Eja
të gatuajmë një hënë të re e teksa na avitet nga dritarja
ta zhveshim nga sermi i drojës,
t’i veshim rrëzëllimin e akshamit dhe rrjedhshmërinë e orgazmës.
Eja
ta brumosim dhe pjekim
derisa të bëhet kek
ose çmenduri.
Mandej ta hamë
e të ushqejmë edhe zogjtë, duke i mbledhur tog.
Eja
t’u qeshim reve të dehura
ta vjedhim nga të çarat e tyre,
të stolisim ajrin me moskokëçarje
e ta tretim horizontin me marramendje.
Mandej ti të nisesh drejt humnerës sime,
duke u shuar në bahçen e syve të mi.
Eja
ma qëndis gjoksin me dëshirat e syve të tu.
Eja
mos ta vrasim të ftohtin, por ta ngrohim atë,
mos ta mbytim qetësinë, por ta freskojmë atë.
Eja
s’na duhet gjumë e as inat,
veç shkelje kanuni e torturë.
Djall
Kur ulem para teje o i huaj,
mat kohën që të lipset
për ta mbushur distancën drejt meje.
Ti je në kulmin e zgjuarsisë,
kurse unë në kulmin e gostisë.
Ti mendon si t’ia nisësh flirtit,
ndërkohë që unë, nën perdet e dinjitetit tim,
tashmë të kam gllabëruar.
Dy jetë të ndryshme dhe një akt përvetësimi
e nga ky kryqëzim takimi,
nuk mbetet veçse djalli i tundimit tim.
Përktheu: Elmaz Fida
Joumana Haddad është autore libaneze, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Është përzgjedhur si një nga 100 gratë më të fuqishme arabe në botë nga “Arabian Business Magazine” për aktivizmin e saj kulturor dhe shoqëror. Është themeluese e “Jasad”, një revistë tremujore në gjuhën arabe e specializuar në artet dhe letërsinë e trupit. Shkruan në arabisht, anglisht, italisht, spanjisht dhe frëngjisht, me 34 botime deri tani.
Të tjera nga ky autor:
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Zemërohu!
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Nizar KABAN: Kaposhi delenxhi