Press "Enter" to skip to content

Intervistë me shkrimtaren Flutura Açka

Unë nuk shkruaj ngaqë frymëzohem, por ngaqë kam nevojë ta shëroj plagën që më hapet e që më cimbis. Mund të ndaloj në çdo çast, të bëj një çaj, të bëj supën dhe të vazhdoj aty ku e kam lënë, a thua se nuk ndodhi asgjë. Sepse – ju lutem, mos e merrni si arrogancë! – nuk e përfshij veten te amatorët, po t’i referohem Philip Rothit, i cili gjykon se amatori kërkon frymëzim, ne të tjerët ulemi dhe i hyjmë punës. Kur shkruaj, bota para meje e humb peshën, bota brenda meje bëhet bota ime.

Intervistoi Dritan Kiçi

Intervistuesi: Pas kaq vitesh krijimtari, e mban mend se kush ishte frymëzimi i parë që të shtyu të shkruash? Ka ndonjë ngjarje apo ditë të veçantë, që i solli lexuesit Flutura Açkën?
Flutura Açka: Nuk më kujtohet qartë kur kam nisur të shkruaj, por përfshirja në magjinë e shkrimit ka pasur në krye shëmbëllimin e një teatri, ku spektatorët e mi të parë kanë qenë lulet. Fare fëmijë, e mbaj mend veten të dilja në rrugicën që përshkonte oborrin e shtëpisë sime të fëmijërisë dhe aty, në anë, kishte lehe të bukura lulesh, për të cilat kujdesej shumë ime më. Aty riprodhoja çfarë kisha lexuar, ashtu, me fjalët e mia, mbase duke i shtuar aktrimit edhe ndonjë histori timen. Nuk e di çfarë më shtynte ta bëja këtë, ndonjë nevojë për publik, për dëgjues, që dhjetëvjeçarë më vonë do të identifikohej me përcaktorin tim më të dashur, lexuesin. Më habit ende ajo joshje. Shkarravinat e mia të para kanë qenë në vargje, kam ende nëpër blloqe shënime të atyre viteve.

Intervistuesi: Kur nise seriozisht të shkruash?
Flutura Açka: Herët duhet të ketë qenë. E infektuar nga Migjeni e Majakovski, shkrova një poemë të gjatë, shumë të gjatë, për redaktimin e së cilës u mor një e njohura jonë, që kishte punuar dikur si drejtore e bibliotekës së qytetit. Ajo e ngau time më që të niste bashkë me mua, “vajzën e saj të talentuar”, siç këmbëngulte kumbara ime letrare, një tur nëpër redaksitë letrare të asaj kohe në kryeqytet: “Nëntori”, “Drita” dhe tek e vetmja shtëpi botuese shtetërore. Isha vetëm trembëdhjetë vjeçe. Poema ishte aq e gjatë, sa letrarët e dashur që takova e që vite më vonë m’u bënë miq, këshillonin të nisja me poezi më të shkurtra. Nuk e di se sa serioze ishte ajo farë poeme, por unë vetë isha tejet serioze në ëndërrimet e mia prej vajzukeje. Poezitë e para të botueshme i kam shkruar gjatë kohës studentore dhe një pjesë e tyre janë botuar në vëllimin e parë poetik “Tri vjeshta larg” (1993) dhe botohen ende siç janë. Kanë tatuazhin e rinisë dhe spontanitetit tim poetik të asaj moshe.

Intervistuesi: Në retrospektivë, ke dashur gjithnjë të ishe shkrimtare?
Flutura Açka: Nuk e kam shumë të qartë në ka qenë kështu, besoj se ka ardhur me kohën. Një ditë, ende në klasat e fillores, iu shpreha prindërve të mi se doja të bëhesha redaktore, pasi, në librat që lexoja, intuita më thoshte se ky personazh-hije, që e ndeshja në faqen e katërt, duhet të ishte edhe më dijshëm se vetë shkrimtari. Unë doja ta kapërceja edhe shkrimtaren, pa e ditur se ç’strukturë e habitshme ishte shkrimtari. Ata ngritën supet me këtë kërkesë fëminore. Më vonë, jeta më kaloi nëpër peripeci të çuditshme dhe të dhimbshme (njëzet vitet e para i kam kaluar nën diktaturë) që do t’ia fashisnin kujtdo të talentuari ndjesinë e shkrimtarisë. Por kam qenë me shumë fat; liria erdhi njëherësh me maturimin tim poetik. Po të mos kishte ndodhur kjo, për natyra disi rebele nuk kishte shumë zgjedhje: ose do të heshtja, ose do të privohesha.

Intervistuesi: Ç’këshilla do t’i jepje dikujt që sa po fillon të shkruajë?
Flutura Açka: Të lexojë shumë, të mbajë shënime dhe të mos e vrasë muzën; do të thotë të mos e tërheqë zvarrë kur ajo refuzon t’i bëhet mike dhe as të mos e përzërë me dembelinë e shkujdesjes. Nëse e sheh letërsinë si vuajtje, ka gjetur profesionin e gabuar. Letërsia vjen së brendshmi, ti e ndien mu si një barrësim, nga i cili dëshiron të çlirohesh. Kjo nevojë ka nervozën e kafshës së plagosur. Shkrimtari duhet të rrijë vetëm, të mendojë. Në kohët hektike që po jetojmë, kjo duket disi e vështirë; shkrimtari i sotëm është shumë i ekspozuar dhe e ka humbur ose e ka të brishtë një vektor vendimtar të të qenit i tillë: vetminë – vesi më i bukur i tij. Shkrimtari duhet të lexojë, të udhëtojë, të hulumtojë, sepse vetëm kështu krijon lëndina kujtese, kujtesë të cilën e zgjasim, siç thotë Borges në përkufizimin e tij për letërsinë, duke shkruar.

Intervistuesi: A të ndodh të bllokohesh, të mos gjesh dot atë që kërkon? Si përballesh me “writer’s block”?
Flutura Açka: “Writer’s block” nuk më ka ndodhur kurrë, as nuk besoj se do të më ndodhë. Problemi im është “time’s block”, pra mungesa e kohës për t’i shkruar ato që dëshiroj. Kur botova “Ku je?”, në vitin 2009, një miku im më tha se me aq ngjarje që ishin në libër dhe aq tekst që kisha përfshirë në të, një shkrimtar tjetër do të kishte bërë katër romanthe. I thashë se nuk kam humbur asgjë, sepse i kisha edhe katër romane të tjerë të gjatë dhe ja, gati dhjetë vjet më vonë, unë i kam ato katër romane po aq të gjatë tashmë të botuar. Nëse do të më jepej mundësia praktike që të isha shkrimtare në profesion, do ta kisha braktisur dritën e diellit dhe do të shkruaja vetëm libra. Por nuk e kam këtë luks.

Intervistuesi: Mbështetur në eksperiencën tënde, kush janë elementet më të rëndësishme të shkrimit?
Flutura Açka: Stili, ç’mund të jetë një shkrimtar pa stilin e tij?! Historitë, në të gjitha format, edhe në ato që nuk ta rrok mendja, janë thënë të gjitha: Homeri të mbidhesës, Dante të nëndhesës. Çështja është se si i themi secili prej nesh. E thotë diku Ezra Pound, se “çështja nuk është në imiton, por a je i paimitueshëm”. Pasi botova “Kukullat nuk kanë Atdhe”, një mikja ime më këshilloi që të kujdesesha se mund të më imitonin, ajo ishte e sigurt se do të fillonin të botoheshin libra të ngjashëm. E në të vërtetë u botuan nja dy romane atë kohë dhe autorët e tyre i kam miq, të cilët u përpoqën të mbanin po atë formë rrëfimi, por, pa i kapërcyer as tridhjetë faqet e para, ishin kthyer te vetvetja. Sikur të mos ishte lëndimi që mund t’u shkaktoja me zbulimin që kisha bërë, do t’i kisha këshilluar në ribotim ta hiqnin atë mish të huaj nga vepra e tyre. Ai ishte një grim që më shkonte vetëm mua. Por nuk ishte nevoja ta bëja, e bëri vetë koha.

Intervistuesi: Kush vjen në fillim: ngjarja apo personazhet?
Flutura Açka: Ngjarja dhe vetëm ngjarja, që të ndihmon që mu si një demiurg t’i profilosh personazhet, ia përshtat jetës së fiksionit që ndërton. Nuk e di kush e ka thënë se letërsia është lajm që mbetet deri në fund lajm, pra nuk komentohet. Duke qenë një shkrimtare që i pëlqen të rrëfejë, historia bëhet trungu i tekstit tim, që sjell pastaj gjethnajën. Mu siç ndodh me një shkrim enigmatik mbi lëkurët e lashta, që për ta deshifruar të duhet ta lyesh më parë me një solucion magjik, unë pres me ankth “lajmin” e thellësive të mia. Por, në ndonjë tregim të shkurtër ka ndodhur që personazhi e ka përcaktuar ngjarjen; ai ka qenë i pari dhe historia është thjesht veshja e tij.

Intervistuesi: Si i zhvillon ngjarjet dhe personazhet? Ke ndonjë skemë apo metodë të qartë?
Flutura Açka: Në krye bëj një pemë, është një skemë e thjeshtë, madje në nja dy romane të gjatë kam zhvilluar një arkitekturë timen që më ka ndihmuar shumë. Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ka një strukturë të vështirë, do përqendrim në lexim, pasi shkon në të kundërt të kohës, ecën si gaforre, pra personazhet nisin si pesëdhjetëvjeçarë dhe në fund të romanit, pas një digresioni të përpiktë nëpër ngjarje, shkojnë në fëmijëri. Ky roman ka disa ndërhyrje interteksti, ndërpresa të natyrës, që i gjen edhe më herët në prozën time, ka shtresime dhe disa nivele leximi. Aty jam ndier tërësisht në ujërat e mia. Është lexuar disi më pak se veprat e mia të tjera, të cilave në përgjithësi u ecën më shpejt fama se ritmi i tregut, por është romani im më i mirë. Ose, thënë më saktë, libri që dua më shumë, ka filozofinë e “Ku je?”, mbindjeshmërinë e “Hirit”, shtresimet psikologjike të “Kryqit të harresës”, sarkazmën e “Kukullat nuk kanë Atdhe” dhe gjeografinë e “Vetmi gruaje”.

Intervistuesi: Si e gjen apo zgjedh titullin e një libri?
Flutura Açka: Rrallë më ka ndodhur të ndryshoj titull. Zgjedhja e parë ka qenë edhe e fundit; duket si një bosht që ta siguron endjen rrotull pa u rrëzuar. Flas për prozën, sepse titujt e poezive i kam si etiketa kavanozash, nuk di t’u vë tituj. E në të vërtetë, çfarë rëndësie kanë titujt për poezinë? Besoj se titujt e romaneve të mi i afrohen thelbit të tyre, por, gjithsesi, titulli është një konvencion, pjesën tjetër e ka në dorë vetë teksti.

Intervistuesi: Kur e konsiderove veten për herë të parë plotësisht “shkrimtare”?
Flutura Açka: Ju fola, mbase te romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, aty jam në plotërinë time, por pandehma ime është thjesht një iluzion, sikurse e të gjithë shkrimtarëve. Sa je gjallë, është krekosje e madhe për të patur sigurinë e këtij titulli kaq hyjnor. Gjatë jetës së tij, shkrimtari është në ‘rropatje’ për ta merituar titullin, vetëm kaq. Shkrimtari lind atë ditë që vdes; a lexohet pas asaj dite vepra e tij, a mbet gjë prej tij edhe pa praninë fizike, që mban urën e lidhjes me lexuesin?

Intervistuesi: E përshkruan dot “habitatin” tënd si shkrimtare, hapësirën ku punon/shkruan?
Flutura Açka: Letra, shumë letra, blloqe ku ka shënime, veçmas për romane të gjata. Për një roman të natyrës sime prej katërqind a pesëqind faqesh, unë shkruaj katër a pesëmijë faqe, po të përfshish gjithçkanë përgatitore, ripunime të vazhdueshme, redaktime, pra një proces i gjatë. Ka heshtje, shumë heshtje. Ka natë, shumë natë. Dhe vetmi, shumë vetmi.

Intervistuesi: Në ç’kohë shkruan zakonisht: në mëngjes, pasdite apo natën?
Flutura Açka: Në mëngjes shkruaj me dorë, pasdite zakonisht lexoj dhe mbaj shënime, shkruaj mbrëmjeve, rishkruaj dhe rimarr fragmentet zakonisht paraditeve. Për të shkruar më duhet nata, që i jep një veshtulli të trishtë kohës së shkrimit; për të riparë mëkatin e natës më duhet shumë dritë, ndaj redaktoj rëndom mëngjeseve. Unë shkruaj edhe në gjumë, pasi thuajse nuk bëj gjumë kur jam gjatë shkrimit të një teksti të gjatë. Deri tani, vetëm një personazh ia ka dalë të më krijojë zhvendosje mentale, prej tij dilja në rrugë natën, ndoshta sepse ai ishte më afër alter egos sime, frikës sime, asaj që mund të kisha patur fatkeqësinë të më ndodhte. Atë frikë e kam projektuar tek ai, quhet Artur Robja.

Intervistuesi: Përshkruaj një ditë tipike shkrimi.
Flutura Açka: Punoj çdo ditë, por nuk e kam luksin të jem çdo çast shkrimtare; sikur ta kisha, nuk do të ma dëgjonit zërin për muaj. Sikurse shumë shkrimtarëve shqiptarë, edhe mua më duhet të mbijetoj si qenie biologjike në një vend ku arti nuk ka aq fat. Shkruaj shpejt, pasi ngjarjen, siç jua thashë më sipër, e kam ndërtuar në mendje gjatë. Kjo ndjesi – e të marrit të kohës nga nata – më është krijuar qysh kur kam lexuar frazën se “një të tretën e jetës e kalojmë në gjumë”. Kurrë nuk më është larguar lebetia e atij çasti. Prozën e shkruaj në kompjuter, por kurrsesi nuk e lexoj dot aty, ndaj e printoj dhe deri në botim bëhen disa boca. Të qenët redaktore më ka ndihmuar shpesh ta shoh tekstin tim veç si tekst, ftohtë; shpresoj t’ia kem dalë të ndaj veten nga vetja. Çështja është sa ta nis një vepër dhe amoku i ngjarjes nuk më lë më pa ia dalë në fund. Këto ditë po përmbaj ethen e një diptiku, i cili më ka mbërthyer keq prej kohësh. Mezi po pres të ulem; nga ai çast mbase nuk do ta ngre as telefonin. Magjepsja pas tekstit është ndër lumturitë e vetme që më kanë mbetur në këtë jetë.

Intervistuesi: Kush është për ty pjesa më e vështirë e shkrimit?
Flutura Açka: Lidhja e ngjarjeve, që romani të mos duket si ngrehinë prej dritareve të të cilit fryn erë nga të gjitha kanatet e shpartalluara. Dhe ruajtja e stekës. Nëse lexuesi mërzitet dhe e lë, e ke humbur betejën. Por të luash në rrafshnaltë, është sport shumë i vështirë, të duhet edhe përvojë. Unë tani e kam, më duhet vetëm kohë, pak lehtësira të së përditshmes do të më ndihmonin shumë, pasi më nervozon bjerraditja. Udhëtoj shumë para se të nis një libër të ri. Ai “treni, të gjitha dritaret e të cilit qeshin”, sipas Nabokovit, për shkak të lëvizjes dhe pamjeve të reja, është motori im. Ndoshta kjo është arsyeja pse ka gjeografi të gjerë në librat e mi. Letërsia nuk është një gjë e atypëratyshme, çdo mendim më parë e fikson në kujtesë, pastaj e hedh. Pra, siç thotë Huxley “kujtesa e çdo njeriu është letërsia e tij private”, por ndryshimi është se shkrimtari nuk ka zor ta zhveshë kujtesën.

Intervistuesi: Si e organizon kohën në periudhat kush shkruan?
Flutura Açka: Për shkak se marrosem pas asaj që shkruaj dhe nevojës për ta humbur lidhjen me mjedisin tim, shkoj në Holandë, mbyllem dhe shkruaj, ditë e natë. As telefona, as vizita, as kënaqësira. Pi shumë verë. Nuk është vuajtje, është lumturi akute, shtegtim marrok, pa të cilat do të isha një qenie shumë e varfër. Është insulina që rregullon raportet e fizikut tim, psikikës dhe kuptimit të jetës sime.

Intervistuesi: Ç’është gjëja më e çuditshme që të ndodh kur shkruan?
Flutura Açka: Që i shoh personazhet e mi si të gjallë, arsye edhe pse shpesh lexuesit vërejnë se, tek lexojnë librat e mi, u duket sikur shohin edhe një film, mbase nga mënyra se si përshkruaj. Në të vërtetë i përshkruaj siç i shoh në bezen e neuroneve të mia, në kinemanë e kujtesës dhe shajnisë sime.

Intervistuesi: Dëgjon nga lexuesit?
Flutura Açka: Po, marr shumë, shumë mesazhe. Për çdo libër të ri gjithnjë e më shumë. Me mesazhet për romanin “Kukullat nuk kanë Atdhe”, që është lexuar nga mijëra dhe në formë trakti, mund të botoj një librushkë. Një librushkë edhe më të trashë mund ta bëj me mesazhet e veprës së fundit “Biri”. Etika dhe fshehtësia e lidhjes me lexuesin nuk ma lejon t’i botoj, por i ruaj me shumë dashuri. Paramendoni, kam nja dy lexues besnikë, në kufijtë e adhuruesve të frikshëm, që më dalin parasysh kur nis të shkruaj një vepër. Kur botoj një libër, ata më telefonojnë dhe më pyesin: “Po libri tjetër kur do të dalë?”. Përfytyroj shndritjen e syve të tyre nga gëzimi që do të lexojnë diçka të re prej meje; duket e çuditshme, por kam dhimbje që t’i zhgënjej ata. Kam shumë të tillë, ndjekës të bukur.

Intervistuesi: Çfarë të thonë zakonisht?
Flutura Açka: Rrallë ose askurrë nuk më ka ndodhur të marr vërejtje. Në publicistikë po, se vërejtja është pjesë e debatit. Nuk mund t’i bësh vërejtje shkrimtarit, lexoje ose jo! Shkrimtari dhe vepra që lexon është zgjedhje, një zgjedhje që paracaktohet herët. Ju fola, zakonisht fama e librave të mi ecën më shpejt se ata vetë, kështu që ndonjëherë e kam të pamundur të ndjek me të njëjtën shpejtësi edhe inercinë e tij. Kur shkruan, ti nuk mendon çfarë do të ndodhë me veprën, sepse kjo do të ishte një lloj autocensure, ti e shpërfill brerjen nga kjo.

Intervistuesi: Ku nisin dhe si vazhdojnë studimet/kërkimet për një libër të ri?
Flutura Açka: Punoj shumë paraprakisht, në varësi të temës. Blej dhe lexoj shumë libra që lidhen me temën specifike, thjesht të kuptoj se sa minore është dija ime mbi atë çështje. Kjo jo për të ndjerë modesti, por për të kuptuar se qasja ime nuk është një përsëritje e mërzitshme, por një fragracë që i ka munguar këtij kopshti larushan. Për temën e diptikut që po përgatitem të filloj, kam punuar thuajse pesëmbëdhjetë vjet. Jam e dehur nga njohja e temës sime, një temë shumë interesante historike. Atë ditë që do ta nis, duhet të kthehem njëqind vjet pas në kohë. A mund ta bësh këtë pa një humbje të kohës tënde si qenie biologjike dhe si qenie letrare? Kur Pesoa thotë se “letërsia është mënyra më e pranueshme e shpërfilljes së jetës”, besoj se këtë ka parasysh.

Intervistuesi: Kush janë veglat më të rëndësishme të zanatit?
Flutura Açka: Fantazia, nëse mund të quhet mjet, ajo është e para. Një nevojë e brendshme për të ndërtuar jetë paralele, a thua ke frikë nga kjo botë e gjallë ku je pjesë. Mjetet janë sofistikuar në kohën tonë, ka programe se si ta organizosh një libër, kërkimet përmes google janë përshpejtuar. Unë e kam nisur me laps e letër, ashtu e shkruaj ende poezinë dhe tregimin e shkurtër. Pastaj u hodha te një Olivetti, që më ka magjepsur kur e kam përdorur; ende i kam në fletë të tilla përkthimet e para të klasikëve italianë, me të cilët isha dashuruar në fund të viteve ’80-të. Tani shkruaj në kompjuter dhe për fat mendimi më shkon me të njëjtin ritëm me rrahjen e tastierës. Vështirë të ndërroj zakon më.

Intervistuesi: Si e përkufizon suksesin?
Flutura Açka: Barrë është, pasi ndonjëherë përzihet edhe me ca sentimente, që nuk ke dëshirë t’i zbulosh mes të ngjashmëve të tu. Tronditjen e vërtetë nga shtypja e kësaj, e pata me ca poezi personale që shkrova për humbjen e tim biri. Aty vërejta se kishte në gjindjen tonë letrare edhe prej atyre që m’i numëronin pëlqimet. E ka thënë Borges për të gjithë ne dhe për të gjitha kohërat: “Fama është forma më e keqe e moskuptimit”. Në ato ditë të trishta, ndjeshmëria njerëzore ndaj të cilave ishte shumë e prekshme për mua, zbulova befas në periferi të vëmendjes publike edhe institucionin e “xhelozisë makabre”. Mbase edhe kjo është njerëzore, por i takon zonave të errëta, ku unë nuk hyj kurrë pa kandil.

Intervistuesi: Në një ditë të zakonshme, sa kohë shkruan?
Flutura Açka: Unë nuk shkruaj ngaqë frymëzohem, por ngaqë kam nevojë ta shëroj plagën që më hapet e që më cimbis. Mund të ndaloj në çdo çast, të bëj një çaj, të bëj supën dhe të vazhdoj aty ku e kam lënë, a thua se nuk ndodhi asgjë. Sepse – ju lutem, mos e merrni si arrogancë! – nuk e përfshij veten te amatorët, po t’i referohem Philip Rothit, i cili gjykon se amatori kërkon frymëzim, ne të tjerët ulemi dhe i hyjmë punës. Kur shkruaj, bota para meje e humb peshën, bota brenda meje bëhet bota ime.

Intervistuesi: Si e ngarkon veten emocionalisht kur duhet të shkruash diçka të veçantë, të rëndë apo të gëzuar?
Flutura Açka: Do t’ju them një ngjarje, që e shpjegon mbase atë që më ndodh. Një mikja ime më kërkoi t’i bëja parathënien e një libri, autori i të cilit nuk arriti ta shihte veprën të botuar. Ishte fjala për një libër me thënie të mençura nga bota. Ishte thjesht një qokë njerëzore, por unë po e vonoja. Një çast ajo këmbënguli që ta shkruaja aty, në prani të saj, dhe unë u ula dhe e nisa. Dhe ndërsa shkruaja, mikesha ime nisi të ngashërehej. E këqyra dhe vazhdova e qetë zanatin tim, pasi, nëse do të bëja si ajo, nuk do ta mbaroja. Kur shkruaj, unë shkruaj, nuk përjetoj. Madje edhe kur kam shkruar librin “Biri”, më është dashur ta shqyej veten që ta mbaroja. Kam qenë në prag çmendurie, në risk ataku disa herë, por shkrimtarja dhe nënvetëdija e saj ka një eshtër që e mban drejt përtej emocionit. Pasi nuk doja të shkruaja një përqarje personale, por një vepër letrare të pakohë, që ishte ekskluzivisht jeta ime, por jo imja. Emocionet e mia nuk i lejoj që të kontrollojnë jetën e personazheve të mi, sepse i fik ata pa i krijuar ende.

Intervistuesi: Sa parapërgatitje bën para se të nisësh të shkruash?
Flutura Açka: Shumë, në rastin e prozës së gjatë e them këtë. Poezia është një dhimbje e beftë koke. Tregimi i shkurtër një përqendrim shumë i lartë mental.

Intervistuesi: Çfarë përgatitje bën para se të fillosh të shkruash?
Flutura Açka: Vetëm përgatitje mentale. U lë me bujari karaktereve të mi të baresin relievit të mendjes sime. Kur ata zënë e bëjnë kryengritje e ankohen për hapësirë, ulem e shkruaj. Nuk e sforcoj veten kurrë, që të bëj letërsi për letërsi. Letërsia nuk ka normë. Njoh poetë në Holandë që duan muaj për një poezi. Nuk e di në është kjo parapërgatitje apo shkrim, apo hapërdarje. Më duket luks i madh të kesh muaj për të shkruar një poezi, me muaj ndërtohet një shtëpi, shkruhet një roman. Jeta është shumë e shkurtër për librat që unë dua të shkruaj, ndaj shkruaj thuajse përditë, në të gjitha format që jeta dhe shkenca i ka bekuar shkrimtarët sot.

Intervistuesi: Kush është pjesa më e dashur dhe më e urryera në botimin e një libri?
Flutura Açka: Ngazëllimi që të jep të shkruarit, pasurimi me jetën paralele që të ndërton nënvetëdija, është gjë e bukur. Por zbrazja që të jep botimi, ndarja me tekstin, ndonjëherë është e padurueshme.

Intervistuesi: Kush do ishte heroina apo heroi ideal?
Flutura Açka: Nuk ka heronj idealë sa kohë i ndërton vetë. Edhe heronjtë joidealë janë idealë për ty, ti i do njësoj. Janë Piter Panët e tu, që nuk ndryshojnë as moshë, as pamje e as dashuri ndaj teje.

Të tjera nga ky autor: