Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 15 janar

15 janar. Lindën: Jeanne d’Arc (15 janar 1412– 30 maj 1431), heroinë kombëtare e Francës, e adhuruar nga si shenjtore nga Kisha katolike, e njohur me emrin “Vajza e Orleanit”; Jean-Baptiste Poquelin Molier (15 janar 1622 – 17 shkurt 1673), komediograf francez; Franz Grillparzer (15 janar 1791 – 21 janar 1872), shkrimtar e dramaturg austriak; Alexander Griboyedov (15 janar 1795 – 11 shkurt 1829), diplomat, dramaturg, poet e kompozitor rus; Pierre-Joseph Proudhon (15 janar 1809 – 19 janar 1865), politikan e filozof francez; Mihail Eminescu (15 janar 1850 – 15 qershor 1889), poet rumun, një ndër më ndikuesit e kohës së tij; Nâzım Hikmet (15 janar 1902 – 3 qershor 1963), poet, dramaturg, shkrimtar, skenarist e memuarist turk; Edward Teller (15 janar 1908 – 9 shtator 2003), fizikan teorik hungaro-amerikan, i cili njihet si “babai i bombës me hidrogjen”; Martin Luther King Jr. (15 janar 1929 – 4 prill 1968), pastor protestant, politikan e aktivist amerikan, lider i lëvizjes për të drejtat e afroamerikanëve, Nobel më 1964; Osip Mandelstam (15 janar 1891 – 27 dhjetor 1938), një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit XX, viktimë e dhunës staliniste.

Jeanne d’Arc (15 janar 1412– 30 maj 1431):
“Jeta është gjithë çfarë kemi dhe ne duhet ta jetojmë ashtu siç dëshirojmë. Ama të sakrifikosh gjithçka që je dhe të jetosh pa besimin, ky është fat më i tmerrshëm se sa vetë vdekja.”
“Vepro ti, e mandej dhe Zoti do të veprojë.”
“Në lidhje me dashurinë apo urrejtjen që Zoti mund të ketë ndaj anglezëve, nuk di asgjë, por di se të gjithë do të dëbohen nga Franca, përveç atyre që do të vdesin këtu.”

Jean-Baptiste Poquelin Molier (15 janar 1622 – 17 shkurt 1673):
“Të shkruash është njëlloj si të prostituosh. Në fillim e bën për hir të dashurisë, pastaj e bën për hir të miqve të ngushtë, ndërsa më pas përfundon duke e bërë për parà.”
“Nëse e ndrysh me tepri dhimbjen brenda vetes, ajo do të dyfishohet”
“Nuk jemi përgjegjës vetëm për atë që bëjmë, por edhe për atë që nuk bëjmë.”
“Detyra e komedisë është t’i përmirësojë njerëzit duke i dëfryer ata.”
“Sa më e madhe të jetë pengesa që hasni, aq më e madhe është edhe lavdia e kapërcimit të saj.”
“Më shumë pëlqej një ves të këndshëm sesa një virtyt të mërzitshëm.”

Franz Grillparzer (15 janar 1791 – 21 janar 1872):
“Artisti gjenial dallohet nga artisti i talentuar jo se ka më shumë mendime origjinale, por sepse ka aftësinë t’i rendisë mendimet në mënyrën e duhur dhe t’i bëjë pjellore. Me fjalë të tjera, gjeniu i integron mendimet e tij në një strukturë të vetme, ndërsa i talentuari prodhon vetëm fragmente, pavarësisht faktit se ato fragmente mund të jenë shumë të bukura në vetvete.”
“Të përpiqesh të fshehësh krimin është njëlloj si të varrosësh farën në tokë.”
“Njerëzit gjaknxehtë kanë më shumë gjasa të bëhen apatikë në situata të rrezikshme.”
“Lulet hijshme të pafajësisë janë më të çmuara se dafinat që përbëjnë kurorën e famës.”
“Njeriu që ndryshon vazhdimisht, më fut frikën. Njoh vetëm një kafshë që mund ta bëjë këtë, duke ndryshuar lëkurën: gjarpri.”
“Të rinjtë jetojnë në të ardhmen. Të rriturit jetojnë në të shkuarën. Askush nuk di të jetojë siç duhet në të sotmen.”
Gjenialiteti i papërpunuar i ngjan një rrezeje drite, ama urtësia është si dielli.”

Alexander Griboyedov (15 janar 1795 – 11 shkurt 1829):
“Mund ta kesh të re shtëpinë, por paragjykimet vazhdon t’i kesh të vjetra.”

Pierre-Joseph Proudhon (15 janar 1809 – 19 janar 1865):
“Kur bëmat flasin, fjalët nuk kanë vlerë.”
“Të mëdhenjtë na duken të mëdhenj ngaqë ne rrimë në gjunjë. Atëherë, le të ngrihemi në këmbë!”
“Sikundër individi kërkon drejtësinë nëpërmjet barazisë, ashtu edhe shoqëria e kërkon rendin nëpërmjet anarkisë.”

Mihail Eminescu (15 janar 1850 – 15 qershor 1889):
“Njeriu mund të ketë gjithçka pa pasur asgjë, sikundër mund të mos ketë asgjë duke pasur gjithçka.”
“Njerëzit ndahen në dy kategori: ata që kërkojnë tërë jetën dhe nuk gjejnë gjë; ata që gjejnë, por vazhdojnë të janë të kënaqur.”
“Çdo qenie njerëzore është një pyetje e përsëritur, që i drejtohet shpirtit të Universit.”

Nâzım Hikmet (15 janar 1902 – 3 qershor 1963):
“Sido e kudo që të jemi, duhet të jetojmë sikur nuk do të vdesim kurrë.”
“Ndarja nuk është kohë apo distancë, por urë, një urë më e hollë se filli i mëndafshit, më e mprehtë se tehu i një shpate.”
“Të jetuarit nuk është diçka për të qeshur: duhet të jetosh me shumë seriozitet, me seriozitetin e një ketri, për shembull. Pra, të jetosh pa kërkuar diçka që gjendet përtej jetës e përmbi jetën. Të jetuarit duhet të jetë synimi yt vetëm.”

Edward Teller (15 janar 1908 – 9 shtator 2003):
“Nëse nuk do të kisha punuar për bombën me hidrogjen, do të shfaqej një kërcënim i vërtetë dhe të gjithë do të fillonim të flisnim rusisht. Nuk ndjej asnjë pendesë.”
“Në çastin kur ndjehesh i bindur se askush nuk mund të të mashtrojë, pikërisht atëherë bëhesh krejt i kollajshëm për t’u mashtruar.”
“Duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me kontradiktat, sepse ato na mundësojnë një aftësi të kuptuari më të thellë e më të frytshme.”

Martin Luther King Jr. (15 janar 1929 – 4 prill 1968):
“Një ditë frika trokiti në derë. Guximi u ngrit dhe hapi derën, por aty nuk pa askënd.”
“Nuk kam frikë nga ligësia e të këqijve, por nga heshtja e të ndershmëve.”
“Për sa kohë që nuk ka gjetur një arsye për të cilën ia vlen ta flijojë jetën, njeriu nuk ka filluar ende të jetojë.

Osip Mandelstam (15 janar 1891 – 27 dhjetor 1938):
“Poezia është parmenda që plugon kohën, duke bërë që shtresat e saj të pafundme, toka e saj e zezë, të dalin në sipërfaqe.”
“Ndoshta pëshpërima ime kish lindur para buzëve të mia.”
“Logjika është mbretëria e së papriturës: të mendosh në mënyrë logjike do të thotë të mahnitesh në mënyrë të vazhdueshme.”
“E dua tokën time të gjorë, sepse është e vetmja që kam parë.”
“Vetëm në Rusi respektohet poezia. Këtu edhe mund të vdiset për të.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

error: Content is protected !!