Me librin e parë të Durim Taçit, “Extra time” – të parë për mua si lexuese, por jo për krijimtarinë e autorit – u njoha nga përshkrimi i një shkrimtari. Shkrimtari në fjalë nuk vlerëson lehtë, ndaj “ka shkruar një libër të shkëlqyer” më ngjalli kureshtje. Ishte e vërtetë: një libër i fortë, trazues, sa personal, aq edhe gjithëpërfshirës. E them këtë të fundit, sepse, paçka se trajtohet një histori mjaft personale e autorit, ai arrin të sjellë edhe një panoramë të tërë të Shqipërisë shtrirë në disa vite dhe një galeri personazhesh reale, disa prej të cilëve njihen publikisht, po mua më rrinin ngrohtë, sepse i njihja edhe në jetën private.
Libri “Extra time” është nga ata që të shkund qenien nisur prej pikës ku koka lidhet me shtyllën kurrizore e në fund boshllëkun ta lë në stomak. Vite më parë kam shkruar se si do të doja ta çlexoja librin “Rruga” të McCormac; se si doja që të mos i përjetoja ndjesitë që kalonin përmes atij njeriu, as duke i imagjinuar, se në vetë të parë lutem që Zoti të ma kursejë këtë sprovë. Të njëjtën gropë më la edhe libri i Taçit, vetëm se “Extra time” nuk është një libër distopik; bota ku ai luhatet është bota ku jetojmë, janë dekadat e jetës sonë, që autori i shtrin mes Shqipërisë, Italisë, pak edhe Francës. Veçse ka një dallim të madh me McCormac, që vetë autori ma kujtoi në një promovim libri: “Babai i McCormac shkoi vetë.”
“Extra time” është një roman që ta copëton zemrën pikërisht atëherë kur nuk e pret, ashtu si jeta, në fakt. Dhe tamam si kjo e fundit, autori kthehet në faqet në vijim të librit me histori të tjera për të treguar me humor e me gjallëri, paçka se kujtimi i tij më i dhimbshëm nxjerr krye herë pas here në të përditshmen. Ajo që provon kur kalon nga faqja në faqe është sinqeriteti ndaj vetes, ndaj përjetimeve personale, ndaj të papërkryerës që na karakterizon si qenie dhe për të shkruar të gjitha këto duhet guxim i madh.
Nuk mund të kalohet pa përmendur edhe stili. Është e pazakontë se si autori arrin të ndërthurë disa linja veprimi njëkohësisht, pa ta humbur vëmendjen dhe kureshtjen për vijimësinë e secilës. Kaq mirë është gërshetuar kjo, sa në një pikë të caktuar të librit, ndërsa lexon, fillon të ndiesh nevojën për të ditur diçka më shumë se si do të shkojë linja tjetër. Dhe autori nuk të mundon, po shumë shpejt të ushqen me kafshatën e secilës prej tyre. Si një melodi ku herë bëhet solist flauti, herë dëgjohet më qartë një picikato harqesh, herë mbizotëron pianoja e, megjithatë, mbetet e gjitha një simfoni e shkëlqyer tingujsh që dridhen njëzë.
Doja ta hidhja në letër këtë shkrim që kur mbylla së lexuari librin e parë të Durim Taçit, po duke qenë një libër me tematikë personale, i shkruar vetëm brenda pak ditësh, vendosa të lexoja diçka më shumë për ta pjekur mendimin mbi punët e këtij autori.
Kështu që libri i dytë ishte “Një prani në ikje”, shkruar gjatë kohës së pandemisë, që autori do ta jetonte në një prej zonave më të nxehta të Italisë, në Lombardi. Sado që edhe te libri i dytë kemi përdorimin e vetës së dytë, pikëvështrimi i autorit është qartazi më i distancuar emocionalisht nga i pari. Këtu ngjarjet janë të pazakonta, por rrethanat edhe më të pazakonta të pllakosjes së pandemisë në mbarë botën, të mbylljes së kufijve dhe vendosjes së karantinave nga shteti në shtet, me një efekt domino, i kthen ngjarjet që fillimisht dukeshin të pazakonta në fare të zakonshme dhe ato e humbin krejt përmasën e tyre fantastike. Arturi i dalë nga burgu, “burgosja” e autorit në shtëpinë e vet, përndjekja e Martës, rrugëtimi nëpër një botë që po mbyllet, duken si ndodhi kalimtare fare të lehta krahasuar me pamundësinë e njerëzve për t’u takuar e për të ndenjur me ata që duan më shumë, për shkak të një rrethane madhore, sa të panjohur, aq edhe të pakontrollueshme.
Në një roman me surpriza, ku jeta e vdekja ruajnë të papritura, ku njerëzit tjetërsohen, ku kujtimet e një bote të lirë e pa kufij rijetohen në një botë ku kufijtë po ngrihen më fort se kurrë, autori zhvillon sërish stilin e tij të disa linjave të ndërthurura, këtë herë edhe më shkathët se në romanin e parë, duke i shtuar dinamikën dhe dëshirën për të shkuar sa më parë drejt zbulimit të faqeve të fundit.
“Extra time” dhe “Një prani në ikje” janë dy romane sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm. I bashkon rrëfimi e stili, por i ndajnë ngjarjet e ngjyrat, duke shpërfaqur nuancat që mund të ketë një autor, i cili mbetet prodhuesi i pashmangshëm i gjithë pikave të tyre të takimit e të ndasive. Dy romane vërtet për t’i jetuar e shijuar një pas një.
Të tjera nga ky autor:
- “Të dua!”, nga Xhovani
- “Një prani në ikje” botohet edhe në italisht: fragment nga libri në shqip
- Durim TAÇI: Nga një derë tjetër
- Durim TAÇI: Kali i kuq i Tare Çelës
- Durim TAÇI: Të vësh një emër (“Extra Time”)
- Durim TAÇI: Një prani në ikje (Fragment)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e tretë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e dytë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e parë)
- Liqen i mbyllur në një roman të hapur
- Shtëpia ‘Markarian’
- Hija e objektit të munguar
- Arbër AHMETAJ: Kërkohet “Kohë shtesë” për të lexuar një roman të pazakonshëm
- Ervin NEZHA: Të lexosh një “Extra Time”