Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 12 tetor

12 tetor. Lindën: Maurice Donnay (12 tetor 1859 – 31 mars 1945), dramaturg francez; Ramsay MacDonald (12 tetor 1866 – 9 nëntor 1937), ish-Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar: Aleister Crowley (12 tetor 1875 – 1 dhjetor 1947), okultist, magjistar, poet, piktor e romancier anglez; Edith Stein (12 tetor 1891 – 9 gusht 1942), filozofe gjermane; Eugenio Montale (12 tetor 1896 – 12 shtator 1981), poet italian, çmimi Nobel më 1975; Luciano Pavarotti (12 tetor 1935 – 6 shtator 2007), tenor italian; Robert Fitzgerald (12 tetor 1910 – 16 janar 1985), poet amerikan, gjithashtu përkthyes i njohur i mjaft veprave nga greqishtja e vjetër e latinishtja;

Maurice Donnay (12 tetor 1859 – 31 mars 1945):
“Mirësjellje do të thotë të dëgjosh me durim dikë, teksa të flet për diçka që ti e di mirë, ndërsa ai nuk e di fare.”
“Ekzistojnë dy lloj grash: gra që tradhtojnë burrin dhe gra që këmbëngulin se kjo nuk është e vërtetë.”
“Burrat plaken vit pas viti, ndërsa gratë plaken një herë në tri vjet.”

Ramsay MacDonald (12 tetor 1866 – 9 nëntor 1937):
“Dëgjojmë të thuhet se lufta është vrasje. Në të vërtetë, lufta nuk është vrasje, por vetëvrasje.”
“Në rini besojmë te demokracia. Më pas, thjesht jemi të detyruar ta pranojmë.”

Aleister Crowley (12 tetor 1875 – 1 dhjetor 1947):
“Hareja e jetës qëndron në ushtrimin e energjive tona, në rritjen e vazhdueshme, në ndryshimin e pareshtur, në shijimin e çdo përvoje të re. Të ndalesh në vend do të thotë thjesht të vdesësh. Gabimi i përjetshëm i njerëzimit është synimi i idealeve të mbërritshme.”
“Nëse të mungon forca e vullnetit, të gjitha virtytet e talentet janë krejtësisht të kota.”
“Njerëzit që kanë bërë përnjëmend historinë janë martirët.”
“Morali i zakonshëm është për njerëzit e zakonshëm.”
“Mungesa e tolerancës është shenjë e mungesës së fuqisë.”
“Njeriu i zakonshëm e shikon malin në të njëjtën mënyrë siç shikon njeriu analfabet një dorëshkrim të greqishtes së vjetër.”

Edith Stein (12 tetor 1891 – 9 gusht 1942):
“Kush kërkon të vërtetën, kërkon Zotin, pavarësisht nëse është apo jo i vetëdijshëm për këtë.”
“Shpirti i një gruaje është krijuar në formën e një strehe, kur mund të prehen edhe shpirtra të tjerë.”
“Bota nuk ka nevojë për atë që gratë kanë, po për atë që gratë janë.”
“Kush nuk i ka këmbët edhe aq të forta në rrugën e besimit, mund ta përdorë Kryqin si bastun.”

Eugenio Montale (12 tetor 1896 – 12 shtator 1981):
“Jeta duhet jetuar, jo menduar, sepse jeta e menduar i ngjan një zhgualli të zbrazët. Duhet të fusim medoemos diçka brenda këtij zhgualli, s’ka rëndësi se çfarë.”
“Lypsen shumë jetë për të krijuar një jetë të vetme.”
“Jam mësuar të ushqehem me re dhe largësi.”
“Unë ndodhem këtu sepse kam shkruar poezi, një produkt absolutisht i kotë, por pothuajse asnjëherë i dëmshëm.” (Nga fjala e mbajtur në Akademinë e Suedisë, ditën e marrjes së çmimit Nobel)

Robert Fitzgerald (12 tetor 1910 – 16 janar 1985):
“Më së paku poezia është elegancë; më së shumti është zbulesë.”

Luciano Pavarotti (12 tetor 1935 – 6 shtator 2007):
“Kush është i aftë të bëjë muzikë, bën muzikë; kush është më pak i aftë, jep mësime muzike; kush është akoma më pak i aftë, merret me organizim ngjarjesh muzikore; kush është fare pak i aftë, bëhet kritik.”
“Edhe gruaja më budallaqe është më inteligjente se burri më inteligjent.”
“Sipas meje, një burrë që s’ka qarë kurrë për dashurinë, nuk ka arritur të njohë një nga gjërat më të bukura të jetës, që është dashuria.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi

Similar Posts: