Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 18 janar

18 janar. Lindën: Charles de Montesquieu (1689 – 1755), filozof, jurist, historian e shkrimtar francez; Rubén Darío (1867 –1916), poet nikaraguan, një ndër zërat më të rëndësishëm të poezisë latinoamerikane, frymëzues jo vetëm i poezisë latinoamerikane, por edhe i asaj spanjolle; Oliver Hardy (1892 – 1957), aktor komik amerikan; Gery Grant (1904 – 1986), aktor britanik, amerikan; Gilles Deleuze (1925 – 1995), filozof francez; Takeshi Kitano (1947), aktor japonez, i njohur kryesisht me rolin e Zatoiçit tek “The Blind Swordsman” etj; Kevin Costner (1955), aktor amerikan.

Charles de Montesquieu (1689 – 1755):
“Që të bëhesh përnjëmend i madh duhet të qëndrosh me njerëzit, jo përmbi njerëzit.”
“Përkeqësimi i një forme qeverisjeje fillon me rënien e parimeve mbi të cilat ajo është krijuar.”
“Çdo njeri që ka pushtet është i prirë të abuzojë me të.”
“Ligji duhet të jetë si vdekja, që nuk kursen askënd”
“Liri quhet e drejta për të bërë çdo gjë që ligji na lejon.”
“Padrejtësia e kryer ndaj një njeriu përbën kërcënim për të gjithë.”
“Rrënimi i një vendi zë fill në çastin kur puna e ekonomistit dhe e bankierit nisin të konsiderohen si profesione lartësisht të respektuara.”

Rubén Darío (1867 –1916):
“Ti je universi i universeve dhe shpirti yt është burim këngësh.”
“Poezia do të vazhdojë të ekzistojë për sa kohë të ekzistojë një problem jete a vdekjeje.”
“Jam në kërkim të një forme, që stili im nuk po arrin ta zbulojë: një syth mendimi që orvatet të shndërrohet në trëndafil.”
“Tradhtitë e ambicieve nuk reshtin kurrë.”
“Më dhimbset ai njeri, që një ditë prej ditësh zbulon sfinksin e tij të brendshëm dhe fillon t’i bëjë pyetje. Ai njeri i ka larë duart.”

Oliver Hardy (1892 – 1957):
“Nëse duhet të bësh zhurmë, bëje atë qetësisht.”
“Në të vërtetë, ti je duke përdorur trurin. Kjo të ndodh ngaqë shoqërohesh me mua.”
”Ne kurrë nuk e shohim veten ashtu siç na shohin të tjerët.”

Gilles Deleuze (1925 – 1995):
“Koncepti i ngjan një tulle. Ti mund ta përdorësh për të ndërtuar gjykatën e arsyes ose mund ta flakësh nga dritarja.”
“Silli botës diçka të pakuptueshme!”
“Intuita nuk është as ndjenjë, as frymëzim, as simpati e çorientuar, por metodë tërësisht e zhvilluar.”
“Nuk duhet as të frikësohemi, as të shpresojmë, por thjesht të vihemi në kërkim të armëve të reja.”
Ndjenja e turpit e të qenit njeri: a mund të ekzistojë ndonjë arsye më e fortë për të shkruar?”
“Filozofia, arti, shkencat nuk janë objekte mendore të një truri të objektivizuar, por janë tre aspekte nën të cilat truri shndërrohet në subjekt.”

Takeshi Kitano (18 janar 1947):
“Humori është si dhuna. Që të dyja duhet të shfaqen papritmas dhe sa më të paparashikuara të jenë, aq më mirë është.”

Kevin Costner (18 janar 1955):
“Heronjtë e vërtetë janë njerëz të papërsosur: rrëzohen, dështojnë, por në fund fare fitojnë, sepse u kanë qëndruar besnikë idealeve, bindjeve dhe përkushtimeve të tyre.”
“Seksi dhe golfi janë dy gjëra që të shijojnë edhe kur nuk je shumë i zoti me to.”
“Nëse nuk i kupton kufijtë e tu, ti kurrë s’mund të arrish ndonjë gjë të madhe në jetë.”
“Një ide e mirë i ngjan një emocioni të fortë: nuk mund ta mbash dot përbrenda.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi