(Shënime për romanin ‘I huaji, ai kosovari’, shkruar nga Arbër Ahmetaj)
Lënda e romanit “I huaji, ai kosovari” zë fill nga një prag, nga një cak a ndarje dhe në tentativë për një ikje sikur formëson ‘pa e ditur’ një kufi tjetër. Ky tekst merret pikërisht me sendërtimin e këtij pragut tjetër, të atij që e jetojmë individualisht, përpos simbolikave që na imponojnë regjime e kultura të ndryshme sociale e, për mua, këtu qëndron edhe forca e tij.
Jemi kah fundi i viteve ’80. Ideja e jetesës në prag, në një klon ndarës, ka zënë rrënjë tek individi europian në përmasa të ndryshme, për shkak të ‘luftës së ftohtë’. Për shqiptarët, sikurse për gjermanët, është së paku e dy trajtave: ‘ne’ dhe ‘ata’, bota komuniste dhe ajo perëndimore, por gjithashtu ‘ne’ dhe ‘ne’, bota këndej dhe andej kufirit. Po a mjafton shembja e kufirit, e cakut të jashtëm? Po me individin çfarë ndodh së brendshmi? A ka nevojë ai për kufirin, cakun, së paku si formë, që përcakton dukuri me qenien apo mosqenien?
I huaji, një kosovar, i shfaqet qytetit kufitar në trajtën e një individi që zgjon kureshtje, të një modeli që mund të imitohet, por më shumë si hija e objektit të munguar. Ky është rrengu. E tillë është marrëdhënia që ai nxit si fillim edhe me heroin-rrëfimtar të romanit, deri në momentin kur i rrëmben ëndrrën e tij të dashurisë, Doruntinën. Klasike: një grua do dashurohet më shumë se nga një burrë dhe për të bukurën luftohet. Heroi ynë e ka kuptuar vonë.
Për nga kompozimi, libri ka trajtat e një poeme epiko-lirike. Veta e parë në fakt vetëm sa krijon përmasën e heroit lirik, i cili vendoset midis tekstit e lexuesit, por ai vetë vjen e na rrëfen nga perspektiva e vetës së tretë, në formë epike, si rapsod; kapitujt të ngjajnë me këngë, edhe pse regjistrat e rrëfimit ndryshojnë e stili bëhet fragmentar.
Loja metanarrative me llojet letrare, kalimi nga proza thuajse lirike në një epikë poetike, dikur zbulohet, të ngjan me ngritjen mbi ujë të një relikte të vjetër nga deti. Në kapitullin ‘Filmi im me gangsterë pellasgjikë’ ky procedim bëhet i qartë: lënda prozaike shndërrohet në poemë epike. Aty mësyjnë edhe heronjtë e legjendave të vjetra shqiptare, mirëpo prozedeja e epikës sonë të kreshnikëve këtu pasurohet me një simbolikë të re. Poema moderne kreshnike nis me vargun: “Një qyqe e kuqe këndonte në një rrem të thatë”. Duket qartë që është thirrur një procedim i vjetër për të rrëfyer historinë moderne. Por e kuqja këtu nuk është vetëm komunizmi, është edhe gjaku që është derdhur e do derdhet në luftën e radhës të sojit njerëzor për të zhbërë e ngritur një kufi të jashtëm.
Por, teksti ofron edhe një tipar tjetër strukturor: ashtit të brendshëm, skeletit solid letrar i vishet një rrobë e jashtme, që sikur i ikën natyrës romaneske drejt një pasqyrimi më realist të kohës, shoqërisë, ku vijnë e shfaqen emra vendesh e ngjarjesh të njohura, por e gjitha kjo, ndërprerë me kadenca procedimesh eseistike, të natyrës filozofike e psikologjike. Pra, veç narrativës mirëfilli letrare, në tekst vjen edhe kronika e kohës, dilet nga simbolika dhe shkohet te fakti, stili bëhet gati gazetaresk, na zbulohen qartë dy botët që ndajnë pragun, andej e këndej kufirit, e ne kuptojmë se janë krejt të ngjashme.
Atëherë vjen një thirrje e brendshme, ka një kthim tek individi që reflekton e thotë se është mirë të kthehet tek vetja, të jetojë pragun, kufirin, cakun e tij. Zhvendosen kufijtë jashtë nesh, zhbëhen me forcë, por ka pragje e caqe brenda nesh që duhen ndërtuar e modifikuar përmes aksionit njerëzor, më shumë se rrënuar.
Romani “I huaji, ai kosovari” ofron një peizazh semantik të pasur, i cili, duke ngacmuar në radhë të parë anën emocionale, të bën edhe të reflektosh, sjell informacion, tipik i një teksti të sotëm, ku larmia e regjistrave narrativë bëhet element i vetëdijshëm strukturor i veprës e teksti ofron një mori të pafundme leximesh.
Urime autorit për këtë ndihmesë të vyer në mozaikun e romanit të sotëm shqip, në një tjetër botim cilësor nga RL BOOKS!
Të tjera nga ky autor:
- Liqen i mbyllur në një roman të hapur
- Arbër AHMETAJ: Kërkohet “Kohë shtesë” për të lexuar një roman të pazakonshëm
- “Të dua!”, nga Xhovani
- “Një prani në ikje” botohet edhe në italisht: fragment nga libri në shqip
- Durim TAÇI: Nga një derë tjetër
- Durim TAÇI: Kali i kuq i Tare Çelës
- Durim TAÇI: Të vësh një emër (“Extra Time”)
- Durim TAÇI: Një prani në ikje (Fragment)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e tretë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e dytë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e parë)
- Shtëpia ‘Markarian’
- Ervin NEZHA: Të lexosh një “Extra Time”
- Mes botëve që njohim e nuk njohim – pas leximit të “Extra time” e “Një prani në ikje” të Durim Taçit
- Supet
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare