Press "Enter" to skip to content

“Ngjizja e papërlyeme”, një roman i pashmangshëm

Agron Tufa, “Ngjizja e papërlyeme”, Onufri, Tiranë 2021

Romani i fundit i Agron Tufës, “Ngjizja e papërlyeme”, është LIBRI! Ngërçi sipërfaqësor i kësaj fraze vjen nga vetë subjekti: Martin Gega ka shkruar një roman; shteti me ushtarë, togerë, kolonelë, spiunë e aparatura shpall luftë për gjetjen e tij. Ljuba, për të mbrojtur të shoqin, e shndërron dorëshkrimin në qull letre dhe e gëlltit. Ljuba mbetet shtatzënë nga materia e tekstit. Prej kësaj shtatzënie të çuditshme lind një roman. Ja, ky është libri që do të lexoni!
Boshti i këtij romani, nga fushëpamja e estetikës së shkrimit, është ironia: Shteti kundër një Romani. Nga thellësia e ngërthimit të personazheve e ngjarjeve, LIBRI ngjitet në piedestalin e epopesë ironike. Gjatë leximit, kjo nuk vihet re, pasi shkrihen në një rrjedhë të rrëmbyeshme të gjitha stilet e rrëfimit, prej thjeshtësisë së vetës së parë, dërgimit në vetë të tretë, rikthimit shkallmues të vetës së dytë, hetimit psiko-analitik, onirizmit, horrorit, lirizmit e dyzimit, tëhuajsimit e kryeneçësisë së parashtrimit të fakteve logjike, ftohtësisë e ekuidistancimit nga fati i personazheve, befasia e sjelljes së mikrongjarjeve, që herëdokur nxjerrin krye, si nxitëse të veprimeve në pamje të parë, pa motivim të personazheve. E gjitha kjo në një roman sa pesë romane. Prej ku mund të shënojmë se Agron Tufa shquhet në këtë LIBËR si arkitekt i klasit të parë në strukturimin e materies, në hapësirë e në kohë, si mjeshtër i kronometrimit të pritjes së natyrshme të lexuesit për të gjetur e rigjetur fillin e rrjedhën e rrëfimit, të detajeve e ngjarjeve, që shënjojnë personalitetin dhe ecurinë e fatit të personazheve. Ky roman i bën nderë letërsisë shqipe. Autori i saj do mbahet mend!
Tirana e fillimviteve ‘60. Fitimtarët i tremben ilegjitimitetit të pushtetit të tyre. Duan ta konsolidojnë atë me çdo çmim. Falsifikojnë gjithçka, jo veç historinë, por edhe gjenetikën e biologjinë. Përvoja e përgjakshme ka dhënë rezultate në të shkuarën, s’ka pse të mos japë edhe kësaj here. Gjithçka është e lejueshme. Edhe lufta totale kundër një dorëshkrimi. Bluhen jetë njerëzish, shpresa, shkelet mbi shpirtra, përdhunohen gra, poshtërohen burra, përdoren falanga gangsterësh, korruptohen e përfshihen në këtë fushatë të pashpirtë intelektualë e teknicienë. Në “tabelë qitjeje” brishtësia e jetës njerëzore: një inxhinier gjeolog, Martin Gega, romani i tij në dorëshkrim “Pjella” dhe gruaja e tij ruse, Ljuba Borisovna. Para tyre e krahas me ta edhe mijëra të tjerë. Numri i madh i personazheve, lidhjet e dukshme e të padukshme mes tyre, ndërvartësia e fateve dhe ngjyrimi i tyre gjuhësor e psikologjik përbëjnë një atlas të tërë, që përfshin krejt gjeografinë e atdheut. Madje edhe jashtë tij, nga Brukseli në Kamçatka.
Dorëshkrimi, i shndërruar në qullë dhe i gëlltitur nga Ljuba, nxjerr krye me shkëlqim aty-këtu, duke përbërë në një çast gati edhe kulmin e romanit. Një adoleshent i dashuruar, që pret me aq përvëlim puthjen e parë, përfundon para një skuadre pushkatimi. E dashura vrapon në kërkim të atit të tij. E gjen e pak sekonda para se të shkrehen armët, ai ndërhyn: vritmëni mua në vend të birit!
Dorëshkrimi është i pranishëm edhe ndryshe, në formë të disa fletëve të mbijetuara, të disa shënimeve të mbajtura, të kujtimeve të atyre pak personave që e kanë lexuar. (I një bukurie e simbolike të rrallë në dorëshkrim është edhe vendimi i vargmaleve shqiptare për t’u arratisur, të mërgojnë diku në Perëndim.) Madje edhe të fotove sekrete të vjedhura, me prerje në besë. Lexuesi arrin të krijojë një ide pse ka atë ndërkallje bishash ndaj atij teksti dhe pse mbi autorin e dorëshkrimit ushtrohet gjithë ajo mizori. Në thelb të kësaj staliniade të përgjakshme qëndron frika prej krimeve të bëra në të shkuarën, që në mënyrë tinëzare ndërtohet si akuzë ndaj tjetrit, si nxirje e së kaluarës heroike! Në pamje të parë, tehu i shpatës rëndon mbi qafën e autorit dhe gruas së tij, por, rrathë-rrathë e duke u ngjitur, thertorja s’ndalet veç me ta. Autori bën zbritje vertikale deri në rrënjë të së keqes, deri në bërthamën e së mirës, paralelisht, pa kompromis. Kjo e mënjanon atë nga interpretime të jashtme; personazhet zihen në lëngun e tyre, piqen në vajin e vet. Rrotullimi i gjëmshëm, kthimi përmbys i sistemit të vlerave pjell personazhe e situata groteske, por me një vendosmëri heroike për të poshtëruar gjithçka e gjithkënd. Monumenti i dinjitetit, njerëzisë, përpjekjeve për vetëpërsosje, për shërbim ndaj tjetrit e atdheut, në këtë roman i takon Martin Gegës, inxhinierit gjeolog, autorit të dorëshkrimit. Por në personazhin e Samuil Ismarit, një shkrimtari të talentuar, të Dario S., të Zef Sheldisë e aty-këtu edhe të ndonjë tjetri, fillojnë e marrin udhë në mënyrë të vetvetishme përpjekjet për t’i bërë ballë kësaj zymtie, si oponencë e pashmangshme e natyrës njerëzore ndaj së keqes. Mbi ta bien menjëherë rrezet e errëta të survejimit, kontrollit, presionit. Në qendër të romanit është një personazh fort i spikatur, koloneli Zeno, një burrë që s’e ndal asgjë në realizimin e përgjegjësisë së detyrës. Lexuesit, që “s’kanë pasur fat” të jetojnë në atë kohë, ndoshta do ta shohin me mosbesim efikasitetin e metodave dhe zotësinë e tij. Por ne të tjerët e besojmë kolonelin; i kemi pasur në çdo qytet e qytezë, në çdo qendër banimi fotokopjet e tij. Njerëzit e Zenos, ata që në roman mbërrijnë deri te shtrati i shkrimtarit Ismari, i kemi pasur në jetët tona deri vonë. Shumë prej tyre na qeverisin edhe sot. Madje me një “clin d’œil”, shkelje syri miqësore, autori i “përshëndet” personazhet e veta duke përdorur grumbuj tingujsh në emrat e tyre, që pa ndonjë zor të madh t’i sjellin para syve si figura të gjalla. Ndoshta pseudonimet janë reale. Kështu, duke pasur fat me autorin e tyre bujar, ato personazhe do bëhen të përjetshme, për të mirën ose të zezëditën e tyre.
Ky tekst voluminoz ka pasur fat edhe në redaktim dhe është botuar me shumë cilësi.
Romani është një mozaik i plotë, me mbi shtatëqind faqe, i dramës që shoqëria shqiptare kaloi në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Personalisht e lexova i tronditur, në gjendje transi: mbeta i hutuar prej fuqisë së rrëfimit. Nuk lexohet kollaj, por: duhet lexuar domosdoshmërish.

Të tjera nga ky autor:

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.