Ana Kove, shkrimtare dhe përkthyese, është diplomuar në filologji, në gjuhën shqipe dhe gjermane. Është një nga emrat më të rëndësishëm në përkthimin e letërsisë gjermane në shqip dhe një shkrimtare e vlerësuar nga kritika dhe lexuesi shqiptar.
Cili është konflikti kryesor mes shkrimtarit dhe përkthyesit?
Ah, një pyetje fillimore të tillë vetëm Dritan Kiçi mund ta bëjë. Fillojmë njëherë me konfliktet e zanatit, pastaj dalim te dashuria. Konfliktet mes shkrimtarit dhe përkthyesit, brenda të njëjtit individ, janë disa. Ai më i madhi, për mua, është ndjesor dhe besoj do jetë i përhershëm. Sa herë përkthej diçka të bukur (dhe kam pasur fatin e madh të përkthej disa nga autorët më të mirë, jo vetëm klasikë, por edhe bashkëkohorë të letërsisë gjermane) them: sikur ta kisha thënë vetë këtë që po përkthej? Pse dreqin shkruaj, kur ja, gjërat i kanë thënë të tjerë para meje, siç nuk do të mundja kurrë vetë? Si shkrimtare në rolin e përkthyeses përjetoj shpesh ndjesi pamundësish. Por, në fund të gjithë procesit, kjo është një xhelozi pozitive, sepse vërtet s’ke mundur ta shkruash dot atë që të godet estetikisht ndjesitë, por ngushëllohesh, se as të tjerët nuk do munden ta lexojnë po nuk e shqipërove ti. Një konflikt tjetër është “koha”. Përkthyesja i vjedh shumë kohë shkrimtares. Nuk besoj kurrë se në fund të jetës do të kem aq libra të shkruar sa të përkthyer. Madje as sa gjysma… [rml_read_more]
Sa nga shkrimtari rrjedh pa dashje në përkthim?
Rrjedh. Por jo krejt pa dashje. Sidomos në lirikë. Për mua, sfida e përkthimit të lirikës është ndër më të bukurat. Mendoj se në këtë rast, përkthimi i saktë fjalë për fjalë nuk sjell në të aspak një shqipërim të mirë. Ndaj boshllëkun që ngelet nga ajo pak humbje e “saktësisë” e plotëson më së miri shkrimtarja-përkthyese e sidomos poetja-përkthyese. Ndryshe do të ishte e vështirë. Nëse do të përgjigjesha paksa poetikisht, përkthimi është një vallëzim i bukur mes dy gjuhësh. Por, ndryshe nga vallëzimi i lirë, ku ti vetë përcakton se sa do ta hedhësh hapin, si do ndjekësh ritmin, si do t’i joshësh sytë e ndjekësve, ky është vallëzim që duhet ta bësh i lidhur me zinxhirë nëpër këmbë. Të jesh i frymëzuar dhe të frymëzosh njëkohësisht. Kompozimi i gjithë kësaj bukurie fjalësore i takon autorit. Muzika e sfondit, tingulli, kreativiteti, joshja, që do të vijnë si shtesë prej përkthyesit në gjuhën e tij, janë të pashmangshme, por vetëm aq sa lejon zinxhiri i fortë i gjuhës burimore. Përkthimi nënkupton trajtimin e një teksti burimor për ta sjellë atë në gjuhën e synuar me besnikëri, njëkohësisht me art dhe interpretim. Shkrimtari, në këtë rast, ka një armë më shumë.
Mendoni se është më e rëndësishme të njohësh gjuhën nga përkthen apo shqipen?
Të përkthesh gjithçka krejtësisht korrekt, si rrjedhojë e njohjes shumë të mirë të gjuhës nga përkthen, ndodh që rezultati jo vetëm të mos tingëllojë aspak bukur, por madje shpesh edhe përftohen konstrukte të gabuara gjuhësore. Shqipja shumë e mirë është kriter i padiskutueshëm në cilësinë e përkthimit. Lexuesi teston shqipen e përkthyesit. Por as ajo vetëm nuk mjafton. Për një përkthim të mirë letrar duhet natyrisht përveçse njohjes shumë të mirë të të dyja gjuhëve, edhe një ndjeshmëri e madhe. Kjo ka po aq rëndësi sa dy të parat. Dija nuk mjafton pa ndjeshmërinë në këtë profesion. Përkthyesi duhet jo thjesht t’i transmetojë fjalët, por t’i dashurojë, t’i përzgjedhë dhe t’i peshojë mirë para se t’i përdorë. Përkthimi ka një qasje të madhe drejt interpretimit. Edhe pse ka shumë përkthyes, që nuk e kanë shkruar kurrë as edhe një tekst të vetin në gjuhën e tyre, shpesh ka zëra nga kritika e përkthimit se përkthyes të tillë nuk e kanë të zhvilluar sa duhet sensin e ndërmjetësimit letrar të një teksti përmes ndjeshmërisë së duhur. Me fjalë të tjera, bëhet i domosdoshëm edhe talenti letrar, që nga përkthimi të përftojë përkthimi jo vetëm i saktë, por edhe i bukur. Letërsia është art dhe thelbi i artit është krijimtaria dhe origjinaliteti. Natyrisht, ka përkthyes shumë të mirë, edhe pa qenë vetë shkrimtarë, të cilët zotërojnë pa dyshim talentin e duhur letrar, ndjeshmërinë artistike, si edhe njohjen në thellësi të narracionit të autorit që përkthejnë.
Cilat janë veglat më të rëndësishme të një përkthyesi?
Dija. Përvoja. Përgjegjshmëria. Përpara një libri në gjuhë të huaj, kur ai do të flasë shqip vetëm përmes teje, duhet të ndihesh sikur je përpara librit të shenjtë. Në subkoshiencë është i njëjti akt betimi: ti vendos dorën mbi të dhe, njësoj si përpara biblës, me mend e zemër duhet të betohesh se do të thuash vetëm të vërtetat e atij libri, pa ndryshuar apo tjetërsuar asgjë. Por, nëse flasim pastaj për objekte, që ju i quani “vegla”, natyrisht: libri, kompjuteri, fjalorët. Por edhe një dhomë e qetë dhe mbi tavolinë termosi i kafesë apo i çajit.
Çfarë po përktheni aktualisht?
Aktualisht jam ku duhet të isha dhe ku duhet të punojë në paqe çdo koleg i imi. Në rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve “Chateao de Lavigny”, në Zvicër, me bursë nga “Pro Hevetias”. Po përkthej “Shpërfillja e ëmbël e botës”, e autorit zviceran Peter Stamm. Nga i cili kam në proces dy libra. “Agnesa” është libri tjetër, që e bëri të njohur këtë autor të Zvicrës gjermanishtfolëse. Kam edhe fatin e madh që prej këtu të jem në kontakt me autorin. Ky është fati i librit që përkthehet sot. Përkthyesi, në qoftë i paqartë, e ka autorin të gjallë, komunikimin me të. Në këtë mënyrë, lexuesi përfiton një tekst të patëmetë, ashtu siç e meriton.
Sa orë në ditë përktheni?
Kam dy standarde në lidhje me kohën e përkthimit. Kur jam në rezidencë, e gjithë koha është në funksion vetëm të përkthimit; mund të jenë edhe dhjetë orë. Herë më shumë e herë më pak. Këtu, qëllimi i vetëm i jetës, larg zhurmave të botës, thuajse në izolim, është përkthimi. Kur jam në përditshmërinë time, pra në Tiranë, atëherë përkthimi merr vetëm kohën e lirë, pasi kam mbaruar detyrimet e punës së shtetit dhe atyre në familje. Ky vërtet është një profesion, por ne ende nuk e kemi luksin të ushqehemi vetëm nga një profesion i tillë dhe të punojmë me orë të përcaktuara pune çdo ditë. E përditshmja ka edhe detyrime të tjera përveç përkthimit. Në fakt, kam një dëshirë të madhe që më vjen nga lidhja e fortë që po krijoj me rutinën e përkthimit: njerëzit mezi presin të zgjasin vitet e punës e të mos dalin në pension; unë mezi po pres të vijë dita e të merrem pastaj vetëm me librat që dua të përkthej. Dhe janë shumë ata, që dua t’i bëj të flasin shqip.
Kush është armiku kryesor në procesin e përkthimit?
Shpërqendrimi, prishja e rutinës, dalja nga burgu i ëmbël i personazheve dhe hallakatja ku e di unë se ku… Pastaj, kur të fshihet padashur ndonjë bllok i përkthyer e të duhet ta nisësh nga e para; kjo është edhe më e keqe se ato që përmenda më sipër.
Ku duhet të fillojë një përkthyes i ri?
S’ka recetë. Personalisht ndieja një dedikim gati hyjnor për aktin fillimor të përkthimit. Respekti sa vinte e shtohej me rritjen time në fushën e letrave, por edhe përgjegjshmëria. Për shumë nga këta libra që po botohen sot, autorët e tyre kam nisur t’i përkthej 15 vjet më parë në cikle, fragmente a tregime… në revista letrare. Por, për të ardhur te librat, duhet të isha gati, siç e mendoja “të qenit gati”. Guximi i pajustifikuar në këtë rast është dëmtues. Nuk dëmton veç veten, kjo do të ishte më e pakta, por dëmton edhe autorin, edhe lexuesin.
Çfarë duhet të përkthejë?
Nuk e ka gjithkush luksin të zgjedhë se çfarë duhet të përkthejë. Aq më pak kur je i ri. Për pasion e dëshirë duhet të përkthejë atë çka u përgjigjet shijeve të tij. Për profesion, çdo gjë që t’i besojnë. Nëse futesh në treg, nuk zgjedh gjithmonë sipas shijes.
Ku mund ta shesë punën e tij?
Meqë na fute në termat e tregtisë dhe të një fushe që unë pak di të teorizoj mbi të, po përpiqem të jap një mendim jo fundor. Se mbase mund të mos jetë ashtu si mendoj për shumëkënd tjetër. Përkthyesi për mua është artizan. Nuk bën tregti, nuk prodhon mall për shitje dhe ta vendosë në vitrinë. As nuk del vetë të shesë mall. Duke qenë artizan, rri në punishten e tij të fjalëve, dijes që zotëron, dhe janë botuesit ata që futen në punëtori dhe bëjnë porosi, nëse ka përputhshmëri shijesh estetike dhe jo vetëm.
Çfarë do presim për këtë vit nga Anna Kove, si shkrimtare dhe përkthyese?
Po e nis përgjigjen nga përkthyesja. Nuk mund të lë pa përmendur një roman, që sapo u botua nga “Toena”, “Tili”, i autorit më popullor bashkëkohor të letërsisë gjermane, Daniel Kehlmann. Roman voluminoz historik, por njëkohësisht shumë argëtues. I shitur në Gjermani në mbi 800 mijë kopje në tre vjet jetë. I botuar në gjithë botën. Lexuesi shqiptar e mori shumë shpejt pas botimit në Gjermani. “Poeteka” do të botojë së shpejti librin “Heshtje kumbuese” nga Rose Ausländer, lirikja hebreje, që mbart dhimbjen e mungesës së atdheut. Herta Müller sërish do të botohet nga “Albas”, me librin e saj “Llumi”; libri i bën jehonë zvetënimit të jetës dhe personalitetit në diktaturë. Kam përkthyer “Somnambulët” e Hermann Broch, që është quajtur edhe një nga themeluesit e romanit modern dhe një autor shumë të veçantë të letërsisë gjermane të Zvicrës, Peter Stamm, me dy libra “Agnes” dhe “Shpërfillja e ëmbël e botës”. Të dy këta autorë vijnë për herë të parë në shqip. Nuk e di në do të botohen këtë vit, por në planet e mia të përkthimit ky vit do të mbyllet me Valter Kempowskin, “Çdo gjë e kotë”, që do të botohet nga “Aleph”, një autor i rëndësishëm i letërsisë gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore.
Dhe ja, më thoni, a ngelet kohë për shkrimtaren? Nëse shkrimtarja, me kalimin e viteve, mjeshtëron teknikat e përkthimit, mbase ia del të mjeshtërojë edhe teknikat e vjedhjes së kohës nga dita apo nata! Nëse ndodh, “Revista Letrare” do jetë e para që do ta mësojë…
Intervistoi Dritan Kiçi
Krijimtaria e Ana Kove
Poezi dhe prozë: “Shën Valentin ku ishe”, “Djegë ujërash”, “Nimfa e pemës së humbur”, “Kambanat e së dielës”.
Përkthime: Paul Celan – “Lulëkuqja dhe Kujtimi”, Herta Miller (nobeliste) – “Kafsha e zemrës” dhe “Llumi”, Clemens Meyer – “Nata, dritat”, IlseAichinger – “Shpresa mëe madhe”, Rose Auslander – “Heshtje kumbuese”, Daniel Kehlmann – “Tyll”, Hermann Broch – “Sonambulët”, Petter Stamm – “Shpërfillja e ëmbël e botës”, Antologjinë Mjeshtër të prozës së shkurtër gjermane” cikle poetike dhe tregime të autorëve S. Kirsch, M L. Kaschnitz, B. Brecht, I Bachman, N Sachs etj, në shtypin letrar të kohës.