Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 20 tetor

20 tetor. Lindën: Giovanni Rucellai (20 tetor 1403 – 14 maj 1481), poet e dramaturg italian; Thomas Bartholin (20 tetor 1616 – 4 dhjetor 1680), mjek, matematikan e teolog danez; Christopher Wren (20 tetor 1632 – 8 mars 1723), një ndër arkitektët më të famshëm të historisë, po ashtu anatomist, astronom, gjeometër, matematikan e fizikan anglez; Alphonse Allais (20 tetor 1854 – 28 tetor 1905), shkrimtar, gazetar e humorist francez; Arthur Rimbaud (20 tetor 1854 – 10 nëntor 1891), poet simbolist francez, vepra e të cilit ushtroi një ndikim të rëndësishëm në letërsinë dhe artin modern; John Dewey (20 tetor 1859 –1 qershor 1952), filozof, psikolog, edukator e nismëtar reformash sociale; Jomo Kenyatta (20 tetor 1897 – 22 gusht 1978), aktivist antikolonial dhe politikan kenian, Kryeministër i Kenias e më pas President i saj deri në fund të jetës; Elfriede Jelinek (20 tetor 1946), romanciere e dramaturge austriake, çmimi Nobel më 2004.

Giovanni Rucellai (20 tetor 1403 – 14 maj 1481):
“Ëndrrat tona nuk janë gjë tjetër veçse hije të zbrazëta, pasqyrime të gjërave që imagjinojmë gjatë ditës.”

Thomas Bartholin (20 tetor 1616 – 4 dhjetor 1680):
“Pa libra Zoti hesht, drejtësia përgjumet, shkencat e natyrës mbeten në vend, filozofia çalon, letërsia nemitet, dhe të gjitha gjërat mbulohen nga errësira.”
“Zgjidhe autorin ashtu siç zgjedh mikun.”

Christopher Wren (20 tetor 1632 – 8 mars 1723):
“Arkitektura synon përjetësinë.”
“Larmia e njëtrajtshmërive e bën bukurinë të plotë.”

Alphonse Allais (20 tetor 1854 – 28 tetor 1905):
“Kafeja është i vetmi lëng, i cili na vë në gjumë në rastet kur nuk e pimë.”
“Statistikat kanë dëshmuar gjithmonë se gjatë kohës së luftës vdekshmëria midis forcave të armatosura rritet në mënyrë të ndjeshme.”

Arthur Rimbaud (20 tetor 1854 – 10 nëntor 1891):
“Vetëm dashuria hyjnore mund të na i japë çelësat e dijes.”
“E vetmja gjë e padurueshme është se çdo gjë është e durueshme.”
“Me mijëra ëndrra digjen butësisht brenda meje.”
“Kam shndërruar në fjalë heshtjet dhe netët. Atë që ishte e pashprehshme, e kam shkruar. Kam bërë që bota vorbulluese të ndalet.”
“Përjetësi. Deti i përzier me diellin.”

John Dewey (20 tetor 1859 –1 qershor 1952):
“Nuk mësojmë gjë nga përvoja. Mësojmë nga të menduarit në lidhje me përvojën.”
“Sot nuk mund të japësh mësim ashtu siç ke dhënë dje, nëse synon të përgatisësh studentët e së nesërmes.”
“Edukimi nuk është përgatitje për jetën; edukimi është vetë jeta.”
“Shtysa më e thellë në natyrën njerëzore është dëshira për t’u ndjerë të rëndësishëm.”
“Ne fillojmë të mendojmë vetëm kur gjendemi përballë problemeve.”
“Arti është mënyra më e frytshme e komunikimit, që mund të ekzistojë.”

Jomo Kenyatta (20 tetor 1897 – 22 gusht 1978):
“Fëmijët tanë mund të mësojnë për heronjtë e së shkuarës. Detyra jonë është të shndërrohemi në arkitektë të së ardhmes.”

Elfriede Jelinek (20 tetor 1946):
“Është dashuria ajo që na tregon udhën. Dëshira është këshilltare injorante.”
“Besimi është i mirë, por kontrolli është akoma më i mirë.”
“Si mundet shkrimtari të njohë realitetin, kur është vetë realiteti ai që hyn brenda tij dhe e tërheq zvarrë, duke e çuar përgjithmonë zgrip?”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi