Unë jam nëna jote o foshnjë-femër e porsalindur, që të pritën me vetulla të ngrysura që në çastin kur erdhe në jetë. Po, u ngrysën në fytyrë thjesht sepse ishe femër dhe femra, në traditat tona, është e mangët. Hajde hyr në zemrën time, e porsalindura ime, përsosmëria jote vetëm aty manifestohet qartë.
Unë jam nëna jote o bir, që u rrahe nga babai vetëm për shkakun se qave. Të rrahu sepse djemtë nuk qajnë në kulturën tonë. Tek ne, djemtë ose luftojnë, ose ëndërrojnë të luftojnë. Hyr në zemrën time bir dhe vaditi burimet e saj me lot.
Unë jam nëna jote o bijë, që të martuan që në moshën kur luaje para shtëpisë. Të martuan, sepse të shihnin si barrë që duheshe hequr sa më shpejt, si të ishe një objekt që blihet e shitet në tregun e skllevërve.
Unë jam nëna jote o bijë, që të dhunuan pafajësinë. Të përdhunoi bisha dhe pastaj të ktheu shpinën, vajti të propagandojë virtytin dhe moralin. Të përdhunoi ai që duhej të të mbronte.
Unë jam nëna jote o bijë e privuar nga dhembshuria e nënës dhe dashuria e babait. Ti kurrë nuk munde t’ia shprehësh mendimet dhe emocionet e tua familjes. Unë e di që e shihje jetën si një provim të rëndë dhe të vazhdueshëm, ku dështoje vazhdimisht.
Unë jam nëna jote o bir, që ke nisur të punosh sapo mbushe dhjetë vjeç. I dashuri im, fëmijërisë i ke njohur vetëm emrin, sepse ta vodhën kundrejt dollarit, duke të lënë krejt vetëm të pastrosh xhamat e makinave.
Unë jam nëna jote o bijë, që të ndaluan të vazhdosh shkollën. Të privuan nga arsimi, sepse e kishin paracaktuar rolin tënd në jetë, të shihnin vetëm si një mjet lindjeje, një makinë pastrimi, objekt shkarkimi seksual dhe një kuzhinë gatimi.
Unë jam nëna jote o bir adoleshent, që të përbuzin se ke filluar të rebelohesh.
Unë jam nëna jote o motër, që të vranë në emër të nderit, të hoqën qafe sepse aq mundën, të vranë sepse janë kriminelë, pa nder dhe burracakë.
Unë jam nëna jote o bir, që ke dalë në jetë, ty të vodhën zërin, ëndrrat dhe pasionin. T’i rrëmbyen sepse jeton në një shtet që mbron veçse xhepat e pushtetarëve dhe e konsideron popullin si tufë, o bir.
Unë jam nëna jote o grua, që ofendohet, tradhtohet, rrihet… Të fyen, të tradhton, të rreh, sepse ti je thjesht një brinjë dhe mundet të të zëvendësojë sa herë mundet.
Unë jam nëna jote o burrë, që të edukuan me urrejtje në vend të dashurisë, me refuzim në vend të pranimit, me ekstremizëm në vend të vetëdijes, me maskilizëm në vend të humanizmit. Ti rezistove dhe u bëre njeri, përkundrejt vullnetit të tyre. Unë jam krenare me ty miku im!
Unë jam nëna jote o nënë e privuar nga fëmijët pas divorcit. Unë jam nëna jote o nënë e degraduar pas divorcit. U privove dhe u degradove, sepse feja jote patriarkale të është vënë kundër, vetë shteti të është vënë kundër, madje edhe familja jote.
Unë jam nëna jote o baba i thyer dhe i shtypur, sepse, sado je lodhur e dërrmuar, njërin nga fëmijët e tu do ta zërë gjumi të uritur sonte. Ti bën tri punë të ndryshme, pa mundur t’ua largosh fëmijëve të tu zullumet e kësaj jete.
Unë jam nëna e të gjithëve ju. Po, jam nëna e secilit prej jush, një nga një. Jam nëna e çdo ahu që psherëtin dhe kumbon si bombë brenda shpirtit tim.
Përktheu: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- Poezi
- Zemërohu!
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Nizar KABAN: Kaposhi delenxhi