Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

* * *

Dremit Danimarka. Kështjellës Elsinor,
mesnatës sillen dy mbretër.
Me skeptër i pari, fron e kurorë,
fantazmë që paqe nuk gjen, mbreti tjetër.

Një gjak i bashkonte (gjak, vallë, o helm?).
Një grua mes tyre… Ç’tradhti, medet!
Në vorbull dilemash rënkon si në jerm,
“Të jesh a mos jesh?!”, princi Hamlet.

“Të jesh a mos jesh?!”, Danimarka vajton.
Janë shumë dy mbretër për çdo mbretëri.
Fantazmë ngrihet njëri e tjetri në fron.
Një është i tepërt. Po kush është ai?

Tek ngre si mynxyrë të përpiktë mesnata,
bedenave spektrin e ftohtë të fantazmës.
Dhe shkon helm i zi nga shpirtrat në shpata,
për fatin e zi të Danimarkës.

 

* * *

Unë herët shkova. Vjeshta kish
shtruar floririn nëpër botë,
por drurët-kryqe të pakrisht,
së largu ndienin të ftohtë.

Unë herët shkova. Vetëm heshtja
më vinte prapa aq e trishtë,
teksa florinj dhuronte vjeshta,
me kryqet bashkë, bujarisht.

Unë herët shkova. Vjeshta mbet,
e largët mjegull nëpër botë,
floriri udhëve u tret,
veç kryqe gjeta. Kryqe plot.

Baladë e re për Kostandinin

Shkon një kalë bregut të thatë,
frelëshuar – o.
Vetëm filli nëpër natë,
pa kalorës – o.

Vjen me vrap e turfullon,
jele nëpër zjarr,
Kostandinin po kërkon,
ta shpjerë në varr.

Kostandinin sjell që larg,
prej fundit të botës,
bashkë me vdekjen te një prag,
të nënës dhe motrës.

Shtatë vjet gropës u dergje,
patretur nën dhe.
Besën për të mbajtur erdhe,
përse, vallë? Përse?

Plasën motra edhe mëma,
si qelqe me verë.
Kostandin të ardhtë gjëma!
Dy varre të tjerë,

në varreza ja ke çelur,
fisit të pafat.
Vetëm yti, bosh ka mbetur,
humbe nëpër natë.

Guri shalë, kalë balta,
kali nëpër botë,
hingëllin sa dridhet nata,
të kërkon më kot.

Si një shpirt pa paqe endesh,
humbur nëpër re.
Ndër të vdekur dot nuk kthehesh,
s’ke më vend atje.

As nën e as mbi dhe,
diku në kufi,
s’je njeri, fantazmë s’je,
s’je as perëndi.

Udhë e gjatë. Oh, ç’mallkim!
Ik e s’ka të ndalur.
I pavarri Kostandin,
vdekur, i pakallur.

E hidhur

Në arat e shpirtit, të mbledhur duaj,
rrinë dhimbjet e mia. Me to dhe mërzitë.
Të lindesh… të plakesh… të mbetesh i huaj,
të vdesësh nga pak përditë.

Të shkretave ara, në borë e thëllim,
u tretën dhe ëndrrat e mbetën skelete.
Me to e pa to. E prapë dëshpërim.
Të vdesësh… Të ngjallesh… Të heshtësh me vete.

Dhe dimri i shpirtit që zgjatet e zgjatet,
Gjithfarë perëndish tek shfaqen prej resh.
T’u lutesh? T’u falesh? Të shlyesh mëkatet.
E prapë ngushëllim të mos gjesh.

* * *

Ditët janë gri…
Në gri jam veshur.
Po ti?
Si moti,
e heshtur!

As diell. As shi.
As qan e as qesh.
Jeta në gri.
Ç’t’i vesh?