Press "Enter" to skip to content

Poezi

Të kujtohet?

Të kujtohet nënë, darka e fundit?
Baba, a të kujtohet?
Qe “Festa” e dhimbjes, atë natë vere,
ndarja trokiste si gëzhojë plumbi.

Trokitëm gotat jashtë gjer vonë,
a thua malli kish ardhur pa u nisur,
biletat e anijes fshehur si ikonë,
vajza e vogël për të mos i grisur.

Sa lot derdhem, ju kujtohet,
kur ndarja na plagosi zemrën?
Një dorë lamtumire mbesa ju tundi,
kur anija si piskamë lëshoi sirenën.

Të kujtohet deti atë natë, nënë?
Baba, a të kujtohet?
I errët qe, s’pati as dallgë,
por yjet bashkë me ne, në mërgim erdhën…

Nuk jam këtu…

Nuk jam këtu… vij nga një legjendë e lashtë
Sa KOHA…
A nga një përrallë…
Kam jetuar dje dhe sot jam ende gjallë…

∗∗∗
Asgjë nuk është e imja, të gjitha m’i kanë falur
Deri dhe mendimet, trashëgimi i paskam pasur.
Vij nga Eva e Adami, dashur, padashur…

∗∗∗
Nuk jam këtu, çasti im bëhet dje
Sapo kthej kokën, nuk ka të tashme
Vetëm rrathë shtohen në trungun e kozmosit
Unë jam dje, ne jemi dje, ata do të jenë dje…

∗∗∗
Carpe diem…
Po si ta kap legjendën?
Ajo më ikën, bashkë me Jetën
Me minutat, me ditën, me Kohën.

E Koha nuk blihet, vetëm shitet… eh,
As na shitet, jepet vetëm me qira!
Në përdorim… me kontratë,
Me çmimin Jetë… ku ti s’je pronar!

Dhe ti firmos dhe ti i përulesh si Zotit
I falesh përditë, si Krishtit
Që je gjallë…
E si qiraxhi i devotshëm, kujdesesh për shtëpinë e tjetrit
Zonjës KOHË!
Ku pronari s’qenka as Zoti, as Krishti
Bashkëpronarë qenkan legjendat…

Filantrope kjo Zonjë e florinjtë
Me gjithë jetët tona bën historinë
Bën legjendat me shpirtrat tanë.

∗∗∗
Ne jemi dje,
E ardhmja nuk ekziston
Si Sizifi vrapojmë drejt tatëpjetës
Thikë, për të ngritur sërish shkëmbin
Atë mallkim e atë gëzim të Jetës.

∗∗∗
Fantazmat po,
I shohim në ëndrra
Mjaft të mbyllësh sytë dhe gjendesh në tjetër realitet
Që të flet, që e sheh, por nuk vdes,
Sepse… atje ti je Promete!

∗∗∗
Nuk jam këtu pra! …Vij nga një legjendë e lashtë
Sa Jeta…
Sa Koha…
Vij nga një përrallë…
Kam jetuar dje dhe sot jam ende gjallë…

error: Content is protected !!