Press "Enter" to skip to content

Avuj t’argjendtë – Cikël poetik

***

Dritat e qytetit
nuk fiken kurrë
shohin si nënat
mbi hijet tona të humbura
që sillen rrugëve
për t’u shkëputur
për t’u liruar
nga hekurat e tyre
mund t’a çajmë qiellzanën
e dhomave tona
duke ia ngulur sytë
sikur të binin ashtu
papritmas përgjigjet
mbi kryet tanë
e hallet të na i shkelnin
por çatitë nuk çahen kurrë
e zgjidhjet mbesin
të pakapura

Izolimi
vallja më e bukur
e vetmisë
e shpirtrat tanë
përfundojnë objekt studimi
do të duhet
prapë se prapë
të vazhdojmë të jetojmë
në ankth
se kurrë truri i tjetrit
nuk shërohet…
mund t’i lahen plagët
lehtësohen dhimbjet me barna…

***

Shpëtova nga secila prej lutjeve të tua
Harrova dhe lëkurën tënde
Kjo lëndë
Veçantia e saj
Gjëja më ngrohtë
Në horizont
Shtëpitë e shumta të Zotit po digjen
U vallëzon hiri
Nën syrin e pabesueshëm të një engjëlli
Besimi yt s’më shpëtoi
Se timin e mbyta
Pasi m’u rrëzuan të gjitha hallet
Vetëm provo ta matësh dendësinë e lotëve të mi
Si përrenj përmblidhen në një lumë mijëflakësh

***

Është
Sikur të fundosesh në pambuk
Marramendja
Është përkëdhelje
Që nuk e pret
Dritë
Në një rrugicë të errët
Fjalë që s’thuhen më
Me që shihemi
Më në fund pa vello
Nën hijen
E gjithçkaje

Shqipëroi nga frëngjishtja: Erih Ahmetaj

Bleona Krasniçi ka lindur në Friburg të Zvicrës më 1997-n, në një familje shqiptare nga Rahoveci.  Ka nisur të shkruajë poezi që në moshë të hershme. Në vitin 2017 botoi në frëngjisht vëllimin e parë me poezi “Endorphines” e më pas edhe “Avuj të argjendtë”, nga i cili janë shkëputur e përkthyer në shqip këto poezi.

Të tjera nga ky autor: