Press "Enter" to skip to content

Drama e rrëfyer me humor te “Bishti i dhelprës” së Balil Gjinit

“Bishti i Dhelprës”, Balil Gjini, Zenit, Tiranë 2021

Në këtë roman, autori i paraqet personazhet që në krye të herës. Kjo do i shkonte një pjese teatrale. Qysh nga emrat e zgjedhur, profesionet apo lidhjet e tyre në rrëfim, Gjini na jep sinjale se çfarë libri ka shkruar.
Në ditën e martesës së Didonës bie tërmet. Toka është epileptike. Këtë sëmundje ia kanë ngjitur njerëzit. Rrëfyesi kthehet në vendlindje pas tridhjetë vjetësh. Kompozicioni i romanit i largohet dukshëm strukturës klasike, rrëfimi i ngjarjeve jo veç që copëzohet e hapërdahet në kohë të ndryshme, por edhe vetë brenda veprës, lajmërohet e shpërfillet për të nxjerrë krye aty ku s’ta pret mendja. Kjo shkujdesje do të ishte e rrezikshme sikur autori të mos zotëronte disa teknika, sidomos një lehtësi marramendëse luajtje me fjalën, me shkronjat, me verbin. Po aq sa edhe përvojën dhe aftësinë që këtë lumë të narracionit ta drejtojë brenda vijës së fabulës, e cila, në fund të fundit, i jep lexuesit kodin e deshifrimit të leximit. Vendosja kohore e ngjarjeve të përfshira, bashkë me ato zbritje të domosdoshme në të shkuarën e personazheve, është e pas Luftës së Dytë deri në ditët e sotme. S’kam ndërmend të jap këshilla se si të lexohet ky roman, pasi, siç pashë diku në tekst, “njeriu që s’dëgjoi këshillën e Zotit, s’ka asnjë gjasë të dëgjojë këshillën e një të ngjashmi”, triumfalisht mund të them, pra, as timen. Aq më pak ta klasifikoj sipas ndonjë hierarkie në hapësirat e prozës romanore, punë që i tejkalon shumëfish fuqitë e mia prej lexuesi, thjesht të pasionuar të prozës bashkëkohore shqipe.
Drama e personazheve është e pashpirt. Ata kalojnë nëpër duart poshtëruese të njëri-tjetrit, nëpër marrëdhënie që të kujtojnë shoqëri e kohë të errëta dhune, në një shoqëri leckë. “Leckat jo vetëm në shtëpinë tonë, – shprehet një personazh – por kudo, ishin me shumicë, për të mos thënë se gjithçka ishte leckë”. Kjo s’ka të bëjë fare me atë lloj letërsie të tipit denoncues për ndonjë regjim apo epokë, për ndonjë sistem politik apo shfryrje individuale të autorit. Nëse vendi e kohëndodhja e ngjarjeve e identifikojnë shoqërinë tonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe tri dekadat e para të këtij shekulli, njësia matëse e ligësisë dhe fatkeqësisë, që bie mbi personazhet, nuk sillet në roman si peshë faji e këtij apo e atij: kryesisht si produkt i vetë ligësisë njerëzore, i asaj ane të errët, e cila shkëlqen në roman. Rrëfyesi sheh se edhe Zoti do ta shpërbëjë pjellën e vet të keqe mbi dhe: njeriun. Poshtërimi, burgimet, përdhunimi, mungesa e koherencës dhe veset do ta kishin zymtuar shumë këtë roman. “Kur reshtnin së nginjuri me vese, njerëzit e qytetit u ktheheshin virtyteve”. Gjini nuk mëton të jetë koleksionues i të këqijave (aq më tepër që ky roman është i pasur me skena erotike e dashurie të një finese të rrallë); fati i këtij rrëfimi i ka sjellë personazhe që s’e kanë pasur të lehtë, disa prej tyre trupëzojnë të keqen, dhunën, përdhosjen e kategori të tjera të ligshta. Siç ka të tjerë, ata që autori me aq elegancë, që në faqen e parë, i paraqet me: “Etj… (Kjo fjalë është një lloj çadre, ku janë mbledhur fakirfukarenjtë e kësaj rrëfenje, ata që kanë mbetur hije, pra s’janë bërë dot personazhe)”. Linja e të dashurës braziliane, Rurusë, edhe po të mos ishte në roman, s’do t’i kishte prishur asnjë punë, përkundrazi, ndjehet jo edhe aq mirë brenda rrëfimit. Ndërhyrjet në rrëfim me sjellje referencash letrare apo filozofike prej autorësh të famshëm, edhe pse të mençura në vetvete, mendoj se nuk janë edhe aq të dobishme, për të mos thënë që një autor si Balil Gjini mund t’i shmangte krejtësisht. Por, pavarësisht tyre, vepra është mbresëlënëse, është një arritje shumë e mirë në këtë zhanër. Gjuha, shqipja e Balil Gjinit, e teksteve të tij letrare, është një rrjedhë e pastër, energjike, e aftë të kristalizojë emocione, ide e nëntekste shumë fine. Kjo s’përbën më habi; të gjitha romanet e tij, nga kjo pikë këqyrjeje, janë të një hijeshie të rrallë. Po stili? Është vënë në dukje tashmë që ky autor synon rrëfimin gojor, sjelljen e përnjëhershme në tekst të atyre që ndodhin përreth, duke e afruar me përvojat më të mira të kësaj natyre shkrimi. Veç kësaj here, me këtë roman, gjithë tragjizmi i jetës, serioziteti dhe pesha e rëndë që mbartin personazhet, i jepet lexuesit me tone humori të pashoq. Ky roman lexohet duke qeshur. E nuk të qeshet aty-këtu, por pothuajse në çdo faqe. Edhe në solemnitetin më kobzi. Kjo është për t’ia pasur lakmi. Ia kam lakmi: le ta dijë publikisht!

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!