Njëherë, një mëngjes të përmbytur nga dielli, një burrë, ulur në këndin ku po shijonte omëletën, pa një kalë të bardhë me një bri të artë në mes të kokës që po përtypte trëndafilat në kopsht. Burri u ngjit me vrap te dhoma e gjumit, ku e shoqja flinte ende, dhe e zgjoi:
– Në kopsht ka ardhur njëbrinori e po ha trëndafilat.
Ajo hapi njërin sy me përtesë dhe e pa shtrembër.
– Njëbrinori është kafshë mitologjike! – i tha dhe i ktheu shpinën.
Burri zbriti shkallët ngadalë e shkoi drejt e në kopsht. Njëbrinori ishte akoma aty e kësaj here po kulloste mes tulipanëve.
– Këtu njëbrinor, – e ndolli, ndërsa këputi një zambak dhe ia zgjati.
Njëbrinori e hëngri me solemnitet. Me zemrën që po i gufonte, pasi në kopshtin e tij kishte ardhur një kafshë mitike, rendi sërish me vrap lart dhe e zgjoi gruan edhe një herë:
– Njëbrinori hëngri një zambak!
E shoqja u ngrit, u ul buzë shtratit dhe e vështroi ftohtë:
– Ti je budalla dhe shpejt do të të mbyll në spitalin psikiatrik!
Burrit nuk i kishin pëlqyer kurrë fjalët ‘budalla’ e ‘spital’, aq më pak atë mëngjes plot dritë, kur në kopshtin e tij kishte ardhur për vizitë një “unicorn”, kali mitologjik me një bri të artë.
– Do ta shohim këtë punë! – tha e ndërsa largohej, shtoi: – Kishte një bri floriri midis dy veshëve!
Zbriti prapë në kopsht të shihte njëbrinorin, por ai qe larguar. Burri u ul mes trëndafilave dhe e mori gjumi.
Sapo i shoqi u largua nga dhoma, gruaja u ngrit dhe u vesh shpejt e shpejt. Ndjehej mjaft e eksituar dhe një grimcë vetëkënaqësie i lundronte syve. I telefonoi policisë dhe një psikiatri; u tha të shkonin me urgjencë në shtëpinë e saj e të merrnin me vete edhe një këmishë për të marrët. Kur mbërritën, polici dhe psikiatri u ulën në ndenjëset e rehatshme të sallonit, përballë gruas dhe nisën ta dëgjonin:
– Burri im ka parë sot njëbrinorin në kopsht, – polici vështroi psikiatrin, ndërsa ky këqyri policin. – Pastaj më tha se kishte ngrënë një zambak, – shtoi. – Në fund më tha se kishte edhe një bri të artë në mes të kokës, – përfundoi ajo rrëfimin.
Në një prej atyre çasteve, pasi mori sinjalin nga psikiatri, gati të dy përnjëherësh u hodhën mbi gruan. Iu deshën bukur shumë kohë ta vinin nën kontroll, pasi gruaja rezistoi fort, por ia arritën. Kur ia veshën këmishën e forcës me krahëza të lidhura pas shpinës, i shoqi u kthye nga kopshti e hyri brenda.
– Zotëri, a i keni thënë gruas suaj këtë mëngjes se keni parë njëbrinorin në kopsht?
– Sigurisht që jo! – u përgjigj burri. – Njëbrinori është një kafshë mitike!
– Ok, kaq kisha nevojë të dija! – tha psikiatri e iu kthye policit: – Merre! Më vjen keq zotëri, – iu drejtua më pas të zotit të shtëpisë, – por gruaja juaj është krejtësisht e çmendur.
E morën me vete mes klithmave e mallkimeve dhe e mbyllën në një spital për të sëmurë mendorë. Që nga ajo ditë, i shoqi jetoi i lumtur. Morali? Mos bëj kurrë ysh pa pasur pula!
Përktheu nga anglishtja: Arbër Ahmetaj
James Thurber: humorist, karikaturist, autor, dramaturg dhe gazetar, i njohur për personazhet dhe temat tepër afër publikut në formë e përmbajtje. Është një nga humoristët kryesorë amerikanë të shekullit XX. Proza e tij e paimitueshme dhe e zgjuar përfshin gjerësisht mendime dhe zhanre të pazakontë. Ka krijuar tregime, ilustrime, komente, fabula, fantazi për fëmijë dhe letra. Shumë nga vizatimet dhe tregimet e tij u shfaqën për herë të parë në “The New Yorker” dhe disa nga përrallat më të famshme u përfshijnë në librat “Jeta sekrete e Walter Mitty”, “Natën kur hyri fantazma”, “Qeni që kafshoi njerëzit”, “Natën kur krevati ra”, “Vendi i macezogut”, “Dita kur u shemb diga” dhe “Njëbrirëshi në kopsht “. Vizatimet e tij paraqesin shpesh qen në ambiente familjare.
Të tjera nga ky autor:
- Plaga
- Llambë në dritare
- Verë e pasur
- Dashuri jetëshkurtër tek “Ora e ligë”
- Arbër AHMETAJ: Alpenperle (Pjesa e dytë)
- Alpenperle (Pjesa e parë)
- “Casa-Casino”-roman si një lirikë dashurie
- Arbër AHMETAJ: Në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, shkrimi është festa e lexuesit
- Arbër AHMETAJ: Drita e Lavinias
- Arbër AHMETAJ: Muzikaliteti i mitit të Kasandrës nëpërmjet përkthimit
- Arbër AHMETAJ: Mbijetesa e një personazhi të vdekur
- Arbër AHMETAJ: Shenjti Valentin
- Arbër AHMETAJ: Burrë i puthur (cikël poetik)
- Arbër AHMETAJ: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Arbër AHMETAJ: Guri
- Arbër AHMETAJ: Ora e dashurisë
- Arbër AHMETAJ: Para e madhe, varfëri e madhe
- Arbër AHMETAJ: Muzeu i melodive
- Arbër AHMETAJ: Pasuri gjenetike
- Arbër AHMETAJ: Puthje në zemër(audiobook)