Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 19 tetor

19 tetor. Lindën: Marsilio Ficino (19 tetor 1433 – 1 tetor 1499), filozof, humanist e astrolog italian; Sir Thomas Browne (19 tetor 1605 – 19 tetor 1682), filozof e shkrimtar britanik; Leigh Hunt (19 tetor 1784 –28 gusht 1859), shkrimtar, poet, eseist e kritik anglez; Auguste Lumière (19 tetor 1862 – 10 prill 1954), së bashku me të vëllain Louis Jean Lumière, është shpikës i projektorit kinematografik; Alexander Alekhine (19 tetor 1892 – 24 mars 1946) shahist rus, një ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, kampion bote për shumë vite, i cili ndërroi jetë duke qenë ende kampion në fuqi; Miguel Ángel Asturias (19 tetor 1899 – 9 qershor 1974), shkrimtar, poet e gazetar guatemalas, Nobel më 1967; Philip Pullman (19 tetor 1946), shkrimtar anglez.

Marsilio Ficino (19 tetor 1433 – 1 tetor 1499):
“Dashuria nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të fluturuar drejt bukurisë hyjnore, e cila shfaqet para nesh në trajtën e bukurisë fizike”

Sir Thomas Browne (19 tetor 1605 – 19 tetor 1682):
“Të besosh vetëm atë që është e mundur, ky nuk është besimi në Zot, por filozofi.”
“Unë e konsideroj botën spital, jo bujtinë; kërkohet një vend për të vdekur, jo për të jetuar.”

Leigh Hunt (19 tetor 1784 –28 gusht 1859):
“Sa herë na godet një e keqe, qysh në dhimbjen e parë duhet të mendojmë se si ta shndërrojmë atë në diçka të mirë, që kësisoj, nga një rrënjë e hidhur të mund të prodhojmë bisqe plot me lule”

Alexander Alekhine (19 tetor 1892 – 24 mars 1946):
“Qëllimi i jetës së njeriut është lumturia, por dhe të japë maksimumin në atë që di të bëjë më mirë.”
“Si imagjinata ashtu edhe mendimi racional, nëse janë të tepruara, përbëjnë rrezik që të dyja. Këto dy forca lëvizin në kahe të kundërta, por ne duhet të përpiqemi t’i mbajmë ato në harmoni.”
(Para përballjes me Kapablankën, për titullin kampion bote, në Buenos Aires, më 1927: “Nuk arrij ta imagjinoj si mund t’i fitoj unë gjashtë ndeshje kundër Capablanca-s, por aq më pak të imagjinoj se ai të mund të fitojë kundër meje.“
“Unë jam Aljehini, kampion bote i shahut. Kam një maçok që ia kam vënë emrin “Shah” dhe nuk kam fare nevojë për pasaportë.”
“Kampion i madh duhet të jetë një ndërthurje midis qetësisë së mjeshtrit zenbudist dhe fuqisë së tigrit siberian.”

Miguel Ángel Asturias (19 tetor 1899 – 9 qershor 1974):
“Poezia është kujtesë e lagur prej lotëve.”
“Për një popull të uritur e të dorëzuar, e vetmja mënyrë përmes së cilës Zoti mund të shfaqet, është në formën e ushqimit dhe të punësimit”.

Philip Pullman (19 tetor 1946):
“Çdo hap i vogël që kemi hedhur drejt arritjes së lirisë njerëzore ka qenë rezultat i luftës midis atyre që donin të ishim më të ditur, më të urtë e më të fortë dhe atyre që donin të ishim të bindur, të përunjur e të nënshtruar.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi