Press "Enter" to skip to content

Hipnozë

Dera që hapa rrëmbimthi tërhoqi jo pak vëmendjen e njerëzve në bar. Një shi i trashë e nevrastenik përplasej me inat në xhamat e mëdhenj të së vetmes kafene që shihte mbi sheshin qendror. Mbylla çadrën, shoqëruar me një shikim të shpejtë në formë ndjese mbi të gjithë ata që, dashje pa dashje, kthyen kokën nga unë. E vendosa në kosh dhe, si i mpirë, eca deri në fund e zura vend në qoshkun poshtë orës së varur në mur, në krah të një abazhuri të fikur. U ula pa e hequr xhupin dhe hodha sytë nga sheshi i hirtë; shiu lëshohej si një breshëri plumbash, që ia shponin barkun asaj krijese të frikshme prej betoni dhe mermeri. U qetësova disi dhe u kujtova ta hiqja xhupin e lagur vetëm kur kamerieri m’u afrua për porosinë:
– Një kafe dhe ujë me gaz.
Nxora nga çanta një libër me ese mbi disidencën letrare, një temë me të cilën po merresha prej kohësh. E mbështeta mbi sipërfaqen e lëmuar prej rimesoje dhe e hapa në faqen njëqind e njëzetë e një, aty ku shpjegohej pikërisht termi ‘Disidencë’! U rreka të lexoja, por shpejt kuptova se fjalët mbërrinin gjysmake brenda meje; përthithje e cunguar. Nuk përqendrohesha dot as prej shiut. E mbylla librin kur kamerieri më solli kafenë. Ngrita kokën dhe përballë meje, në tavolinën ngjitur me xhamin e madh, ulur mbi një kolltuk meshini ngjyrë pane, pashë një vajzë, që më shkaktoi një efekt hipnotizues të menjëhershëm. Duart m’u drodhën, sheqeri u hapërda nëpër tavolinë, ndërsa gjysma e kafesë përfundoi në pjatën e porcelanit. E ktheva gllënjkën e parë me vrull dhe shpresë se kafeina do më shtrinte në vena efektin e saj qetësues dhe pasi u binda se pak a shumë kjo po ndodhte, ia ngula sërish vështrimin asaj. Sytë jeshile dhe të vegjël ishin projektuar përsosmërish nën qerpikët e gjatë dhe të zinj, çka i jepnin fytyrës së bardhë një mahnitje metafizike, përtej njerëzores. Flokët e gjatë gështenjë i derdheshin mbi supe, që me sytë e mendjes i pashë në ngjyrë mjalti, si hojëza të ëmbla. Imagjinata tashmë më kishte feksur imazhe erotike: për shembull, isha ulur pas saj dhe ia puthja supet, pastaj sytë e kështu duke rrëshqitur mbi buzët e saj. Tentova të shkundem disa herë, si një zog i lagur, por as kjo nuk ma treti përjetimin. Vështroja gjoksin, duart e bardha, këmbët e palosura njëra mbi tjetrën dhe krejt këtë siluetë e imagjinoja shtrirë në një krevat me çarçafë mëndafshi, teksa i puthja lëkurën dhe në përpushjet tona lojcake i kafshoja vithet e ngritura, plot mish rozë, mahnitëse, jashtëzakonisht ndjellëse. Në këtë befasi, vura re që ajo u kthye nga unë. Më buzëqeshi dhe më pas më përshëndeti me një ngritje lart të dorës. I habitur ktheva kokën. Pas meje vetëm muri i veshur me letër, ku vareshin ca piktura, kopje të piktorëve të mëdhenj. Ajo më përshëndeti sërish dhe u ngrit nga vendi. Ndërsa vinte drejt meje, belbëzonte nëpër dhëmbë fjalë që s’i kuptoja. M’u duk me nerva. M’u afrua dhe, teksa shtyu karrigen që të ulej, më tha me të shpejtë:
– Hej, çfarë ke sot? Pse më shikon si i hutuar?!
Atë çast, një perde absurde e padukshme, nga ato që u ndjen vetëm flladin kur bien, u rrëzua në dysheme dhe pashë që vajza përballë meje, që kisha adhuruar para pak çastesh (para një jete dhe deri në fund të jetës) ishte bashkëshortja ime A.
– Më fal, – i thashë, – jam shumë i lodhur. S’di ç’më ndodhi. Ky studim mbi disidencën më ka shkëputur nga realiteti dhe ndjej se shpesh humbas.

Në mbrëmje, teksa ktheheshim në shtëpi, kapur për dore, ajo ndaloi para hyrjes së pallatit dhe duke qeshur më pyeti:
– Idiot , çfarë po mendoje sot teksa më shihje si i hutuar në kafene?
E kapa nga beli, i ngjita buzët me të sajat dhe, duke e parë në sy, i thashë:
– Mendova se si një qenie si ti shkakton atë reaksion psiko-fizik. Atë shtangie torturuese dhe dëshirën për të pasur dhe zotëruar menjëherë trupin dhe shpirtin tënd, – e putha përsëri dhe, duke u tërhequr paksa, shtova: – Habitem se si guxova të të flisja ditën kur u njohëm. Nëse nuk do ishe e imja tashmë, as nuk do mundesha ta bëja më, kaq i vogël më duket vetja para teje e kaq mahnitëse dhe e bukur ngjan në sytë e mi.
Ajo nuk foli, por buzëqeshi lehtë. Në cepat e syve iu shfaqën si kristale dy pika loti të vegjël, që u shuan sërish aty për aty. Ma ktheu puthjen dhe me kokën ulur u nis drejt portës duke rrëmuar në çantë për çelësat.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!