Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 20 janar

20 janar. Lindën: Eugène Sue (20 janar 1804 – 3 gusht 1857), romancier francez, një nga shumë shkrimtarët të cilët, në kohën e tyre u bënë të famshëm për romanet e llojit telenovelë, si “Misteret e Parisit”, roman shumë i imituar prej autorësh të tjerë, botuar në gazetë përgjatë viteve 1842 -1843; Nathaniel Parker Willis (20 janar 1806 – 20 janar 1867), shkrimtar e poet amerikan; Richard Le Gallienne (20 janar 1866 – 15 shtator 1947), shkrimtar e poet anglez; Yvette Guilbert (20 janar 1865 – 3 shkurt 1944), këngëtare kabaresh dhe aktore franceze e Belle Époque; George Burns (20 janar 1896 – 9 mars 1996), komedian, aktor, këngëtar e shkrimtar amerikan; Aristotel Onassis (20 janar 1906 – 15 mars 1975), biznesmen grek, maniat i industrisë së anijeve, një nga njerëzit më të pasur të kohës së tij; Federico Fellini (20 janar 1920 – 31 tetor 1993), regjisor e skenarist italian; Susan Vreeland (20 janar 1946 – 23 gusht 2017), shkrimtare amerikane; Bill Maher (20 janar 1956), drejtues televiziv, aktor, komentator social, producent, kritik i medieve dhe humorist amerikan.

Eugène Sue (20 janar 1804 – 3 gusht 1857):
“Sytë janë dritaret e zemrës së një gruaje. Përmes tyre mund të hysh brenda saj.”
“Virtyti pengohet dhe rrëzohet shpeshherë nga filli i fukarallëkut.”

Nathaniel Parker Willis (20 janar 1806 – 20 janar 1867):
“Nëse ka diçka që e mban mendjen të hapur ndaj vizitave të engjëjve, e që zmbraps kumtarin e së keqes, kjo është dashuria njerëzore.”
“Mirënjohja nuk është vetëm përkujtimi i së mirës që të bën dikush, por edhe nderimi që zemra shfaq ndaj Zotit për bujarinë e Tij.”
“Qoftë dhe guraleci më i vogël që gjendet në pusin e së vërtetës do të vazhdojë të ekzistojë, kur monumentet më madhështore të njeriut do të jenë rrënuar.”

Richard Le Gallienne (20 janar 1866 – 15 shtator 1947):
“Bukuria e një gruaje është një nga misionet e saj më të mëdha.”
“Bukuria që na magjeps është e heshtur. Ajo i buzëqesh ëmbëlsisht vetvetes dhe nuk flet kurrë.”
“Nuk ke pse shtiresh. Të shkruarit keq është dhunti.”
“Kritiku është një njeri, i cili është krijuar për të lavdëruar ca njerëz që janë më të mëdhenj se ai, po çështja është se nuk arrin t’i gjejë kurrë ata.”
“Prirja e shëndetshme për të harruar fqinjët e tu përbën fillimin e urtisë.”

Yvette Guilbert (20 janar 1865 – 3 shkurt 1944):
“Nuk mund të mbetemi vazhdimisht të njëjtët, sepse arti i ngjan një pasqyre që shpërfaq trajta të ndryshme pasqyrimesh. Aktori nuk duhet të paraqesë pareshtur të njëjtën fytyrë, sepse rrezikon që fytyra t’i shndërrohet në një maskë.”

George Burns (20 janar 1896 – 9 mars 1996):
“Më parë pranoj të jem i dështuar në diçka që më pëlqen sesa të jem i suksesshëm në diçka që e urrej.”
“Njeriu e kupton se ka filluar të plaket ditën kur, teksa përkulet për të lidhur këpucën, thotë me vete: çfarë gjëje tjetër mund të bëj, jam që jam i përkulur?”
“Nëse më pyesni se cili është sekreti i jetëgjatësisë, do t’ju thosha se duhet të shmangni shqetësimet, stresin dhe tensionin, por edhe nëse nuk do të më pyesnit fare, unë prapëseprapë do t’jua thosha.”
“Seksi në pleqëri është si të luash bilardo me litar.”

Aristotel Onassis (20 janar 1906 – 15 mars 1975):
“Po të mos ekzistonin gratë, e tërë paraja e kësaj bote nuk do të kishte pikë vlere.”
“Nuk duhet të vraposh pas parave, por thjesht përballë tyre.”
“Sekreti i biznesit është të dish diçka që nuk e di askush përveç teje.”
“Nuk ekzistojnë as miqtë e as armiqtë, por vetëm konkurrentët.”
“Nëse një njeri ju thotë se me para mund të blihet gjithçka, të jeni të sigurt se ai nuk ka pasur para kurrë.”
“Nuk ekziston as e mira e as e keqja, por vetëm ajo që është e mundshme.”
“Më mirë të palumtur në sedijen e një Rolls Royce, se sa të palumtur në stolin e një tramvaji.”

Federico Fellini (20 janar 1920 – 31 tetor 1993):
“Kinemaja është mënyra më e mirë për të hyrë në garë me Zotin.”
“Asgjë nuk dihet, gjithçka imagjinohet.”
“Një formë e ndryshme shprehjeje përbën një vizion të ndryshëm të jetës.”
“Nuk ka mbarim, nuk ka fillim. Ka vetëm një pasion të pafundmë për jetën.”
“Biznesi i kinemasë është makabër, grotesk: një përzierje midis ndeshjes së futbollit dhe bordellit.”

Susan Vreeland (20 janar 1946 – 23 gusht 2017):
“Atë që bota e quan dështim, unë e quaj mësim.”
“Sodite gjatë veten tënde, jashtë e brenda, dhe do të ndjehesh i lumtur për faktin se je ai që je.”

Bill Maher (20 janar 1956):
“Gratë nuk duhet të qahen më për burrat, deri ditën kur të fillojnë të kenë shije pak më të mirë në përzgjedhjen e tyre.”
“Vetëvrasja është si një mënyrë për t’i thënë Zotit: Ti nuk më pushon dot nga puna, sepse unë po iki vetë!”
“Kurrë mos ji tolerant deri në pikën sa të tolerosh intolerancën.”
“Për njeriun frikacak çdo lloj forme guximi është budallallëk.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi