Si i bëhet për të shkruar një libër të mirë? Si arrihet ajo magji, që e bën lexuesin të besojë që fiksioni i autorit t’i ngjajë copëzave të realitetit? Duke lexuar tregimet e përmbledhjes “Të vdesësh nën diell” të Ervin Nezhës, më erdhën ndërmend këto pyetje që Umberto Eco, mes tjerash, i shtron në librin e tij “Rrëfimet e një romancieri të ri”.
Libri i Nezhës përmban 20 tregime dhe mbyllet me 108 faqe, çka tregon se shkrimi është i ngjeshur, tregimet zgjasin sa një frymë. Shumica e tregimeve kanë për tituj vetëm një fjalë: “Ujku”, “Unaza”, “Shalli”, “Dyer”, “Hetimi”, “Letrat”, “Njolla”, “Takimi” e të tjerë. Kjo formë shënjimi, prej në krye të herës, e bën të kuptojë lexuesin se kemi të bëjmë me ekonomi të shkrimit, me kujdesje të qëllimtë për të kursyer kohën e tij, duke rrezikuar ta lërë me shijen e pamjaftueshmërisë.
Ajo që ndodh gjatë leximit është krejt e kundërta. Në pak faqe, autori sjell me bujari jo vetëm personazhin dhe konfliktin në shpirtin, mendjen dhe jetën e tij, por edhe ambientin ku ai jeton. Kemi të bëjmë me tregime inteligjente. Rrëfimi fillon me tension. Me tri-katër fraza rrëfehet vendndodhja, jepen tërthorazi informacione për personazhin e ravijëzohet drama. I sapo mbërthyer në këtë kurth, lexuesit i jepet mundësia ta shtojë e ta rindërtojë të plotë atmosferën, të bëjë projeksione në të shkuarën e personazhit, madje edhe në mënyrën se si do të mbyllen ngjarjet. Pikërisht në këtë çast, Nezha, si autor, nuk zhgënjen: fundi është i papritur, emocionues, madje nuk është hiç fund, është hapje, është pikëpyetje, është ftesë për reflektim. Duket si hile e një autori me përvojë, si kurth i paramenduar për lexuesin, por në fakt është shkëlqim i pakompromis i talentit të tij.
“Maniera letrare e narrativës së Ervin Nezhës nuk lë askënd indiferent. (…) Lexuesi ndihet i përfshirë nga misteri në kuptimin meditativ. Ervini kultivon një lexues jodembel. Pjesëmarrja e tij vazhdon të bëhet e plotë fill pasi mbaron tregimi.” – shkruan Agron Tufa.
Përmbledhja me tregime “Të vdesësh nën diell” është e mbushur me shpirtra të trazuar, nën shi e nën diell, drama të prajta, të heshtura, të pabuja. Ka dekor mjegullash, pyjesh, fshatrash të mbytura në shi, kodrinash të përvëluara nga dielli, ka salla hotelesh e skena krimi, ka mbi të gjitha personazhe të përndezur si në ethe, të turbulluar nga faji, nga ndjesia e keqardhjes, e plogështisë, por sidomos të brejtur nga dyshimi, pasiguria: “po unë kush jam?”, pyet një personazh, shkrimtari i madh B.
“I vdekuri dhe stuhia”, “Gruaja misterioze”, “Trëndafili i borës”, “Takimi”, “Ujku” janë tregime të një cilësie shumë të lartë, që dëshmojnë pjekurinë e autorit, emrin e të cilit do të na duhet ta mbajmë mend mirë.
(“Të vdesësh nën diell”, tregime, “Albas” 2020)
Të tjera nga ky autor:
- Ne fjetëm aty
- Ervin NEZHA: Frika nga autoriteti si anomali, që gjymton psikologjinë e individit
- Ervin NEZHA: Fati i individit në tranzicionin traumatik – 800 hapa larg Venerës!
- Ervin NEZHA: Ninulla
- Ervin NEZHA: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Ervin NEZHA: “Melusina” – romani, që s’ka asgjë tjetër veç asaj që nevojitet
- Ervin NEZHA: Persiatje mbi vëllimin poetik “Palcë dhe frymë”
- Ervin NEZHA: Të lexosh një “Extra Time”
- Ervin NEZHA: “Fabula Rasa” – gjurma më e dallueshme e romanit “eksperimental” shqiptar
- Ervin NEZHA: “Ora e ligë” e Tom Kukës ose “Vdekja që vazhdon përtej dashurisë”
- Arbër Ahmetaj dhe Ervin Nezha mbi romanin “Valsi i një dasme fantazmë”

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.