Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Botë-femër

Hej, botë,
nishan i vogël poshtë kupës së qiellit,
ti frikë dhe dashni e madhe,
që veç ndryshimin s’mund ta ndryshosh;
Kam shumë mall për ditën që shkoi,
madje për krejt ditët,
se netët janë malli vetë.
Hej botë,
dita ime e parë dhe e mbrame do të jesh,
Grue e bardhë!

Ti, e bukur dukesh,
por, unë lotët kur s’pari t’pashë,
mandej mallin (etj)
s’ti kisha borxh…

Fjalë që (s’)janë thënë

Në kohën që shkoi janë gabimet
dhe vetja e mundur prej tyre,
njeriu kureshtar në pritën e misterit,
një fëmijë që luan me gjithçka,
një fëmijë që ikën…

Është atje ëndrra që i bie shtrenjtë trupit të shpirtit,
premtimi i kujtesës në palë të tradhtisë,
puthja e bronztë, kënga e çeliktë dhe borxhi pa borxhli,
tërë të zgjuarit që lumturisë ia dinë emrin
dhe ëndërr!
(Atje janë edhe ata që qeshin me pasqyrat.)

Njeri mbi një kalë të trembur
është e shkuara.

Pritje

Hënë, ti llambë e vjetër,
që ndrin nën tavanin e shenjtë,
merre këtë rrobë e vishja dashurisë,
vishja asaj që pritjen time duroi.

O, krejt ky qiell galvanizon
në sytë e mi,
zogjtë prej yjesh që shkojnë te burimi
prej nga del bukuria
dhe kallëzojnë ç’kam shkruar për të.

Po ti pritmë se do të vij aty
dhe poemën ta bëj himn
të çlirimit tënd në mua,
të çlirimit tim në ty,
të atdheut tonë,
ku qeverisë dashuria.

Ti pritmë, erëlulja ime!

Lum i verbër

Te lumi që vrapon ditë e natë,
është zjarri i pajetë,
ëndrra e një ushtari të paliruar
dhe etja e ngrime.

Ah, ti lum i vjetër:
a e ke ditur ç’vdekje e madhe të pret,
teksa thyen kryet i verbër,
në kërkim të së panjohurës (?!)

 

Mendime të fshehta

Ja, si fshihet atje
mendimi i qiellit
për të dhënë një puthje
prej Medauri
mbi ballin e detit të shqetësuar.

Ndanë dritës me errësirë
qëndrojnë si në shkretëtirë
mendime të pakuptimta
dhe ngjarje që s’kanë për të ndodhur kurrë.

Koha shkruan një ylber që s’njihet nga shirat
pastaj vjen ti e larë në hënë
me heshtjen e thyer në duar
dhe më tregon se kur mbaron mendimi i qiellit;
unë të shoh pa të vështruar
dhe deti rreh brigjet çmendurisht.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!