Press "Enter" to skip to content

Intervistë me shkrimtarin Besnik Mustafaj

Besnik Mustafaj ka lindur në vitin 1958 në Tropojë dhe ka studiuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi franceze. Është një nga protagonistët e lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike. Në mars 1991, në zgjedhjet e para të lira u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Mustafaj është dhe një nga figurat e rëndësishme të diplomacisë shqiptare, si Ambasador në Francë dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Në vitin 2007, me largimin nga politika, themeloi Forumin Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve, që e drejtoi deri në vitin 2019 në shërbim të dialogut ndërfetar. Është President i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Me gjithë arritjet në politikë, Mustafaj ia dedikon tani plotësisht kohën shkrimit e publicistikës, me një veprimtari të gjerë letrare, të vlerësuar nga kritika dhe publiku në Shqipëri dhe jashtë vendit. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij është përkthyer në gjuhë të tjera dhe pesë nga veprat e tij janë përshtatur për teatër dhe film.

Intervistoi Dritan Kiçi

A po shkruani diçka në këtë moment?
Po. Qysh nga viti 2009, kur dhashë dorëheqjen nga politika për t’iu kushtuar me kohë të plotë letërsisë, shkruaj çdo ditë. Madje edhe të dielën. Edhe më 31 dhjetor apo 1 janar. Përjashtim bëjnë vetëm ditët kur jam në udhëtime. Nuk shkruaj nëpër hotele. As nëpër kafene.

Çfarë po shkruani?
Po i jap dorën e fundit një romani, që do ta botoj në vjeshtë, siç i nxjerr zakonisht librat e mi të rinj. E kam gjithmonë shumë të vështirë ta përmbledh në disa fjali temën e romanit që po shkruaj apo dhe veprave të mia në përgjithësi. I kërkoj ndjesë lexuesit të Revistës Letrare, që po e lë pa përgjigje këtë pjesë të pyetjes.[rml_read_more]

Gjithë shkrimtarët kanë rutinën e tyre; si është një ditë e zakonshme kur shkruani?
Dita kur shkruaj, si ditët e mia në përgjithësi, mund të konsiderohen nga një vëzhgues i jashtëm si tmerrësisht monotone. Zgjohem rreth orës shtatë dhe në tetë ulem në tryezën e punës, me rregullsinë e një nëpunësi banke, për t’u ngritur zakonisht në orën njëmbëdhjetë. Mund të më ndodhë ta lë punën gjysmë ore para këtij orari kur shkrimi nuk “dëshiron” të ecë ose e zgjas deri në mesditë kur ecën shumë mirë dhe ndjej dëshirë ta përfundoj paragrafin e radhës.

Keni ndonjë vend të veçantë pune, apo shkruani kudo ku gjendeni?
Gjithmonë kam patur një vend të veçantë ku shkruaj. Qysh nga viti 2004, kur përfundova ndërtimin e shtëpisë në Priskë, në Dajt, kam një studio shumë të mirë, ku ndihem mirë e në paqe. Më parë shkruaja gjithnjë në kuzhinë, në të njëjtën tryezë ku gruaja gatuante, më hekuroste këmishët dhe ku hanim me fëmijët. Madje, kjo tryezë ka qenë vendi im i shkrimit edhe gjatë viteve kur jetoja në Paris si ambasador. As si ambasador nuk kisha ndonjë dhomë pune, sado të vogël.
Tani që mendoj në retrospektivë, më duhet të pohoj se kurrë nuk kam shkruar letërsi në zyrë dhe kurrë nuk kam sjellë në shtëpi diçka që lidhej me punën. Madje as kur isha gazetar nuk shkruaja kurrë në shtëpi. Aktivitetin e rrogëtarit dhe politikanit e kam ndarë gjithnjë rreptësisht me aktivitetin e shkrimtarit. Kjo ishte mënyra më e mirë jo vetëm për ta ndarë me “thikë” kohën, por edhe për t’i dhënë “shkrimtarit” izolimin e nevojshëm.

Përmendët që shkruani më e shumta deri në mesditë; sa faqe (ose fjalë) bëhen në një ditë produktive?
Mirëfilli, siç thashë, shkruaj mesatarisht tri orë në ditë, në mëngjes. Në tryezën e punës jam edhe pasdite, nga ora pesë deri në shtatë. Por, më së shpeshti, pasditen e përdor për përgatitjen e asaj se çfarë do të shkruaj të nesërmen. Qëllon edhe të përfundoj ndonjë paragraf apo kapitull të lënë pezull në mëngjes. Në mbrëmje, pas darkës, deri në mesnatë, zakonisht lexoj, por edhe plotësoj përgatitjet për çfarë do të shkruaj të nesërmen. Mbrëmjen e përdor edhe për verifikimin e dyshimeve mbi atë që kam shkruar në mëngjes. Jo rrallë ndodh ta prish e ta hedh në kosh atë që kam shkruar. Sepse… shkruaj vetëm me stilograf. Kurrë në kompjuter. Sa fjalë apo faqe? Nuk e di dhe nuk i caktoj kurrë vetes norma me faqe apo me fjalë. Në mbrëmje shkruaj herë pas here edhe artikuj për gazetat, ku shpreh qëndrimet e mia ndaj zhvillimeve të ndryshme të aktualitetit në botën shqiptare apo përgatis ligjëratat për konferencat ku marr pjesë. Paradite nuk kam kohë për tekste të tilla.

Shkruani me frymëzim apo me vullnet?
Me të dyja. Por kryesisht me disiplinë. Lidhur me frymëzimin jam i një mendjeje me Markezin, i cili thoshte se ai (frymëzimi) vepron vetëm në fazën kur zgjedh subjektin që do shkruash.

Nëse do mundje, ç‘këshillë do i jepje vetes në rini për metodën dhe procesin e shkrimit?
Të them të drejtën, nuk e di! Çfarë këshille do t’i jepja vetes djaloshar? Ndoshta do ta këshilloja ta shpërdoronte më pak kohën. Por dyshoj në do të vazhdonte pastaj t’i pëlqente ëndrra për t’u bërë poet, po ta detyronte veten të mbante një axhendë për të shmangur shpërdorimin e kohës.

E konsideroni veten një shkrimtar zhanri, apo jo?
Të them të drejtën nuk e kam menduar ndonjëherë një pyetje të tillë. Kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj poezi, prozë dhe skenarë filmash me metrazh të gjatë. Brenda prozës kam shkruar tregime, romane, novela, ese letrare, ese politiko-letrare. Në fillim lind brenda meje ajo që kam dëshirë ta them, pastaj vjen zhanri në të cilin do ta them.

A keni ndonjë temë të preferuar, që do donit ta shkruanit më tepër?
Besoj se një pjesë e madhe e krijimtarisë sime ka në qendër temën e marrëdhënieve vartësore që ka njeriu shqiptar me historinë. Brenda kësaj teme të gjerë është edhe tema e marrëdhënieve aspak të lumtura, aspak harmonike, që ka patur e vazhdon të ketë shqiptari me lirinë politike.

Si e gjeni historinë apo fabulën e një libri?
Kurrë nuk kam nxjerrë nga vetja zanafillën e një fabule apo historie që do ta shkruaja, qoftë si tregim apo roman. Zakonisht e kam dëgjuar diku, si diçka që i ka ndodhur dikujt ose e kam lexuar. Pastaj, sigurisht, e zhvilloj rrëfimin me fantazinë time.

A e rishkruani apo redaktoni shpesh materialin e shkruar?
Rishkruaj shumë. Asnjë nga romanet e mia nuk ka shkuar te botuesi pa u rishkruar nga fillimi të paktën pesë apo gjashtë herë. Gjatë rishkrimit kënaqem më shumë se gjatë shkrimit fillestar.

Çfarë gabimesh nuk i falni vetes në procesin e shkrimit?
Nuk mendoj se ka ndonjë gabim, që nuk do t’ia falja vetes në ato që shkruaj. Tjetër gjë është kur dorëshkrimi ka mbërritur në tryezën e botuesit. Atëherë nuk do ia falja vetes as edhe një gabim, që kalon deri në versionin përfundimtar, domethënë te libri i shtypur, dhe ka ardhur për shkak të neglizhencës time, qoftë në verifikimin e fakteve apo në përdorimin e gjuhës.

Çfarë gabimesh nuk i falni autorëve që lexoni?
Të njëjtat gabime që nuk ia fal vetes, nuk ia fal askujt tjetër.

Kush mendoni se janë mjetet kryesore në zanatin e shkrimtarit?
Gjuha dhe vetëm gjuha. Asnjë mjet tjetër nuk është kaq kryesor e i rëndësishëm sa gjuha.

A keni ndonjë lexues të veçantë para botimit?
Kam një dorë miqsh, të njëjtët prej kohësh, të cilët m’i lexojnë dorëshkrimet para se t’i çoj për botim. Në pritje të përgjigjes së tyre, jam gjithmonë në ankth e ia vlerësoj gjithnjë mendimin e mundimin.

A ju pëlqen kritika dhe nga kush?
Mendoj se në kontekstin shqiptar nuk duhet shtruar pyetja nëse më pëlqen kritika apo jo. Kritikën e ardhur nga lexuesit e parë, që përmenda më lart, e marr gjithmonë fort seriozisht. Kritikë letrare, në kuptimin që i jepet kësaj disipline shkrimore në teorinë e letërsisë, te ne nuk ka. Dhe nuk ka patur, të paktën qysh kur kam nisur të botoj, para 45 vjetësh. Pra, nuk e kam njohur dhe nuk di si do të ndjehesha po të bëhej vepra ime objekt i saj.

Çfarë do dëshironit të lexonit më tepër në letërsinë e re shqipe?
Në moshën që jam, nga letërsia shqipe lexoj kryesisht letërsi bashkëkohore, me përparësi të rinjtë. Lexoj po ashtu përralla dhe shumë libra me kujtime, nga njerëz që nuk janë shquar në jetë, por që në pleqëri janë joshur të tregojnë historinë e tyre siç e mbajnë mend apo shpesh siç do t’u kishte pëlqyer që jeta e tyre të mbahej mend. Sot dalin pa fund libra të tillë, që zakonisht autorët i botojnë me shpenzimet e veta. Nëpër to gjej jetën time apo të prindërve të mi dhe, më e rëndësishmja, gjej një pasuri të madhe detajesh dhe informacionesh, që nuk do të mund t’i trilloja, aq domethënëse për prozën time.

Ç’do i këshillonit një të riu, që dëshiron të bëhet shkrimtar?
Të lexonte Rilken: “Letër një poeti të ri”.

Ç’këshillë do i jepnit vetes, si një “alter ego”?
Të çlirohej nga ankthi se nuk do t’i mjaftojë jeta që ka përpara për të shkruar sinopset që ka nëpër fletore. Egoja ime ka nevojë ta pranojë këtë fakt e të mësohet me të për t’u çliruar vërtet nga një ankth i tillë. Jeta është kjo që është e duhet shijuar.

Nëse do i këshillonit krijuesve të rinj një nga librat tuaj, nga i cili mund të mësonin, cili do ish?
Do të më pëlqente t’u këshilloja tri libra, nëse më lejoni: përmbledhjen me poezi “Biri i Adamit”, romanet “Gjinkallat e vapës” dhe “Autoportret me teleskop”.

(Shkëputur nga “Revista Letrare – Verë, 2021”, në print. E gjeni në Amazon.)

Të tjera nga ky autor: