Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 23 tetor

23 tetor. Lindën: Shën Injaci i Lojolës (23 tetor 1491 – 31 korrik 1556), religjioz spanjoll; Adalbert Stifter (23 tetor 1805 – 28 janar 1868), poet, shkrimtar e piktor austriak; Robert Seymour Bridges (23 tetor 1844 – 21 prill 1930), poet laureat britanik nga viti 1913 deri në vitin 1930; John William Carson (23 tetor 1925 – 23 janar 2005), komedian, shkrimtar, drejtues televiziv amerikan; Leszek Kolakowski (23 tetor 1927 – 17 korrik 2009), historian idesh dhe filozof polak; Pelé, emri i plotë Edson Arantes do Nascimento (23 tetor 1940), futbollist brazilian, legjendë e futbollit botëror, me 1281 gola të shënuar në 1363 ndeshje; Michael Crichton (22 tetor 1942 – 5 nëntor 2008), shkrimtar amerikan.

Shën Injaci i Lojolës (23 tetor 1491 – 31 korrik 1556):
“Lutu duke menduar sikur gjithçka varet nga Zoti, puno duke menduar se gjithçka varet prej teje.”
“Të gjitha gjërat e kësaj bote janë dhuratë e Zotit, të krijuara për ne, me qëllim që përmes tyre ta njohim më mirë Atë, ta duam më shumë dhe t’i shërbejmë më me besnikëri.”
“Çfarëdo që të jesh duke bërë, nëse të ndihmon të ndjehesh më gjallë, kjo do të thotë se është pikërisht aty që mund ta gjesh Zotin.”
“Dashuria duhet të shpërfaqet më shumë përmes veprave, se sa përmes fjalëve.”
“Pushtimi i vetvetes është fitorja më e madhe që mund të arrijë njeriu.”
“Nëse Zoti të jep shumë vuajtje, është një shenjë e sigurtë se Ai dëshiron të të bëjë shenjt.”
“Nuk është e vështirë të bindemi, nëse e duam atë, të cilit i bindemi.”

Adalbert Stifter (23 tetor 1805 – 28 janar 1868):
“Gjithçka që ekziston tani, pavarësisht sa e madhe apo sa e mirë është, jeton një kohë të caktuar, përmbush qëllimin për të cilin është krijuar dhe kalon. Kështu do të ndodhë për të gjitha veprat e artit që ekzistojnë sot: mbi to do të bjerë një perde harrimi, ashtu siç ka rënë tashmë mbi veprat e krijuara njëherë e një kohë.”
“Gjithçka që Zoti na dërgon është e bukur, ndonëse ne mund edhe të mos e kuptojmë. Ajo që Zoti na dërgon është lumturi e pastër. Jemi ne ata që ia bashkëngjisim vuajtjen kësaj lumturie.”

Robert Seymour Bridges (23 tetor 1844 – 21 prill 1930):
“Bukuria është bashkëshortja e përjetshme e Urtisë së Zotit dhe engjëlli i pranisë së Tij në mbarë krijimin.”

John William Carson (23 tetor 1925 – 23 janar 2005):
“Demokraci do të thotë që kushdo që rritet mund të shpresojë të bëhet president, ndërsa ai që nuk rritet mund të shpresojë të bëhet zëvendëspresident.”
“E vetmja e mirë që ka paraja, është se të jep lirinë të mos e vrasësh fare mendjen për paranë.”

Leszek Kolakowski (23 tetor 1927 – 17 korrik 2009):
“Një filozof modern, i cili nuk ka dyshuar së paku një herë te vetja, që mund të jetë edhe sharlatan, duhet të jetë njeri aq sipërfaqësor sa nuk ia vlen fare ta lexosh veprën e tij.”
“Duhet ta lexojmë historinë jo për të mësuar si të sillemi apo si të bëhemi të suksesshëm, por për të mësuar se kush jemi.”

Pelé, Edson Arantes do Nascimento (23 tetor 1940):
“Futbolli duhet lënë në kohën e duhur, përpara se ai të të lërë ty.”
“Futbolli është muzikë, vallëzim e harmoni. Nuk ka gjë më të hareshme se ajo sferë që kërcen.”
“Suksesi nuk është rastësi, por punë e mundimshme, këmbëngulje, nxënie, studim, sakrificë, por mbi të gjitha dashuri për çfarë që je duke bërë.”
“Unë kam lindur për të luajtur futboll ashtu siç lindi Bethoveni për të bërë muzikë dhe Mikelanxhelo për të pikturuar.”

Michael Crichton (22 tetor 1942 – 5 nëntor 2008):
“Duhet të thuash gjithmonë të vërtetën, sepse nëse thua të vërtetën, problemi yt bëhet problemi i tjetrit.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi