Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 29 nëntor

29 nëntor. Lindën: Jeronim de Rada (29 nëntor 1814 – 28 shkurt 1903), një nga poetët dhe rilindësit më të shquar arbëreshë; Louisa May Alcott (29 nëntor 1832 – 6 mars 1888), romanciere, tregimtare e poete amerikane; Ludwig Anzengruber (29 nëntor 1839 – 10 dhjetor 1889), dramaturg, romancier e poet austriak; Clive Staples Lewis (29 nëntor 1898 – 22 nëntor 1963), shkrimtar e teolog anglez; Carlo Levi (29 nëntor 1902 – 4 janar 1975), piktor, shkrimtar, doktor dhe komunist italian; Jacques Chirac (29 nëntor 1932 – 26 shtator 2019), politikan francez, i cili shërbeu si President i Francës nga viti 1995 deri në vitin 2007; Peter Paul Bergman (29 nëntor 1939 – 9 mars 2012), komedian e shkrimtar amerikan; Howard Mandel (29 nëntor 1955), komedian, skenarist, aktor, producent, regjisor e personalitet televiziv kanadez.

Louisa May Alcott (29 nëntor 1832 – 6 mars 1888):
“Gratë janë quajtur mbretëresha shpeshherë e për një kohë të gjatë, por mbretëria që u është dhënë atyre s’ia ka vlejtur të qeverisej.”
“Bëj gjërat që di të bësh dhe do të mësosh të vërtetën që po kërkon.”

Ludwig Anzengruber (29 nëntor 1839 – 10 dhjetor 1889):
“Zoti dhe dashuria janë dy idetë me të cilat është abuzuar më së shumti.”
“Kush ka guxim të luftojë me fatin është një mbret i lindur mes njerëzve të zakonshëm.”
“Modestia është fillimi i çdo intelekti.”

Clive Staples Lewis (29 nëntor 1898 – 22 nëntor 1963):
“Ekzistojnë dy lloj njerëzish: ata që i thonë Zotit: “U bëftë vullneti yt!”, dhe ata të cilëve Zoti u thotë: “Epo mirë, bëni si t’ua marrë mendja!”.
“Ne jemi ata që besojmë se jemi.”
“Hareja është çështje serioze në Parajsë.”

Carlo Levi (29 nëntor 1902 – 4 janar 1975):
“Në botën e fshatarëve nuk mund të hysh po s’pate një çelës magjie.”
“E ardhmja ka zemër të lashtë.”
“Fjalët janë si gurët.”
“Në barazinë e orëve nuk ka vend as për kujtesë e as për shpresë. E kaluara dhe e ardhmja janë si dy moçale të vdekura.”

Jacques Chirac (29 nëntor 1932 – 26 shtator 2019):
“Demokracia nuk mund të eksportohet me mjete të blinduara.”
“Në luftë mund të shkosh vetëm, por paqen nuk mund ta ndërtosh i vetëm.”
“Përballë intolerancës dhe urrejtjes asnjë debat nuk është i mundur.”
“Nuk më pëlqen kurrë të them që besoj në diçka. Nuk ka ide në të cilat ia vlen të besojmë.”

Peter Paul Bergman (29 nëntor 1939 – 9 mars 2012):
“Nëse ti nuk stërvitesh, diku rrotull është dikush që po stërvitet dhe kur të përballesh me të do të fitojë ai.”

Howard Mandel (29 nëntor 1955):
“Sikur të kujdeseshim për shëndetin mendor aq sa kujdesemi për shëndetin dhëmbor, punët do të na shkonin mjaft më mirë.”
“Ata që bezdisin të tjerët janë njerëzit më të lumtur në botë.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

error: Content is protected !!