Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 1 dhjetor

1 dhjetor. Lindën: Anna Comnena (1083 – 1153), historiane bizantine; Mary Martin (1 dhjetor 1913 – 3 nëntor 1990), aktore e këngëtare amerikane; Madame Tussauds (1 dhjetor 1761 – 16 prill 1850), artiste franceze, e njohur për skulpturat e saj prej dylli; Nikolay Karamzin (1 dhjetor 1766 – 3 qershor 1826), shkrimtar, poet, kritik e historian i Rusisë imperiale, autor i 12 vëllimeve të historisë; Valery Bryusov (1 dhjetor 1873 – 9 tetor 1924), poet, shkrimtar, dramaturg, përkthyes, kritik e historian rus, një ndër figurat kryesore të lëvizjes simboliste ruse; Woody Allen (1 dhjetor 1935), aktor e regjisor filmash, dramaturg; Pablo Escobar (1949 – 1993, baroni kolumbian i drogës.

Anna Comnena (1 dhjetor 1083 – 24 qershor 1153):
“Më mirë ta ndryshojmë natyrën tonë në diçka së cilës i mungon çdo lloj ndjenje, sesa të jemi të ndjeshëm vetëm ndaj së keqes.”

Madame Tussauds (1 dhjetor 1761 – 16 prill 1850):
“Të gjithë hidhërohemi kur pësojmë humbje në jetë. Megjithatë, prova e karakterit tonë nuk qëndron në numrin e pikave të lotëve që derdhim, por në mënyrën si sillemi pasi të na jenë tharë lotët.”
“Ajo çfarë mendoj dhe ajo çfarë ndjehem gati të them, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.”
“Gjërat ndryshojnë e jo gjithmonë për mirë.”
“E vetmja arsye pse të duhet paraja, është që të fitosh kohë. Kohën e nevojshme për të bërë gjërat që të pëlqejnë.”

Mary Martin (1 dhjetor 1913 – 3 nëntor 1990):
“Ekziston një botë komunikimi që nuk varet prej fjalëve.”

Nikolay Karamzin (1 dhjetor 1766 – 3 qershor 1826):
“Lumturia e vërtetë gjendet vetëm duke ecur në udhën e virtytit.”
“Vetëm një zemër e ndjeshme mund të jetë burim i pasur idesh.”

Valery Bryusov (1 dhjetor 1873 – 9 tetor 1924):
“Gjatë tërë jetës e kam ruajtur në thellësi të zemrës besimin e gjallë te Krijuesi im, te Mbrojtësi i botës, te shenjtëria e Tij e lartë dhe te sakrifica e Krishtit Shpëtimtar, por kurrë nuk e kam pranuar idenë se besimi i vërtetë ka nevojë për manifestime të jashtme.”

Woody Allen (1 dhjetor 1935):
“Hallet u ngjajnë letrave higjienike: ti tërheq vetëm një copë letër, por vërshojnë edhe dhjetë të tjera rresht.”
“Nesër në mëngjes në ora gjashtë do ekzekutohem për një krim që nuk e kam kryer. Në të vërtetë duhet të ekzekutohesha qysh në ora pesë, por fatmirësisht kam një avokat shumë të aftë.”
“Vdekja është si gjumi, por me një ndryshim të vetëm: nëse je i vdekur dhe dikush të thotë: “Çohu, se zbardhi dita!”, e ke shumë të vështirë të gjesh pantoflat”.
“Hera e fundit që kam hyrë brenda një gruaje, ndodhi kur vizitova Statujën e Lirisë.”
“Nëse ia dal mbanë të bëj dashuri kaq mirë, kjo ndodh sepse jam ushtruar për një kohë të gjatë me veten.”
“SEKS nuk është përgjigja; SEKS është PYETJA. Përgjigja është PO.”
“Balerini kishte geta aq të ngushta, sa i dallohej jo vetëm seksi, por edhe religjioni.”
“Dashuria është përgjigja, por teksa je duke ndenjur në pritje të përgjigjes, seksi të parashtron disa pyetje vërtet interesante.”
“Nuk është çështja se kam frikë nga vdekja. Çështja është se nuk dua të jem aty kur ajo të ndodhë.”
“Kur isha i vogël më çuan në një kamp veror ku kishte fëmijë nga të gjitha religjionet. Si rrjedhojë hëngra dajak nga fëmijët e të gjitha religjioneve.”
“Bota është ndarë në të mirë e të këqij. Të mirët flenë më mirë natën, ndërsa të këqijtë dëfrehen më mirë ditën.”
“Ç‘është një bardh-e-zi-bardh-e-zi-bardh-e-zi-bardh-e-zi-bardh-e-zi-bardh? Një murgeshë që rrokulliset nëpër shkallë.”
“E lashë duhanin. Ja, do të jetoj një javë më tepër, por druaj se gjatë asaj jave ka për të rënë shi me rrëshekë.”
“Përparësia e njeriut inteligjent është se mund të sillet si budalla sa herë të dojë, ndërsa një budalla e ka absolutisht të pamundur të sillet si njeri inteligjent.”
“Zelig rrëfen: ‘Jam dymbëdhjetë vjeç. Shkoj në sinagogë. Pyes rabinin se cili është kuptimi i jetës. Ai ma thotë kuptimin e jetës, por ma thotë në hebraisht. Epo, unë nuk di hebraisht. Kësisoj, ai më kërkon 600 dollarë për të më dhënë leksione mbi hebraishten’.”
“Të duash do të thotë të vuash. Nëse nuk do të vuash, nuk duhet të dashurosh, por atëherë do të vuash nga mungesa e dashurisë. Kësisoj, të dashurosh do të thotë vuajtje, ndërsa të mos dashurosh do të thotë: vuajtje, vuajtje, vuajtje. Të jesh i lumtur do të thotë të dashurosh, gjë që do të thotë se të jesh i lumtur do të thotë të vuash. Por vuajtja na bën të palumtur, e kësisoj për të qenë të palumtur duhet të dashurojmë ose të dashurojmë e të vuajmë, ose të vuajmë prej lumturisë së tepruar…Unë shpresoj se ndërkohë ti je duke mbajtur shënime…”

Pablo Escobar (1 dhjetor 1949 – 2 dhjetor 1993):
“Nganjëherë unë jam si Zoti. Nëse them se një njeri duhet të vdesë, ai do të vdesë pikërisht atë ditë që them unë.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

error: Content is protected !!