Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 22 tetor

22 tetor. Lindën: Franz Liszt (22 tetor 1811 – 31 korrik 1886), pianist dhe kompozitor romantik hungarez; Sarah Bernhardt (22 tetor 1844 –26 mars 1923), aktore franceze, konsideruar si një ndër më të mëdhatë e shekullit XIX; Ivan Bunin (22 tetor 1870 – 8 nëntor 1953), poet rus, Nobel më 1933; George Wells Beadle (22 tetor 1903 – 9 qershor 1989), shkenctar gjenetist amerikan, Nobel në mjekësi, më 1958; Robert Capa (22 tetor 1913 – 25 maj 1954), fotograf hungarez, reporter lufte; Joan Fontaine (22 tetor 1917 – 15 dhjetor 2013), aktore britaniko-amerikane e epokës klasike të Hollivudit; Doris Lessing (22 tetor 1919 – 17 nëntor 2013), shkrimtare britaniko-zimbabviane, Nobel më 2007; Catherine Deneuve (22 tetor 1943), aktore franceze. Deepak Chopra (22 tetor 1947), shkrimtar, mjek e spiritualist indian.

Franz Liszt (22 tetor 1811 – 31 korrik 1886):
“Dhimbja e madhështia janë fati i artistit.”
“Muzika është zemra e jetës”
“E vetmja ambicie që kam si kompozitor, është të mund ta vërvit shtizën time në hapësirën e pafundme të së ardhmes.”

Sarah Bernhardt (22 tetor 1844 –26 mars 1923):
“Teatri është pasqyrim i pavullnetshëm i ideve të turmës.”
“Arti nuk ka lidhje me diçka. Arti është diçka.”
“Ai që nuk është i aftë të përjetojë pasione të forta dhe të shkundullohet nga zemërimi, ai që nuk është në gjendje të jetojë në kuptimin më të plotë të fjalës, nuk do të mund të jetë kurrë aktor i madh.”

Ivan Bunin (22 tetor 1870 – 8 nëntor 1953):
“Xhelozia nuk është gjë tjetër veçse mungesë respekti ndaj njeriut që dashuron.”

George Wells Beadle (22 tetor 1903 – 9 qershor 1989):
“Edhe ti mund ta fitosh Çmimin Nobel. Studio me përkushtim, respekto ADN-në. Mos pi duhan. Mos pi alkool. Mos u merr me gra e me politikë. Kjo është formula ime.”

Robert Capa (22 tetor 1913 – 25 maj 1954):
“Korrespondenti i luftës pi më shumë, ka më shumë femra, është më i paguar dhe ka më shumë liri se një ushtar, por si rrjedhojë, fakti që ka më shumë liri se ushtari, fakti që mund ta zgjedhë vetë vendin, fakti që mund të tregohet frikacak pa frikën se mund ta dënojnë me pushkatim, të gjitha këto përbëjnë torturën e tij.”
“Nga fundi i saj, lufta i ngjan një aktoreje në plakje e sipër, e cila, ndërkohë që duket gjithnjë e më pak fotozhenike, bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.”
“Jam fotograf lufte, por do të dëshiroja të mbetesha i papunë për tërë jetën.”

Joan Fontaine (22 tetor 1917 – 15 dhjetor 2013):
“Problemi kryesor në martesë është fakti se burri ka uri për seks njëlloj siç ka uri edhe për të ngrënë. Nëse nuk i jepet mundësia të ushqehet në një restorant francez, ai vrapon të përlajë ndonjë “hot dog” në tezgën më të parë që shikon në rrugë. Gruaja është krejt ndryshe: për të është e rëndësishme dashuria dhe romantizmi.”
“Çudi e madhe me burrat: ata lejojnë instinktin e tyre seksual që t’i çojë atje ku inteligjenca e tyre nuk do t’i çonte kurrë.”
“Shpresoj të vdes në skenë, në moshën 105 vjeç, duke luajtur rolin e Piter Panit.”

Doris Lessing (22 tetor 1919 – 17 nëntor 2013):
“Mendo në mënyrë të gabuar, po deshe, por gjithsesi mendo me kokën tënde.”
“Çfarëdo që dëshiron të bësh, bëje tashti! Kushtet janë gjithmonë të pamundura.”

Catherine Deneuve (22 tetor 1943):
“Kur arrin në një farë moshe, të duhet të bësh zgjedhjen midis fytyrës dhe bythës.”
“Një grua duhet të jetë inteligjente, tërheqëse, të ketë sens humori dhe të jetë e sjellshme. Janë të njëjtat cilësi që kërkoj prej një burri.”
“Burrat janë të mirë, por gratë janë magjike.”

Deepak Chopra (22 tetor 1947):
“Pjesën më të madhe të energjive tona e përdorim për të ushqyer te vetja ndjenjën e të qenit të rëndësishëm.”
“Universi është një imazh i pafundmë i vetes suaj, i pasqyruar në vetëdijen tuaj.”
“Dashuria nuk ka nevojë për arsyen. Ajo flet me urtinë irracionale të zemrës.”
“Akti më krijues që mund të ndërmarrë njeriu në jetën e tij, është arti i krijimit të vetvetes.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi