Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 13 tetor

13 tetor. Lindën: John Hervey (13 tetor 1696 – 5 gusht 1743), baron dhe shkrimtar politik anglez; Rudolf Virchow (13 tetor 1821 – 5 shtator 1902), mjek, antropolog, patolog, prehistorian, biolog, shkrimtar, botues e politikan gjerman; Albert Jay Nock (13 tetor 1870 – 19 gusht 1945), shkrimtar amerikan; Migjeni, emri i plotë Millosh Gjergj Nikolla (13 tetor 1911 – 26 gusht 1938), poet e prozator shqiptar, konsideruar si një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XX; Yves Montand (13 tetor 1921 – 9 nëntor 1991), aktor e këngëtar italo-francez; Margaret Thatcher (13 tetor 1925 – 8 prill 2013), grua shteti britanike, ish-Kryeministre dhe kryetare e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar, mbiquajtur “Zonja e Hekurt”.

John Hervey (13 tetor 1696 – 5 gusht 1743):
“Njeriu është prodhim i natyrës, pjesë e Universit, që vepron saktësisht sipas ligjeve të natyrës. Duke qenë rezultat i miliona viteve evolucion, njeriu ose duhet t’u përshtatet ligjeve të natyrës, ose vdesë.”

Rudolf Virchow (13 tetor 1821 – 5 shtator 1902):
“Mjekësia është shkencë sociale, ndërsa politika nuk është gjë tjetër veçse mjekësi në një shkallë më të gjerë.”

Albert Jay Nock (13 tetor 1870 – 19 gusht 1945):
“Mendja i ngjan stomakut: nuk ka rëndësi sa i fut brenda, por sa aftësi tretëse ka.”

Yves Montand (13 tetor 1921 – 9 nëntor 1991):
“Pacifistët u ngjajnë deleve, që mendojnë se ujqit janë vegjetarianë.”
“Përgjigjet të bëjnë të ditur, ndërsa pyetjet të bëjnë njerëzor.”
“Unë mendoj se një burrë i martuar mund të ketë dy dashnore ose dhe tri. Tre është maksimumi, sepse po kalove këtë numër, je duke tradhtuar.”
“Zot, pse nuk bëre gruan në fillim fare, sa ishe i freskët?”

Margaret Thatcher (13 tetor 1925 – 8 prill 2013):
“Ai që këndon mund të jetë gjeli, ama ajo që bën vezën është pula.”
“Të disiplinosh veten për të bërë atë që mendon se është e drejtë dhe e rëndësishme, sado e vështirë qoftë ajo, kjo është rruga kryesore drejt krenarisë, vetëvlerësimit dhe kënaqësisë vetjake.”
“Të kurosh sëmundjen britanike nëpërmjet socializmit, është njëlloj si të përpiqesh të shërosh leukeminë nëpërmjet shushunjave.”
“Çdo lider duhet të përmbajë në vete një sasi të caktuar hekuri, kështu që nuk më vjen fare keq që më quajnë ‘Zonja e Hekurt’”
“Nuk është gabim të dëshirosh të bëhesh i pasur, por ta konsiderosh paranë si qëllim më vete.”
“Liria vetëshkatërrohet nëse nuk ushtrohet brenda një sistemi moral, brenda një tërësie besimesh të përbashkëta, brenda një trashëgimie shpirtërore që përcillet përmes Kishës, familjes dhe shkollës.”
“Nuk më intereson fare sa flasin ministrat e mi, mjafton të bëjnë atë që u them unë.”
“Askujt nuk do ta kujtonte fare Samaritanin e Mirë, nëse ai do të kishte pasur vetëm qëllime të mira, por ai kishte gjithashtu edhe para.”
“Europa është krijuar nga historia. Amerika është krijuar nga filozofia.”
“Më pëlqen diskutimi, më pëlqen debati. Kurrë nuk pres që dikush të më ulet përballë dhe të bjerë dakord me mua, sepse nuk është kjo detyra e tij.”
“Jam jashtëzakonisht e durueshme, me kushtin që në fund fare të bëhet ajo që them unë.”
“Ata po vuajnë nga sëmundja që kanë socialistët: u kanë mbaruar paratë e të tjerëve.”
“Nëse ke vendosur t’i presësh fytin vetes, mos eja te unë për të kërkuar fasho.”
“Kushtetutat duhen shkruar në zemër, jo thjesht në letër.”
“Njerëzit kujtojnë se në majë nuk ka shumë hapësirë. E pandehin si Everestin. Mesazhi im për ta është: ta dini mirë se në majë është gjithë ajo hapësirë.”
“Çdo grua, e cila i kupton problemet që ka qeverisja e një shtëpie, është shumë afër të kuptuarit të problemeve që ka qeverisja e një vendi.”
“Një javë konsiderohet kohë e gjatë në politikë.”
“Humbje? Nuk e di fare kuptimin e kësaj fjale.”
“Për të arritur suksesin duhet të doemos jesh egoist, përndryshe nuk ia del mbanë. Pasi të kesh arritur nivelin më të lartë të mundshëm, duhet të bëhesh altruist. Ji i arritshëm. Ruaji lidhjet me njerëzit. Mos u veço.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: