Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 19 janar

19 janar. Lindën: Robert E. Lee (19 janar 1807 – 12 tetor 1870), gjeneral amerikan, i cili komandoi trupat e Konfederatës gjatë Luftës Civile Amerikane; Auguste Comte (19 janar 1798 – 5 shtator 1857), filozof e sociolog francez, konsideruar si babai i Pozitivizmit; Edgar Allan Poe (19 janar 1809 – 7 tetor 1849), shkrimtar, poet dhe kritik amerikan, një ndër autorët më me ndikim në letërsinë amerikane, i cili konsiderohet si nismëtar i rrëfimit policor dhe i letërsisë horror; Paul Cézanne (19 janar 1839 – 22 tetor 1906), artist francez e piktor impresionist; Gustav Meyrink (19 janar 1868 – 4 dhjetor 1932), shkrimtar, përkthyes dhe ezoterist austriak, të cilin lexuesi shqiptar e njeh përmes romanit “Golemi”; Paolo Borsellino (19 janar 1940 – 19 korrik 1992), magjistrat italian, i vrarë nga Cosa Nostra së bashku me pesë agjentët e eskortës; Janis Joplin (19 janar 1943 – 4 tetor 1970), rokere amerikane dhe këngëtare e blues; Dolly Parton (19 janar 1946), këngëtare amerikane e muzikës “country”.

Robert E. Lee (19 janar 1807 – 12 tetor 1870):
“Sa mirë që lufta është gjë e tmerrshme, se përndryshe do të pasionoheshim tepër pas saj.”
“Edukimi i njeriut nuk merr fund deri në vdekjen e tij.”
“Unë nuk besoj tek burrat që synojnë të kenë nën kontroll të tjerët, ndërkohë që nuk janë në gjendje të kenë nën kontroll as veten e tyre.”
“Kurrë mos prano të bësh një gjë të gabuar thjesht për të zënë miqësi ndokënd apo për të ruajtur shoqërinë me ndokënd tjetër.”
“Isha tepër i dobët për t\’u mbrojtur, kështu që u hodha në sulm.”
”Populli që nuk ka kujtesë është popull pa liri.”
“Urtia nuk është gjë tjetër veçse një dhembje e shëruar.”

Auguste Comte (19 janar 1798 – 5 shtator 1857):
“Njihe veten tënde, që të mund ta përmirësosh atë.”
“Që të kuptosh një shkencë është e domosdoshme të njohësh historinë e saj.”
“E vetmja jetë e vërtetë është jeta kolektive. Jeta individuale mund të ekzistojë vetëm si abstraksion.”
“Idetë qeverisin botën ose e zhysin atë në kaos.”
“Gjithçka është relative, dhe kjo është e vetmja gjë absolute.”
“Gruaja është elementi më moral i të gjithë njerëzimit.”
“Njerëzimi përbëhet më shumë nga të vdekurit se sa nga të gjallët.”
“Formula e shenjtë e pozitivizmit: dashuria si parim, rregulli si bazë, progresi si synim.”

Edgar Allan Poe (19 janar 1809 – 7 tetor 1849):
“Ata që shohin ëndrra me sy hapur janë në dijeni të disa gjërave që s’i kapin dot ata që shohin ëndrra vetëm kur flenë.”
“Bukuria është e vetmja provincë legjitime e poezisë.”
“Sa të shumtë janë librat e bukur që vuajnë nga braktisja vetëm për shkak se fillojnë në mënyrë të papërshtatshme.”
“Të vdesësh duke qeshur, kjo duhet të jetë vdekja më e lavdishme mes të gjitha vdekjeve të lavdishme.”
“Në rastin më të mirë, kufijtë që ndajnë jetën nga vdekja janë të vagullt e të errët. Atëherë, kush mund të na thotë se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?”
“Kurrë nuk kam qenë përnjëmend i çmendur, përveç rasteve kur jam prekur në zemër.”
“Unë kam shumë besim te budallenjtë; besim në vete e quajnë miqtë e mi.”
“Nëse dëshiron ta harrosh diçka menjëherë, mbaje shënim si diçka që duhet kujtuar medoemos.”
“Budallallëku është talent për ide të gabuara.”
“Mënyra më e lehtë që gjen njeriu i vogël për t’u ndjerë i madh, është shprehja e përçmimit ndaj një njeriu të madh.”

Paul Cézanne (19 janar 1839 – 22 tetor 1906):
“Një art që nuk bazohet në ndjenjën s’është kurrsesi art. Ndjenja është parimi, fillimi dhe fundi. Zanati, objektivi, teknika, të gjitha këto qëndrojnë në mes.”
“Gjenialitet është aftësia për të përtërirë emocionet e tua brenda përvojës së përditshme.”
“Çështja nuk është të pikturojmë jetën, por t’i japim jetë pikturës.”
“E vërteta gjendet në natyrë, dhe unë do ta vërtetoj këtë.”
“Jetë të gjatë Diellit, i cili na dhuron një ngjyrë kaq të bukur!”

Gustav Meyrink (19 janar 1868 – 4 dhjetor 1932):
“Njeriu ndjehet plotësisht i bindur se është zgjuar; në të vërtetë ai gjendet i zënë në kurth brenda një rrjete gjumi e ëndrrash, rrjetë të cilën e ka endur vetë, në mënyrë të pavetëdijshme.”

Paolo Borsellino (19 janar 1940 – 19 korrik 1992):
“Është bukur të vdesësh për diçka në të cilën beson. Kush ka frikë vdes çdo ditë; kush nuk ka frikë vdes një herë të vetme.”
“Nuk kam kërkuar ndonjëherë të merrem me mafien. Ndodhi rastësisht. Më pas qëndrova për arsye morale: pashë njerëz që vdisnin rreth e rrotull.”
“Palermo nuk më pëlqente, po pikërisht për këtë arsye mësova ta dua. Sepse dashuri e vërtetë është të duash diçka që nuk të pëlqen, që pastaj të mund ta ndryshosh atë.”
“Frika është njerëzore, por ju luftojeni atë me guximin.”

Janis Joplin (19 janar 1943 – 4 tetor 1970):
“Duke u shqetësuar për të nesërmen, ti mund të shkatërrosh të sotmen.”
“Sa më shumë të jetosh, aq më pak vdes.”
“Është e vështirë të jesh i lirë, por nëse ia del mbanë, ia vlen.”

Dolly Parton (19 janar 1946):
“Nëse dëshiron të shohësh ylberin, duhet të durosh shiun.”
“Nuk ndjehem e fyer nga batutat idiote që thuhen në lidhje me biondet, sepse e di që nuk jam budallaqe… sikundër e di edhe që nuk jam as bionde.”
“Nuk do të arrish kurrë ndonjë gjë të madhe, nëse nuk ke guxim të mjaftueshëm për të provuar.”
“Ne s’mund të ndryshojmë drejtimin e erës, por ama mund të lëvizim velat.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi