Press "Enter" to skip to content

A të jetë vetëm “Metamorfoza e një kryeqyteti”?

 “Metamorfoza e një kryeqyteti” ka zgjedhur t’ia vërë titullin romanit të tij zoti Aliçka, po në fakt është panorama e metamorfozës së një vendi, e veçanërisht e një shoqërie të tërë. Sipas përkufizimit të “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe”, metamorfoza është një ndryshim i rëndësishëm në trajtën e jashtme, në ndërtimin e organeve e në mënyrën e jetesës që pësojnë disa lloje kafshësh gjatë zhvillimit historik ose gjatë kohës së rritjes deri në zhvillimin e tyre të plotë, duke kaluar shkallë-shkallë nëpër disa faza. Dhe pikërisht këtë gjejmë hap pas hapi në faqet e librit, ndërsa vendi kalon nëpër çaste të rëndësishme historike.
Përgjithësisht, vlerësimet për këtë roman kanë të njëjtin lajtmotiv: ironi dhe të qeshura. E vërtetë, libri ka një ironi të hollë, që është tipike e Aliçkës, po këtë herë ai e ka mprehur edhe më fort bisturinë; këtë herë ironia është si ajo prerja me letër, që të gjithë e kemi provuar se si djeg jo vetëm nga çarja e lëkurës, po edhe nga fakti se as që e ke pritur të të plagosë aq keq. Kështu, edhe humori i hollë i autorit shkon deri në prag të sarkazmit, po nuk e ka vrerin e këtij të fundit. Ka një lloj trishtimi. Në fund të tij, libri nuk të bën më të qeshësh, por të mendohesh seriozisht. Dhe kur tregohesh më i vëmendshëm, sheh se këtë fill trishtimi ndaj realitetit e mënyrës se si përshtatet njeriu (moralshëm ose jo), autori e ka ndërkallur aty-këtu më herët nëpër faqet e romanit.
Me një galeri të larmishme personazhesh, paçka se disa prej tyre rrjedhin prej së njëjtës familje, në “Metamorfozën e një kryeqyteti” përballemi me mbijetesën apo aftësinë e njerëzve për të ndenjur mbi ujë e për të ruajtur kokën, jo vetëm në një sistem të izoluar kriminal, si ai që kem lënë pas, po edhe në një vend të çliruar prej tiranisë apo përtej kufijve të Shqipërisë, në vende ku liria dukej të kishte një tjetër formë e të tjera nuanca, veçanërisht menjëherë pas viteve ‘90. Është vërtet i çuditshëm shndërrimi që pësojnë njerëzit kur gjenden në rrethana me rëndësi jetike dhe Aliçka nuk ka përtuar të merret gjerësisht e me detaje me secilin syresh.
Duket sikur titulli e kufizon këtë proces metamorfoze që përqafon mbarë vendin, duke i vënë kufij brenda kryeqytetit, por autori e ka nisur nga Tirana për ta shpërndarë në formë rrezeje drejt periferisë dhe është marrë me këto personazhe në habitatin e tyre tiranas veçanërisht në pjesën e parë. Rrethanat sjellin që këto personazhe kryeqytetase të provojnë të jetojnë edhe në periferi dhe ti zbulon se disa personazhe të skajeve, si kuzhinierja, stallierët a kryetari i këshillit, provojnë me sjelljet e tyre se ndonjëherë janë më pak provincialë e më njerëzorë se ata të qendrës, si, fjala bie, artistët që ndihmojnë Martin Shpiragun në realizimin e statujës së diktatorit të vdekur. E megjithatë, edhe në skajet periferike, lufta kryesore mbetet për kthimin në kryeqytet si pika nevralgjike ku ia vlen të jetosh. Ose të paktën ku njeriu gënjen veten se jetohet më mirë.
Them “gënjen veten” se edhe në këtë kryeqytet vlon frika, droja nga tjetri dhe vërehen si ekstremet e rebelimit, ashtu edhe të përshtatjes meskine. Janë të shumta skenat që të kujtojnë historikisht e kulturalisht si jetohej në Tiranën e viteve ’85-’99, të cilat sa ngjallin kujtime për brezat që i kanë jetuar, aq ngjallin kureshtje për të rinjtë, që as nuk e konceptojnë dot se ç’do të thotë të jetosh nën tirani të tilla. Po është zhveshja nga njerëzorja që sjell Aliçka, e cila të bën të kuptosh se sa mjeranë janë njerëzit e detyruar të shndërrohen e të përshtaten në zgrip të ndërrimit të epokave kaq të ndryshme nga njëra-tjetra.
Dhe, me sa duket, ata që ishin fitimtarë në atë sistem kriminal, falë instinkteve të zhvilluara të mbijetesës (apo të ligësisë?), doli të ishin fitimtarë edhe në epokën e re. Ndaj edhe humori i autorit në fund na lë shijen e shprishur të të kuptuarit se vërtet e tillë ishte kjo Shqipëri që kemi jetuar këto dekada; se fazat e metamorfozës së plotë të shoqërisë sonë nuk kanë përfunduar ende; se jemi akoma diku të përhumbur në një proces të gjatë metamorfoze, që do të na çojë nga mbijetesa drejt normalitetit. Kur do të përfundojë? E kush e di…

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!