Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 17 tetor

17 tetor. Lindën: Karl Georg Buchner (17 tetor 1813 – 19 shkurt 1837), dramaturg, shkrimtar e poet gjerman; Emanuel von Geibel (17 tetor 1815 – 6 prill 1884), poet e dramaturg gjerman; Alfred Polgar (17 tetor 1873 – 24 prill 1955), shkrimtar e gazetar austriak, një nga intelektualët më të shquar të Vjenës; Simon Vestdijk (17 tetor 1898 – 23 mars 1971), shkrimtar holandez, pesëmbëdhjetë herë i nominuar për çmimin Nobel; Nathanael West (17 tetor 1903 – 22 dhjetor 1940), shkrimtar e skenarist amerikan; Arthur Miller (17 tetor 1915 – 10 shkurt 2005), dramaturg amerikan; Rita Hayworth (17 tetor 1918 – 14 maj 1987), aktore e valltare amerikane; Montgomery Clift (17 tetor 1920 – 23 korrik 1966), aktor amerikan; Miguel Delibes (17 tetor 1920 – 12 mars 2010), shkrimtar e gazetar spanjoll; Eminem (17 tetor 1972), reper amerikan.

Karl Georg Buchner (17 tetor 1813 – 19 shkurt 1837):
“Ideja e vrasjes fillon në çastin kur vendosim të heqim dorë nga vetëmbrojtja.”
“Pushteti i njerëzve dhe pushteti i arsyes janë e njëjta gjë.”
“Revolucioni është si Saturni: shqyen bijtë e vet.”
“Qeverisja duhet t’i ngjajë një rrobe, e cila i bie popullit mirë në trup kur e vesh.”
“Gjëja më e mrekullueshme në botë është alfabeti, sepse brenda tij fshihet urtia më e thellë, por këtë mund ta kuptojë vetëm ai që ka vërtet aftësinë për t’i kombinuar dhe harmonizuar ato shkronja me njëra-tjetrën.”

Emanuel von Geibel (17 tetor 1815 – 6 prill 1884):
“Të arrish t’i shprehësh gjërat e vështira në mënyrë të thjeshtë, të qartë dhe inteligjente, është njëlloj si të prodhosh monedha ari të pastër.”

Alfred Polgar (17 tetor 1873 – 24 prill 1955):
“Kur të gjithë të braktisin, ndjen vetmi. Kur ti i braktis të gjithë, banon brenda vetmisë.”
“Për mërgimtarin, dheu i huaj nuk bëhet dot atdhe. Ndodh e kundërta: atdheu i tij bëhet i huaj.”

Simon Vestdijk (17 tetor 1898 – 23 mars 1971):
“Nëse vendos të rrish vetëm, kjo tregon se je më i interesuar për imagjinatën tënde sesa për realitetin.”
“Rruga që çon në ferr nuk është e shtruar me qëllime të mira, por me absurditete të realizuara mirë në pikëpamjen gramatikore.”
“Arsyeja pse shkruaj shpejt është se jam shumë kureshtar të di përfundimin.”

Nathanael West (17 tetor 1903 – 22 dhjetor 1940):
“Arti është rrugëdalje. Kur shtigjet e vjetra bllokohen nga mbeturinat e dështimeve, kërko një shteg të ri, që është arti. Arti është i distiluar nga vuajtjet.”
“Vetëm njerëzit që kanë ende shpresë mund të gjejnë dobi te lotët.”

Arthur Miller (17 tetor 1915 – 10 shkurt 2005):
“Vepra më e mirë, të cilën askush nuk e shkruan dot kurrë, është vepra që do vinte në siklet autorin përgjithmonë.”
“Unë mendoj se detyra e artistit është t’u rikujtojë njerëzve gjërat që ata kanë zgjedhur të harrojnë.”

Montgomery Clift (17 tetor 1920 – 23 korrik 1966):
“Dështimi dhe mjerimi që e pason atë, janë për artistin burimi më jetësor i energjisë krijuese.”

Miguel Delibes (17 tetor 1920 – 12 mars 2010):
“Fama nuk gjen kurrë hapësirë të mjaftueshme për t’u kapur pas diçkaje që është përnjëmend pozitive.”
“Në letërsi nuk ka gjë më të vështirë se thjeshtësia.”
“Të shkruash një libër të mirë, nuk është e thënë ta kesh lexuar medoemos Don Kishotin. As Servantesi nuk e kishte lexuar Don Kishotin përpara se të ulej e ta shkruante.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi