Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 13 janar

13 janar, lindën: George Ivanovich Gurdjieff (13 janar 1866 – 29 tetor 1942), mistik, udhëheqës spiritual, filozof e kompozitor armen; Paul Karl Feyerabend (13 janar 1924 – 11 shkurt 1994), filozof amerikan me origjinë austriake; Frank Edward Peretti (13 janar 1951), shkrimtar amerikan; Jay McInerney (13 janar 1955), romancier, skenarist dhe editorialist amerikan; Bill Bailey (13 janar 1965), aktor, komedian, muzikant dhe këngëtar anglez; Orlando Bloom (13 janar 1977), aktor anglez.

George Ivanovich Gurdjieff (13 janar 1866 – 29 tetor 1942):
“Njeriu e ka mundësinë e të ekzistuarit edhe pas vdekjes Por mundësia dhe realizimi i mundësisë janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.”
“Të dish do të thotë të dish çdo gjë. Nëse nuk di çdo gjë, kjo do të thotë se nuk di. Që të dish çdo gjë, duhet që më së pari të dish pak. Ama, të dish pak do të thotë që në fillim fare të dish mjaftueshëm.”
“Njeriu mund të lindë, po për të lindur i duhet të vdesë. Si rrjedhojë, që të vdesë, më së pari duhet të zgjohet.”
“Një ndër gabimet më të rënda të njeriut, gabim i cili duhet vënë në dukje, është iluzioni që ai ka në lidhje me unin e tij”.
“Nëse nuk arrin të njohë veten, nëse nuk arrin të kuptojë si funksionon makineria e tij, njeriu s’mund të jetë kurrsesi i lirë, por do të vazhdojë të mbetet skllav përgjithmonë.”
“Duhet të dish të marrësh kur nuk të japin, madje edhe të vjedhësh nëse është e domosdoshme, por kurrë mos rri në pritje që dikush të vijë e të të japë diçka.”
“Ndihmo vetëm atë që nuk është përtac.”

Paul Karl Feyerabend (13 janar 1924 – 11 shkurt 1994):
“E vetmja e vërtetë absolute është se nuk ekzistojnë të vërteta absolute.”
“I vetmi parim që nuk e pengon universin është: gjithçka kalon”.
“Të gjitha religjionet janë të mira në rrafshin parimor, por fatkeqësisht, kjo e Mirë abstrakte, rrallëherë i ka penguar praktikantët e saj, që të mos sillen si bastardë”
“Shkencat njerëzore duhet t’u përshtaten kërkesave për një jetë të ekuilibruar e të dobishme.”

Frank Edward Peretti (13 janar 1951):
“Je në kërkim të një prove që Zoti ekziston? Dil jashtë dhe kundro një perëndim dielli.”
“Një e vërtetë që shoqëria nuk duhet ta shpërfillë dhe që përbën shenjtërinë e jetës njerëzore, është dinjiteti i çdo individi. ”
“Nuk ke pse përpiqesh të bëhesh i përkryer, por thjesht mos resht së përmirësuari.”

Jay McInerney (13 janar 1955):
“Mendoj se burrat u japin muhabet grave me qëllim që t’i çojnë në shtrat, ndërsa gratë shkojnë në shtrat me burrat me qëllim që të mund të bëjnë muhabet me ta.”

Bill Bailey (13 janar 1965):
“Kënaqësi është të dish se ke të drejtë. Lumturi është të dish se dikush tjetër e ka gabim.”
“Mos i zgërlaq lulet e dijes me këpucët tërë gozhda të cinizmit.”

Orlando Bloom (13 janar 1977):
“Disa njerëz hyjnë në jetën tënde, disa të tjerë dalin. Ti thjesht duhet të besosh se jeta ka përvijuar një rrugë të caktuar për ty.”
“Duhet ta përdorim mirë kohën që kemi. Kaq e thjeshtë është. Duhet të zgjohemi çdo mëngjes me idenë se dita që na pret nuk është një ditë e dosidoshme.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

error: Content is protected !!