Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 14 janar

14 janar. Lindën: Marcus Antonius (14 janar 83 PK– 1 gusht 30 PK), politikan dhe gjeneral romak; Isaac da Costa (14 janar 1798 – 28 prill 1860), poet holandez me origjinë hebre; Berthe Morisot (14 janar 1841 – 2 mars 1895), piktore impresioniste franceze; Wilhelm von Polenz (14 janar 1861 – 13 nëntor 1903), romancier e tregimtar gjerman; Albert Schweitzer (14 janar 1875 – 4 shtator 1965), dijetar, teolog, shkrimtar, humanist, filozof e mjek gjermano-francez; Anatoly Rybakov (14 janar 1911 – 23 dhjetor 1998), shkrimtar ukrainas; Giulio Andreotti (14 janar 1919 – 6 maj 2013), politikan, gazetar e shkrimtar italian, një ndër drejtuesit kryesorë të Demokracisë Kristiane, parti e cila në pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shek. XX ishte protagoniste në skenën politike italiane; Yukio Mishima (14 janar 1925 – 25 nëntor 1970), poet, dramaturg e aktor japonez; Faye Dunaway (14 janar 1941), aktore, regjisore, skenariste dhe producente amerikane e filmit.

Marcus Antonius (14 janar 83 PK– 1 gusht 30 PK):
“Karakteri i njeriut është i ngjashëm me mendimet e tij, sepse janë mendimet ato që ia ngjyrosin shpirtin.”

Isaac da Costa (14 janar 1798 – 28 prill 1860):
“Loti që pikon nga sytë tanë për shkak të dashurisë, miqësisë, haresë e dhimbjes është përkthyesi më i vërtetë i gjuhës së zemrës.”

Berthe Morisot (14 janar 1841 – 2 mars 1895):
“Dashuria për natyrën është formë ngushëllimi ndaj dështimit.”

Wilhelm von Polenz (14 janar 1861 – 13 nëntor 1903):
“Mënyra se si njeriu e shfrytëzon fatin e tij është më e rëndësishme se vetë fati.”
“Sado të rënda qofshin imoraliteti e ligësia nuk duhet të harrojmë se prapëseprapë ato kanë edhe rrjedhoja pozitive. Vetëm nëpërmjet gjendjeve ekstreme mund t’ia dalim mbanë të hyjmë në udhën e dijes e të virtytit.”
“E vetmja gjë që do të marrim me vete është ajo çfarë kemi farkëtuar përgjatë jetës në karakterin tonë.”

Albert Schweitzer (14 janar 1875 – 4 shtator 1965):
“Ngado që të kthesh kokën do ta gjesh gjithmonë dikë që ka nevojë për ty.”
“Tashmë njeriu e ka humbur aftësinë për të parashikuar e parandaluar, dhe si rrjedhojë do ta shkatërrojë tokën.”
“Vërtet që jeta bëhet më e vështirë kur jetojmë për të tjerët, por në të njëjtën kohë bëhet më e pasur dhe më e lumtur.”
“Nuk është suksesi çelësi i lumturisë, por është lumturia çelësi i suksesit. Nëse e do atë që bën, do të jesh medoemos i suksesshëm.”
“Di vetëm një gjë: të vetmit njerëz vërtet të lumtur do të jenë ata që synojnë dhe arrijnë të vihen në shërbim të njerëzve në nevojë.”

Anatoly Rybakov (14 janar 1911 – 23 dhjetor 1998):
“Vdekja është ajo që i zgjidh të gjitha problemet: s’ka njerëz, s’ka probleme.”
“Tirani dinak e miklon popullin me fjalë, ndërkohë qe e shkatërron me bëma.”
“Njeriu mund të besojë ose mund të mos besojë në Zot; mund ta ruajë besimin, sikundër dhe mund ta humbasë atë, po për besimtarin e vërtetë ekziston vetëm një Zot, dhe është Zoti që ai ka në zemrën e tij.”
“Revolucionet i fillojnë idealistët, por i përfundojnë maskarenjtë, të cilët shkatërrojnë idealistët.”

Giulio Andreotti (14 janar 1919 – 6 maj 2013):
“Të mendosh për të këqijat e të tjerëve është mëkat, por ama mund të arrish t’i zbulosh ato.”
“Pushteti sfilit atë që nuk e ka.”
“Nuk mjafton të kesh të drejtë: duhet të shfaqet edhe dikush tjetër, që të dëshmojë se ke të drejtë.”
“Ligësia e njerëzve të mirë është shumë e rrezikshme.”

Yukio Mishima (14 janar 1925 – 25 nëntor 1970):
“Dëlirësia e përkryer bëhet e mundur vetëm nëse arrin ta shndërrosh jetën tënde në një varg poezie të shkruar me një vrushkull gjaku.”

Faye Dunaway (14 janar 1941):
“Frika është thjesht një prangë për shpirtin tënd.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi