Zemërohu si të duash…
Lëndoji ndjenjat e mia si të duash,
thyej vazo, thyej pasqyra,
më kërcëno se do duash një tjetër grua,
sepse çfarëdo të bësh, është e drejtë,
çfarëdo të thuash, është e drejtë.
Ti je si fëmijët, i dashuri im,
sado të na lëndojnë, i duam me përkushtim.
Zemërohu!
Je i mrekullueshëm në shpërthim.
Zemërohu!
Pa dallgë s’do të kishte dete.
Bëhu uragan… bëhu rrebesh…
zemrën time mikpritëse do ta gjesh.
Zemërohu!
Nuk do t’i përgjigjem sfidës,
sepse je një fëmijë djallëzor,
plot ego,
e shpendët-nëna nuk hakmerren
me zogjtë e tyre.
Shko…
Nëse ndonjë ditë mërzitesh nga unë,
fajëso fatin dhe akuzomë.
Sakaq, unë…
do të mjaftohem me lotët dhe trishtimin tim,
se heshtja ime është krenari,
se trishtimi im është krenari.
Ik…
Nëse të lodh qëndrimi…
toka ka pafund parfum e gra,
sykaltra e syzeza.
E kur të duash të më shohësh,
kur ta kërkosh si fëmijë dhembshurinë time,
ktheju zemrës sime kur të duash,
se për jetën time je ajër…
për mua je toka dhe qielli.
Zemërohu si të duash,
ik si të duash
dhe largohu kur të duash.
Një ditë do të kthehesh përsëri,
atëherë do kuptosh ç’do të thotë besnikëri.
Përktheu: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Nizar KABAN: Kaposhi delenxhi