjatë procesit të ndërtimit paraprak (do ta quaja unë) të veprës, jo e jo të përfundimit të plotë të saj. Vepra mbetet si një skicë roman, i hapur, që ka thënë shumë, por që lë të nënkuptohen e të vazhdohen shumë linja të tjera. Gjetjet e tjera kompozicionale sipas konceptimit strukturalist, shpërndarja e frazës sipas skicës fletëhyrje e bëjnë më të larmishëm ndërtimin konceptual. Rrëfimtari komunikon drejtpërdrejt me lexuesin, i hapur me përjetimet, me të fshehta të tij. Në këto tipare dhe në të tjera, vepra e Arbër Ahmetajt ka fytyrën e një krijimi origjinal, me gjetje të reja strukturore, diktuar nga një varg shqetësimesh, të cilat ai i përjeton me një intensitet të veçantë. Megjithatë, raporti mes asaj që është specifike, e ligjshme në llojin letrar, dhe dëshirës për kërkime të reja estetike, mbetet gjithnjë delikat. Ky raport bëhet i diskutueshëm kur kërkimet stilistike rrezikojnë të bëhen manjerë. Artisti duhet t’i frikësohet kësaj. Sigurisht, letërsia mbetet pafundësisht e hapur për kërkime e gjetje të reja strukturore, figurative etj. Veçanërisht letërsia jonë e sotme, që sapo është futur në ethet e kërkimit. Në këtë proces të pafund ka dhe do të ketë realizime dhe prova të pasuksesshme. Si do që të jenë prirjet e autorëve (kam parasysh edhe prirjen e A. Ahmetaj), kusht universal për çdo vepër është që kërkimet e reja strukturore jo të shpërbëjnë unitetin artistik, por ta ngjeshin, ta plotësojnë atë. Vepra “Fletëhyrje për në varr”, si një roman i tipit të veçantë, ndonëse ka aspekte të diskutueshme, përfaqëson një ndër krijimet origjinale të kohës, që me strukturën e gjetjet tjera artistike pasuron fizionominë e romanit të sotëm shqiptar.
Artikull i botuar në gazetën “Rilindja”, e shtunë, 03.09.1994
Prof.Dr. Floresha Dado, kritike letrare
Për të interesuarit, librin e gjeni këtu.
Të tjera nga ky autor:
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare
- Verë e pasur
- Dashuri jetëshkurtër tek “Ora e ligë”
- Arbër AHMETAJ: Alpenperle (Pjesa e dytë)
- Alpenperle (Pjesa e parë)
- “Casa-Casino”-roman si një lirikë dashurie
- Arbër AHMETAJ: Në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, shkrimi është festa e lexuesit
- Arbër AHMETAJ: Drita e Lavinias
- Arbër AHMETAJ: Muzikaliteti i mitit të Kasandrës nëpërmjet përkthimit
- Arbër AHMETAJ: Mbijetesa e një personazhi të vdekur
- Arbër AHMETAJ: Shenjti Valentin
- Arbër AHMETAJ: Burrë i puthur (cikël poetik)
- Arbër AHMETAJ: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Arbër AHMETAJ: Guri
- Arbër AHMETAJ: Ora e dashurisë
- Arbër AHMETAJ: Para e madhe, varfëri e madhe