Press "Enter" to skip to content

Vallja: Reigen – Dialogu IV

“Vallja” (Reigen – në origjinalin gjermanisht) është një nga veprat më të famshme provokative me temë sensuale. Arthur Schnitzler e shkroi në vitin 1897 dhe brenda çerekut të parë të shekullit të njëzetë u përkthye thuajse në të gjitha gjuhët e mëdha të botës.

Drama shfaq moralin seksual dhe ideologjinë klasore të kohës, përmes takimeve të njëpasnjëshme erotike mes të personazheve, që shfaqen para ose pas një takimi seksual. Me personazhe nga të gjitha nivelet e shoqërisë, drama ofron një pasqyrë të vërtetë sociale, ku kontakti seksual i kalon kufijtë e klasës. E botuar fillimisht privatisht, në vitin 1900, vepra u vu në skenë për herë të parë në vitin 1920 dhe shkaktoi skandal dhe reagime të forta. Dy titujt e shfaqjes: “Reigen” në gjermanisht dhe “La Ronde” në frëngjisht, i referohen një valleje rreth e qark, që gjendet në thuajse gjithë popujt evropianë.

Drama u shtyp për herë të parë në veç 200 kopje, që u shpërndanë dorazi mes miqsh. Në vitin 1903, botimi i parë publik në gjuhën gjermane doli në Vjenë dhe shiti rreth 40,000 kopje. Skandali që pasoi, solli censurimin dhe ndalimin një vit më vonë. Më 1908-n u ribotua me mundim në Gjermani dhe më 1912-n u përkthye në frëngjisht, më 1920-n në anglisht dhe më 1923-shin në holandisht.

Drama u shfaq për herë të parë në teatër më 23 dhjetor 1920, në Berlin, dhe më 1 shkurt 1921 në Vjenë. Një prodhim i paautorizuar ish vënë në skenë më herët në Budapest, më 1912-n. Shfaqja shkaktoi reagime të dhunshme, shpeshherë masive. Schnitzler u sulmua moralisht e fizikisht në një fushatë tipike antisemite. Shtypi i kohës e konsideronte një pornograf hebre dhe protesta ndaj veprës u njoh si “skandali Reigen”.

Megjithatë, drama u pëlqye gjerësisht dhe nuk e humbi publikun, sidomos në Rusi, Çekosllovaki dhe veçanërisht në Francë, ku u përshtat dy herë për kinemanë, në vitin 1950 dhe 1964. Më 1982-shin, pesëdhjetë vjet pas vdekjes së Arthur Schnitzler, djali i tij, Heinrich Schnitzler, autorizoi shfaqen e dramës në gjuhën gjermane.

Në vitin 1922, psikologu i madh, Frojdi, i shkruante autorit me elozhe e vlerësime tepër të larta.

Shfaqja zhvillohet në vitet 1890 në Vjenë. Struktura dramatike përbëhet nga dhjetë skena të ndërlidhura midis çifteve të të dashuruarve apo predatorëve seksualë. Secili nga dhjetë personazhet shfaqet në dy skena të njëpasnjëshme, ku skena e fundit sheh Laviren që është dhe në të parën, duke mbyllur kështu “vallen”.

Ky botim vjen i shqipëruar me aq delikatesë nga Loreta Schillock dhe redaktim nga Dritan Kiçi.

Në vijim është Dialogu IV, i botuar fillimisht në Revista Letrare – Vjeshtë 2021 dhe librin mund ta gjeni në të gjitha dyqanet online të librave kudo në botë, si dhe në RL Books.

DIALOGU IV

DJALOSHI DHE ZONJËZA

(Mbrëmje. Një sallon i mobiluar me elegancë banale në një shtëpi në Schwindgasse .
Djaloshi sapo ka hyrë dhe po ndez qirinjtë, ndërsa ende mban kapelën dhe pardesynë veshur. Pastaj hap derën e dhomës ngjitur dhe hedh një vështrim brenda. Nga qirinjtë e sallonit, rrezatimi ndriçon një shtrat me tendë, me kokën në faqen e murit përtej. Nga oxhaku në cep të dhomës së gjumit përhapet një shkëlqim i kuqërremtë drite mbi perdet e shtratit. Hyn në dhomë. Nga tavolina e tualetit midis dy dritareve merr një shishe me pompë dhe spërkat tapicerinë e shtratit me ca rreze të holla të një parfumi vjollcë. Pastaj shëtit nëpër të dyja dhomat me shishen në dorë dhe vazhdon ta shtypë pareshtur tullumbacen e vogël të pompës. Në çast, anekënd kundërmon erë vjollce. Heq pardesynë dhe kapelën. Ulet në kolltukun prej kadifeje blu dhe ndez një cigare. Pas pak ngrihet përsëri dhe sigurohet që grilat jeshile janë të mbyllura. Papritmas kthehet në dhomën e gjumit, hap sirtarin e komodinës së shtratit, fut dorën brenda dhe ndjen një kapëse flokësh me motiv breshke. Kërkon një vend ku ta fshehë, më në fund e fut në xhepin e pardesysë. Pastaj hap një dollap, që ndodhet në sallon, nxjerr një filxhan argjendi, një shishe konjaku dhe dy gota likeri e vendos gjithçka mbi tryezë.
I rikthehet pardesysë së vet, nga e cila merr një pako të vogël, të bardhë. E hap dhe e vendos ngjitur konjakut. Shkon përsëri te dollapi, merr dy pjata të vogla dhe takëmet e ngrënies. Nga pakoja e vogël merr një gështenjë të sheqerosur dhe e ha. Më pas mbush një gotë konjak për vete dhe e hedh me një frymë. Sheh orën. Shëtit lart e poshtë dhomës. Ndalet për një çast para pasqyrës së madhe të murit, ndreq flokët dhe mustaqet e vogla me krehrin e xhepit. Shkon te dera e paradhomës dhe përgjon. S‘pipëtin asgjë. Shkon e mbledh perdet e rënda blu, varur para derës së dhomës së gjumit. Bie zilja. Rrëqethet lehtë. Pastaj ulet në kolltuk dhe ngrihet në momentin kur hapet dera dhe hyn Zonjëza.)

ZONJËZA
(E mbuluar komplet me vel, mbyll derën pas saj, ndalet për një moment dhe vë dorën e majtë mbi zemër, sikur t’i duhet të kapërcejë një eksitim të fuqishëm.)

DJALOSHI
(Shkon drejt saj, i merr dorën e majtë dhe i fal një puthje mbi dorashkën e bardhë me qëndisje të zeza. I flet me zë të ulët.) Ju falënderoj!

ZONJËZA
Alfred, Alfred!

DJALOSHI
E hirshmja zonjë… Zonja Ema…

ZONJËZA
Më lini edhe një çast, ju lutem… Oh, ju lutem shumë, Alfred! (Qëndron ende në këmbë te dera.)

DJALOSHI
(Rri para saj e i mban dorën.)

ZONJËZA
Ku jam tani?

DJALOSHI
Me mua.

ZONJËZA
Kjo shtëpi është e tmerrshme, Alfred.

DJALOSHI
Pse? Është një shtëpi shumë e fisme.

ZONJËZA
U shkëmbeva me dy burra te shkallët.

DJALOSHI
Të njohur?

ZONJËZA
Nuk e di. Ndoshta.

DJALOSHI
Më falni, e hirshmja zonjë, ju me siguri i njihni miqtë, apo jo?

ZONJËZA
Nuk shihja dot asgjë.

DJALOSHI
Por ata, edhe miqtë tuaj më të mirë të ishin, nuk do t’ju kishin njohur. Ose unë… nëse nuk do ta dija që jeni ju… ky vel…

ZONJËZA
Janë dy vello.

DJALOSHI
Nuk doni të më afroheni pakëz? Të paktën, hiqni kapelën!

ZONJËZA
Alfred, si më flisni kështu? Ju thashë: pesë minuta… Më gjatë jo… Ju betohem!

DJALOSHI
Velin pra…

ZONJËZA
Kam dy.

DJALOSHI
Epo, të dyja vellot; së paku t’ju shoh, kaq më lejohet besoj?

ZONJËZA
A më dashuroni, Alfred?

DJALOSHI
(I lënduar thellë.) Ema! Edhe më pyesni?!

ZONJËZA
Qenka kaq nxehtë këtu.

DJALOSHI
Po pse akoma me pallton veshur? Ngrini vërtet?

ZONJËZA
(Më në fundi hyn në dhomë dhe hidhet në kolltuk.) Sa e lodhur! Jam si e vdekur.

DJALOSHI
Më lejoni, ju lutem! (I heq velin; i tërheq gjilpërën nga kapela, vendos mënjanë kapelën, gjilpërën, velin.)

ZONJËZA
(E lejon ta bëjë.)

DJALOSHI
(I rri para dhe tund kokën.)

ZONJËZA
Çfarë keni?

DJALOSHI
Kurrë s’keni qenë kaq e bukur.

ZONJËZA
Pse?

DJALOSHI
Vetëm… vetëm me ju! Ema. (Ulet me një gju pranë kolltukut të saj; ia merr të dyja duart dhe ia mbulon me puthje.)

ZONJËZA
Dhe tani… Më lini të iki. Atë që më kërkuat, jua plotësova.

DJALOSHI
(Lëshon kokën në prehrin e saj.)

ZONJËZA
Më premtuat se do të silleshit mirë.

DJALOSHI
Po.

ZONJËZA
Mbytesh në këtë dhomë.

DJALOSHI
(Ngrihet në këmbë.) Ende me pallton veshur!?

ZONJËZA
Ma vendoseni te kapela.

DJALOSHI
(Ia heq pallton dhe e vendos edhe atë në divan.)

ZONJËZA
Dhe tani… Lamtumirë!

DJALOSHI
Ema! Ema!

ZONJËZA
Ato pesë minutat ikën me kohë.

DJALOSHI
As edhe një!

ZONJËZA
Alfred, më thoni njëherë saktësisht sa është ora.

DJALOSHI
Është fiks gjashtë e një çerek.

ZONJËZA
Duhet të isha te motra tani.

DJALOSHI
Motrën mundeni ta shihni shpesh…

ZONJËZA
Oh Zot! Alfred, pse më nxitët ta bëja?

DJALOSHI
Sepse unë… ju adhuroj, Ema.

ZONJËZA
Save ua keni thënë këtë?

DJALOSHI
Që kur ju pashë, askujt.

ZONJËZA
Sa mendjelehtë qenkam! Sikur ta kisha parashikuar këtë… tetë ditë më parë… madje edhe dje…

DJALOSHI
Dhe pardje madje më premtuat…

ZONJËZA
Eh, sa më torturuat. Por, nuk doja ta bëja. Zotin kam dëshmitar, nuk doja ta bëja… Dje isha më se e vendosur… A e dini se mbrëmë ju kam shkruar një letër të gjatë?

DJALOSHI
Nuk kam marrë ndonjë letër.

ZONJËZA
E grisa. Oh, duhet t’jua kisha dërguar me të vërtetë atë letër.

DJALOSHI
Më mirë kështu.

ZONJËZA
Oh jo, sa e turpshme… nga unë. Nuk e kuptoj veten! Lamtumirë Alfred, më lini të iki!

DJALOSHI
(E përqafon dhe i mbulon fytyrën me puthje të nxehta.)

ZONJËZA
Kështu… e mbani fjalën…?

DJALOSHI
Edhe një puthje! Edhe një!

ZONJËZA
Të fundit. (E puth; ajo ia kthen puthjen e rrinë ashtu për një kohë të gjatë.)

DJALOSHI
A t’ju them diçka, Ema? Tani e kuptova se ç’është lumturia.

ZONJËZA
(Zhytet përsëri në kolltuk.)

DJALOSHI
(Ulet te krahu i kolltukut, i vë një krah lehtë rreth qafës.) Më saktë, tani po e kuptoj se çfarë mund të ishte lumturia.

ZONJËZA
(Psherëtin thellë.)

DJALOSHI
(E puth sërish.)

ZONJËZA
Alfred! Alfred! Çfarë po më bëni?!

DJALOSHI
Kjo jo… Është aq e parehatshme këtu… Dhe jemi kaq të sigurt këtu! Është një mijë herë më e bukur se ato takimet në natyrë…

ZONJËZA
Oh, vetëm ato mos m’i kujtoni!

DJALOSHI
Orë e çast do t’i mendoj me kënaqësi të pafundme. Për mua, çdo minutë që më lejohej të kaloja pranë jush është një kujtim i ëmbël.

ZONJËZA
A ju kujtohet balloja e industrialëve?

DJALOSHI
Nëse e mbaj mend…? Gjatë darkës u ula pranë jush, shumë afër jush. Bashkëshorti juaj kishte shampanjë…

ZONJËZA
(E shikon ankueshëm.)

DJALOSHI
Thjesht doja të flisja për shampanjën! Ema, më thoni, nuk dëshironi të pini një gotë konjak?

ZONJËZA
Një pikë, por më parë më jepni një gotë ujë.

DJALOSHI
Po… Po ku qenka… ah po… (Shtyn perdet e rënda dhe hyn në dhomën e gjumit.)

ZONJËZA
(E ndjek me sy.)

DJALOSHI
(Kthehet me një kanë ujë dhe dy gota.)

ZONJËZA
Po ku ishit, de?

DJALOSHI
Në… dhomën ngjitur. (Mbush një gotë ujë.)

ZONJËZA
Tani do t’ju pyes diçka, Alfred… dhe m’u betoni se do më thoni të vërtetën.

DJALOSHI
Betohem!

ZONJËZA
A ka qenë ndonjë grua tjetër në këto dhoma?

DJALOSHI
Moj Ema! Po kjo shtëpi s’përdoret që prej njëzet vjetësh!

ZONJËZA
E dini se çfarë dua të them, Alfred… Me ju! Te ju!

DJALOSHI
Me mua? Këtu? Ema! Nuk është mirë që sillni ndërmend diçka të tillë.

ZONJËZA
Pra, ju keni… si duhet të… Jo, më mirë jo, s’dua t’ju pyes. Është më mirë nëse nuk pyes. E kam vetë fajin. Gjithçka hakmerret.

DJALOSHI
Po, çfarë keni kështu? Ç’është me ju? Çfarë hakmerret?

ZONJËZA
Jo, jo, jo, nuk lejohet të vij në vete… Përndryshe do të më duhej t’ia hapja vetes gropën nga turpi.

DJALOSHI
(Me kanën e ujit në dorë, tund kokën me trishtim.) Ema, ah sikur të mund ta merrnit me mend se sa më lëndoni!

ZONJËZA
(Mbush për vete një gotë konjak.)

DJALOSHI
Dua t’ju them diçka, Ema. Nëse turpëroheni që jeni këtu, nëse nuk ju interesoj më, nëse nuk e ndjeni se për mua jeni tërë lumturia e botës, atëherë më mirë shkoni.

ZONJËZA
Po! Këtë do bëj.

DJALOSHI
(Duke i prekur dorën.) Por nëse do ta merrnit me mend se pa ju nuk mund të jetoj, se një puthje mbi dorën tuaj ka më shumë kuptim se të gjitha përkëdheljet e të gjitha grave të krejt botës… Ema! Nuk jam si të rinjtë e tjerë, që kanë aftësi të përkujdesen për oborrin… Unë ndoshta jam shumë naiv… Unë…

ZONJËZA
Po sikur të jeni edhe ju si të rinjtë e tjerë?

DJALOSHI
Atëherë nuk do të ishit këtu sot, sepse as ju nuk jeni si gratë e tjera.

ZONJËZA
Nga e dini këtë?

DJALOSHI
(E tërheq drejt divanit dhe i ulet pranë.) Kam menduar shumë për ju. E di, nuk jeni e lumtur.

ZONJËZA
(E kënaqur.) Po.

DJALOSHI
Jeta është kaq e zbrazët, kaq e pavlefshme dhe… kaq e shkurtër… sa tmerrësisht e shkurtër! Vetëm një fat ekziston… të gjesh dikë që të do.

ZONJËZA
(Merr një copë dardhë të sheqerosur nga tryeza, e fut në gojë.)

DJALOSHI
Mua! Gjysmën! (Ia ofron te buzët.)

ZONJËZA
(Ia kap duart, që rrezikojnë të rrëshqasin). Çfarë po bëni, Alfred? Ky është premtimi juaj?

DJALOSHI
(Gëlltitet dhe flet më i guximshëm.) Jeta është kaq e shkurtër.

ZONJËZA
(Dobët.) Por, nuk është kjo arsyeja…

DJALOSHI
(Mekanikisht.) Oh, po.

ZONJËZA
(Më me dobësi.) Shikoni, Alfred! Më premtuat… Sjellshëm… Dhe është kaq dritë…

DJALOSHI
Ejani, ejani, o diamant, diamant… (E ngre nga divani rrufeshëm.)

ZONJËZA
Ç’po bëni?

DJALOSHI
Atje brenda nuk ka fare dritë.

ZONJËZA
Është një dhomë tjetër aty?

DJALOSHI
(E tërheq pas vetes.) Një e bukur… dhe tepër e errët.

ZONJËZA
Rrimë më mirë këtu.

DJALOSHI
(Tashmë me të pas perdeve të rënda, në dhomën e gjumit, merret me gishtat në belin e saj.)

ZONJËZA
Qenkeni kaq… O Zot, çfarë më bëni! Alfred!

DJALOSHI
Ju adhuroj, Ema!

ZONJËZA
Prisni pra, prisni të paktën… (Dobët.) Shkoni… do thërras…

DJALOSHI
Më lejoni… Më lejoni… Unë (I merret goja.) …më lejoni… t’ju… t’ju… ndihmoj.

ZONJËZA
Por, po më gris gjithçka.

DJALOSHI
S’paskeni veshur sutiena?

ZONJËZA
S’mbaj kurrë sutiena. As Odilon nuk vesh. Por, ama mund të më zgjidhni këpucët.

DJALOSHI
(Ia zgjidh dhe i puth këmbët.)

ZONJËZA
(Futet në shtrat.) Oh, paskam ftohtë!

DJALOSHI
Për një çast do të ngroheni.

ZONJËZA
(Duke qeshur me zë të ulët.) Vërtet besoni?!

DJALOSHI
(Preket dhe flet me vete.) S’duhej të ma kishit thënë këtë. (Zhvishet në errësirë.)

ZONJËZA
(Ëmbël.) Ejani, ejani, ejani!

DJALOSHI
(Fjalët e risjellin në një gjendje më të mirë.) Një moment…

ZONJËZA
Kundërmoka si erë manushaqe këtu.

DJALOSHI
Është era juaj…

ZONJËZA
Alfred… Alfred!

DJALOSHI:

Ema…

DJALOSHI
Me sa duket, të dua jashtë mase… Po… jam i çmendur pas teje.

ZONJËZA

DJALOSHI
Gjithë këto ditë kam qenë si i çmendur. E paraprisja!

ZONJËZA
Mos e vrit mendjen për këtë.

DJALOSHI
Oh, sigurisht që jo. Është më se e kuptueshme, nëse…

ZONJËZA
Mos… mos… U bëre nervoz! Qetësohu…

DJALOSHI
A e njeh Stendalin?

ZONJËZA
Stendal?

DJALOSHI
‘Psychologie de l’amour’.

ZONJËZA
Jo, pse po më pyet?

DJALOSHI
Në të përshkruhet një histori shumë karakteristike.

ZONJËZA
Çfarë lloj historie?

DJALOSHI
Është një shoqëri e tërë e oficerëve të kalorësisë…

ZONJËZA
Aha!

DJALOSHI
Ata rrëfejnë për aventurat e tyre të dashurisë. Dhe secili raporton se me gruan që e donte më shumë, kupton, e dëshironte me shumë pasion… se ajo… që ai asaj… me pak fjalë, që secili me këtë grua, ka ndjerë të njëjtën që po ndjej për ty.

ZONJËZA
Po.

DJALOSHI
Kjo është shumë karakteristike.

ZONJËZA
Po.

DJALOSHI
Ende s’ka mbaruar. Një nga ta pretendon se… nuk i ka ndodhur kurrë gjatë gjithë jetës, por, shton Stendal… ai ishte një mburravec famëkeq.

ZONJËZA
Vërtet.

DJALOSHI
E megjithatë të prish qejfin, këtu qëndron problemi? Është e parëndësishme se sa është e vërtetë.

ZONJËZA
Natyrisht. Por, diçka tjetër tani, të kujtohet… më premtove se do silleshe mirë.

DJALOSHI
Eja tani, mos qesh, s’është kjo rrugëzgjidhja.

ZONJËZA
Por jo, more, nuk po qesh. Historia e Stendalit është me të vërtetë interesante. Gjithmonë kam menduar se vetëm te njerëzit e moshuar… ose tek ata që më shumë… më kupton, njerëz, që kanë përjetuar shumë…

DJALOSHI
E ç’thua kështu? Nuk ka asnjë lidhje me këtë. Meqë ra fjala, edhe historinë më magjepse të Stendal e harrova. Është një nga oficerët e kalorësisë, i cili tregon se kaloi tri net… madje edhe gjashtë… s’më kujtohet më, me gruan që e dëshironte për javë të tëra… dëshirë… E kupton? Dhe për gjithë ato net s’bënë gjë tjetër përveçse qanë nga lumturia… të dy.

ZONJËZA
Të dy?

DJALOSHI
Po. Të habit? Më duket kaq e kuptueshme, veçanërisht kur dashurohesh.

ZONJËZA
Por sigurisht që ka edhe shumë nga ata që nuk derdhin lot.

DJALOSHI
(Nervoz.) Sigurisht… është edhe një rast i jashtëzakonshëm.

ZONJËZA
Ah! Mendova se Stendal thoshte që të gjithë oficerët e kalorësisë qajnë në këto raste.

DJALOSHI
E sheh? Tani po tallesh.

ZONJËZA
Ç’të thotë mendja! Mos bëj si fëmijë, Alfred!

DJALOSHI
E po edhe të nervozon… Por një ndjenjë më thotë se orë e çast ty aty të rri mendja. Kjo më vë në pozitë edhe më shumë.

ZONJËZA
Absolutisht që jo! Nuk e kam mendjen aty.

DJALOSHI
Oh po! Vetëm sikur të isha i bindur që më dashuron.

ZONJËZA
Kërkon më shumë dëshmi?

DJALOSHI
E sheh tani? Vazhdon të tallesh.

ZONJËZA
Po pse, more? Eja, ma jep kokëzën e ëmbël.

DJALOSHI
Oh, sa mirë më ardhka.

ZONJËZA
Më do?

DJALOSHI
Oh, sa i lumtur që jam.

ZONJËZA
Por, edhe… s’ke pse qan ama.

DJALOSHI
(Duke iu larguar, tejet i irrituar.) Sërish, sërish! Por unë sa t’u luta…

ZONJËZA
Kur të them që s’ke pse qan…

DJALOSHI
Ti the: edhe të qash!

ZONJËZA
U nervozove, shpirti im.

DJALOSHI
Ti e di!

ZONJËZA
Por, nuk ke pse. Madje më pëlqen që… që ne, të themi, si shokë të mirë…

DJALOSHI
Fillove prapë?!

ZONJËZA
Ah, nuk e mban mend! Kjo ishte një nga bisedat tona të para. Dëshironim të ishim shokë të mirë, asgjë më shumë. Oh, sa bukur ishte… Ndodhi tek ime motër, në janar, në mbrëmjen e madhe të vallëzimit, gjatë Quadrille*… O zot, duhet të kisha ikur prej kohësh… po më pret motra… çfarë t’i them… Lamtumirë, Alfred!

DJALOSHI
Ema! Kështu do të më lësh?!

ZONJËZA
Po! Kështu!

DJALOSHI
Edhe pesë minuta…

ZONJËZA
Mirë. Edhe pesë minuta. Por do më premtosh që s’do lëvizësh nga vendi? Po??? Dua të të jap një puthje për lamtumirë… shttt… rri i qetë… mos lëviz, të thashë, përndryshe do ngrihem, oh i ëmbli im… i ëmbli…

DJALOSHI

Ema… e adhuruara… ime…

ZONJËZA
Alfredi im!

DJALOSHI
Ah, me ty është parajsa.

ZONJËZA
Tani më duhet të largohem vërtet.

DJALOSHI
Oh, lëre motrën të presë.

ZONJËZA
Duhet të shkoj në shtëpi. Për motrën u bë tepër vonë. Sa vajti ora?

DJALOSHI
Po, si të ta gjej orën?

ZONJËZA
Thjesht, shiko sahatin.

DJALOSHI
Orën e kam në jelek.

ZONJËZA
Atëherë, shko e merre!

DJALOSHI
(Hidhet me një lëvizje të fuqishme.) Tetë.

ZONJËZA
(Ngrihet nxitimthi.) Për hir të Zotit… Shpejt, Alfred, më jep çorapet. Çfarë të të them? Në shtëpi, me siguri që më presin… tetë ora…

DJALOSHI
Kur do të të shoh prapë?

ZONJËZA
Kurrë.

DJALOSHI
Ema! Nuk më do më?

ZONJËZA
Po pra, për këtë arsye. M’i jep këpucët.

DJALOSHI
Kurrë më? Ja ku i ke këpucët.

ZONJËZA
Në çantën time të dorës është një aparat për lidhjen e këpucëve. Të lutem, shpejt…

DJALOSHI
Ja ku e ke aparatin.

ZONJËZA
Alfred, kjo mund të na kushtojë të dyve kokën.

DJALOSHI
(Jashtëzakonisht i prekur.) Pse?

ZONJËZA
Po çfarë t’i them nëse më pyet: “Nga po vjen?”.

DJALOSHI
Nga motra.

ZONJËZA
Nëse do mundesha të gënjeja, mirë do të ishte.

DJALOSHI
Epo je e detyruar ta bësh.

ZONJËZA
Gjithçka vetëm për një person të tillë. Oh, eja këtu… më lër të të puth edhe një herë. (E përqafon.) Dhe tani… më lër, shko në dhomën tjetër. S‘mund të vishem kur je pranë meje.

DJALOSHI
(Shkon në sallon, ku vishet. Ha diçka nga furra, pi një gotë konjak.)

ZONJËZA
(Thërret pas pak.) Alfred!

DJALOSHI
Shpirti im.

ZONJËZA
Bëmë mirë që nuk qamë.

DJALOSHI
(Duke buzëqeshur me krenari.) Si mund të flitet kaq pa problem kështu?

ZONJËZA
Si do të veprojmë nëse takohemi rastësisht përsëri në shoqëri?

DJALOSHI
Rastësisht… një herë… Me siguri që do të jetë nesër në shtëpinë e Lobhajmerit?

ZONJËZA
Po. Edhe ti?

DJALOSHI
Sigurisht. Mund të vallëzojmë kotillon ?

ZONJËZA
Oh, nuk do të shkoj. Ç’kujton ti? Do të më… (Hyn në sallon e veshur plotësisht, merr një çokollatë.) përpinte dheu.

DJALOSHI
Atëherë, nesër te Lobheimeri, oh, ç’mrekulli.

ZONJËZA
Jo, jo… do ta anuloj; padyshim!

DJALOSHI
Atëherë, pasnesër… këtu.

ZONJËZA
Ç’flet more?

DJALOSHI
Në gjashtë…

ZONJËZA
Ka makina këtu në cep, apo jo?

DJALOSHI
Po, sa të duash. Atëherë, pasnesër këtu në gjashtë. Më thuaj po, shpirti im i dashur.

ZONJËZA
Do ta bisedojmë nesër kur të vallëzojmë kotillon.

DJALOSHI
(E përqafon.) Engjëlli im.

ZONJËZA
Mos m’i prish prapë flokët.

DJALOSHI
Atëherë, nesër te Lobheimeri dhe pasnesër në krahët e mi.

ZONJËZA
Lamtumirë…

DJALOSHI
(Papritmas i shqetësuar.) Çfarë do t’i thuash sot atij?

ZONJËZA
Mos më pyet… mos më pyet… është e tmerrshme. Pse të dua kaq shumë!? Lamtumirë! Po u shkëmbeva përsëri me njerëz te shkallët do më bjerë pika. Uf!

DJALOSHI
(I puth edhe një herë dorën.)

ZONJËZA
(Largohet.)

DJALOSHI
(Mbetur vetëm tani, ulet në divan. Buzëqesh dhe i thotë vetes.) Tani kam një marrëdhënie me një grua të ndershme.

Të tjera nga ky autor: