Press "Enter" to skip to content

Poezi

#

Unë strehën e ngrita mes reve,
rrufetë bëra trarë e shiun dritare.
Si derë kisha kufijtë e horizontit
e diellin vara si llambadar.

Stivosa tufa resh gri e sajova komodinë,
me ylbere ngjyrash mbusha bibliotekën,
si libra me histori pa fillim pa mbarim.

Në fund, mjegullën e bardhë
e vara si perde të hijshme
e pak para se të bija në shtratin ajror,
hënën e vura si abazhur mbi krye.

Nesër pres zogjtë,
për urimin e shtëpisë së re.
Do i gostis të gjithë me rreze
me fije drite e buzëqeshje.

Poshtë, njerëzia ndezin zjarre, pafund zjarre,
që të ma tymosin e djegin strehën,
por kanë harruar që nuk preket dot një re.

#

Bëhu trau ku lëshohem pafuqi,
si velenxë e qullur me thekët kalivar.

Bëhu muzgu ku mbys dhimbjet
e sytë i plas pa verbim.

Bëhu stoli ku të ulem e çmpi gjymtyrët,
që ënjtur nga ecejaket udhëve do më mbysin.

Bëhu i tëri kraharor ku të derdhen lotët e mi,
e tek kapsallit sytë të çelin mijëra lule.

Bëhu urnë, të mblosh hirin tim bojëgri
viteve që mysafir do jemi.

E nëse do më duash ende pas kësaj,
do e kthej përmbys kupën, se një burrë u bë.

Eh, sa ëndrra shohim ne gratë!

#

Burrat e mi,
më thonë se kam aromë qershie në brendi
dhe aromë gështenje nga jashtë.
Unë qesh…
Por, sa herë ndërrohen stinët,
pranvera më kthen qershi
dhe sakaq gështenjë më bën dimri.
Ne qeshim kur i shtrojmë në tavolinë.
Ata më hanë mua,
ndërsa unë… vetveten.

Të tjera nga ky autor: