Press "Enter" to skip to content

Matje matematikore

Babait tim, Nikos (1910-1994)

U maturove në të Përtejmen.
Kapërceve përjetësinë e djalërisë
dhe vendose të vish të më shohësh
në ëndrra.
Por, sa e çuditshme…
I ri – me kutin e të gjallëve –
i vdekur tashmë, takon bijën mesogrua
– që të krijohet urëkalimi mes dy kohëve –
në vendin e ëndrrës
ku Koha nuk ekziston.

Më thuaj, të vlejti baba
matematika, që të matësh infinitin?

Në aritmetikë s’pata ndonjëherë prirje,
aq më tepër tani përgjatë numërimit
të kundërt… Po harroj edhe sensin e masës.
Dhe të thërras për ndihmë,
sa herë që e tmerruar ngujohem
në skelën e Kohës.
Tashmë s’ke më frikë nga lartësia
dhe kotësia e mallëngjimeve të pavlera.

Vetëm më thuaj, nëse do, baba:
a janë ndokund të vlefshme
masa dhe matjet?

Shqipëroi Eleana Zhako

Similar Posts: