Press "Enter" to skip to content

Tri poezi

30Shares

Abraham Joshua Heschel (1907-1972)

Rabin, teolog dhe mendimtar amerikan, me origjinë nga Polonia. Konsiderohet si një prej mendimtarëve dhe figurave religjioze më të shquara të shek. XX. U edukua në gjimnazin e Vilnusit (Lituani) dhe në universitetin “Wilhelm Von Humboldt” të Berlinit. Që nga viti 1945 e deri në fund të jetës shërbeu si profesor i Etikës dhe Misticizmit Hebraik në “Jewish Theological Seminary” të Nju Jorkut. Hechel shkroi një sërë veprash me vlerë ideore dhe spiritualë, ku më të rëndësishmet janë: “Njeriu nuk është i vetëm” (1951), “Zoti në kërkim të njeriut” (1955), “Mbi Shabatin” (1951), “Pasiguria e lirisë” (1966) etj. Heschel jo vetëm që ishte një intelektual publik me zë të fuqishëm, por gjithashtu edhe një mbrojtës i flaktë i të drejtave civile në Amerikë, së bashku me Martin Luther King, një kampion i Dialogut Ndërfetar dhe një kundërshtar i paepur i luftës në Vietnam. Këto poezi vijnë për herë të parë në shqip dhe ekskluzivisht për “Revistën Letrare”.

Borxhet

Orët kreditore më kërkojnë pagesën, orët kreditore më thërrasin:
Kur do t’i lash borxhet për ëndrrat e tua?!

Çdo orë që fugon më lë pas një amanet dhe testament.
Dhe ditët thërrasin sikur të ishin vite.

Fjalët më kanë joshur dhe dehur në krejt gamën e tyre.
Jam një hero vetëm në pritje, i fuqishëm vetëm në pasion.
Nuk e kam shpërblyer botën qoftë edhe për një frymëmarrje të vetme.
Ajme, po si guxoj që t’i lyp kohë hua një të ardhmeje të re?

Ëndrrat janë borxhe, ndërsa këngët betime.
Kur do t’i shlyej vallë këto ëndrra, këto borxhe?!

 

Zoti dhe njeriu

O Zot, ti nuk i lyp për veten këto blata sakrifice,
por për gjithë të zhgënjyerit në dashurinë tënde.
Nuk e çmon mëshirën për shkak të emrit tënd,
por vetëm për të braktisurit prej nesh…

Përdhuna të turpëron më pak
se lotët e njerëzve dhe britmat e mjerimit.
Blasfemia të lëndon më pak
se shpresë-humbja e njerëzve.
Ai që përbuz humanizmin dhe botën
të turpëron ty, o Zot,
ndërsa ai që i do njerëzit
sjell përherë gëzim tek ty, o i Tërëshenjtë!

 

Himn intim

Endem nga fjala në fjalë, prej mbrëmjes deri në agim.
Ëndërroj, shtegtoj prej vetes drejt qyteteve jashtë;
Një satelit njerëzor jam!

Pres shpresëplotë si dikush që pret mbi shkëmb,
që pranvera të shkojë sa më mirë.
Ndihem po aq i ndritshëm
sikur të kisha kampuar diku në Rrugën e Qumështit.
Për të nxitur botën që të ndjejë, bares përmes shtegut të vetmisë.

Gjithçka përreth dritësohet dhe shpërthen xixash prej vështrimit tim.
Për ta zbuluar këtë dritë çmaskoj fytyrat kudo.
Me Perëndinë përpara drejt peshimit final,
për ta mposhtur këtë barrë të rëndë me etje.
Çdo i lindur më thërret vazhdimisht: “A është dikush përreth?”
E di që secili prej tyre është AI, por në zemrën time përpëlitet një lot;
Teksa dëgjoj çdo njeri, çdo shkëmb a dru,
të gjithë më përgjërohen: “Na ndiej”,
të gjithë më luten: “Na shih”.
O Zot! Jepmë hua sytë e tu!

Erdha në jetë të korr farën e shikimit,
të zbuloj Zotin e kamufluar si botë –
Dhe pres i pari të trumbetoj “Agimin”!

Shqipëroi: Melsen Kafilaj

Të tjera nga ky autor:

30Shares