Press "Enter" to skip to content

Tri proza të shkurtra

Misha

Misha humbi ditën e varrimit të gjyshit. Gjysmë ore pas përfundimit të ceremonisë, Misha ishte ende në krahun tim bashkë me një buqetë lulesh, që nuk deshi të bashkohej me të tjerat mbi dheun e lagësht. E pashë Mishën për herë të fundit në një nga fotografitë e shkrepura gjatë daljes nga varrezat. Aty kuptova që gjer atëherë Misha nuk kish humbur, por shihte bashkë me mua varret monumentale të rreshtave të fillimit, të dy të paftilluar për gjëmën në prag. Më pas, thua se filmi negativ ishte fshirë përgjithnjë, nuk më kujtohet se si e humba. Më ra ndërmend vetëm kur pas shumë e shumë orësh, vura re që Misha nuk ndodhej askund. E kërkova gjithkund, edhe nëpër shtëpitë ku kisha shkuar si vizitore, por më kot. Vajtova për humbjen e Mishës, siç gjyshja vajtoi për humbjen e babos. Ajo mbeti fillikate pa babon dhe unë mbeta fillikate pa Mishën. Atë e kishin blerë prindërit e mi në Berlin, pesë vjet para se të lindja. Ishte një arush i tjetërllojtë, me plagë të qepura në trup e njërën dorë të fashuar, ngjashëm me një ushtar të mbijetuar nga Lufta e Dytë Botërore. Pamja e lënguar e Mishës e përligjte përkujdesjen e shtuar në krahasim me kafshët e tjera të mbretërisë sime të lodrave. Skenari më torturues që më përhihej, ishte ai i flakjes së Mishës tok me hedhurinat e tjera kutërbuese në një prej kazanëve gjigantë të plehrave ose copëtimi nga një lukuni qensh bredharakë, që e shihnin si lodër argëtuese. Prindërit u munduan të më qetësonin, duke më premtuar se do të më blinin një tjetër, të njëjtë. Dy kushërirat e mia E. dhe N. janë binjake, gati identike. Por, ndonëse ndodh t’i ngatërroj, asnjëherë E. nuk e zëvendëson N. apo e kundërta. Edhe sikur të gjendej një i njëjtë me të, a mund një Misha tjetër të jetë prapë Misha?


Këmbëza e skandalit

“It’s remarkable how much you have helped me find my feet in Brussels. Thank you. Enjoy your birthday present (in both languages)”. E vendosi dhuratën përbri krevatit, nën abazhurin, që netëve lëshonte një ndriçim të portokalltë. Çdo herë, para së flinte, shfletonte poezitë në të dyja gjuhët, derisa në varësi të titullit apo imtësive të tjera ndalej në një prej tyre. Por libri, prej disa ditësh, nuk ndodhej më në komodinën e saj; ishte zhvendosur në krahun tjetër. Qëkur poetja polake kishte hyrë në jetën e tyre e më pas në shtratin bashkëshortor, duke zgjedhur përfundimisht krahun e tij, ai përhumbej i tëri mes rreshtave të saj. E dinte që e vetmja mënyrë të hakmerrej ndaj këtij rituali të përnatshëm, ishte të hiqte qafe të përzgjedhurën e tij. Kur ai të mos ndodhej aty, do e merrte dhe do e rraste në bibliotekën ambulante të lagjes, një kuti metalike e bardhë, ku çdokush mund të lërë librat që i ngushtojnë hapësirën e shtëpisë. Në brendësi të kutisë ndodhet një shënim dygjuhësh, ku shkruhet se librat “e shkarkuar” nuk duhet të përdoren për qëllime shitblerjeje, por për t’u njohur me sa më shumë lexues. Porsa ai të kthehej, do e mbante frymën drejt qoshes ku ajo flinte, ende nën marramendjen e natës së mbrëmshme. Por nuk do e gjente askund, pavarësisht se do e kthente gjithë dhomën përmbys. Klitemnestra do të përpiqet ta qetësojë me një buzëqeshje djallëzore dhe do t’i thotë që ndoshta pastruesja do e ketë futur gabimisht në ndonjë raft të bibliotekës. Ai do ta kërkojë në morinë e pafundme të librave dhe, ujë në djersë nga lodhja e dëshpërimi, do të thërrasë: “Ku dreqin e ka vënë?”. Por më kot, se lavirja që mbarste nënvizimet e tij, do të ndodhet në një bibliotekë tjetër, larg çdo dyshimi.


Mesi i artë

Sa herë që zhurma të vogla depërtonin në katin e sipërm dhe atë të poshtëm, ajo më lart reagonte përmes trokitjes së parketit ose murit, ndërsa komshia më poshtë zgjidhte forma më zyrtare, duke dërguar mesazhe kërcënuese. Gestapoja e poshtme, një grua e bëshme, shtatlartë, e racës ariane, e cila i shëmbëllente fort gardianeve naziste, trokiti një të diel në derën tonë, që të na përplaste në fytyrë një fletushkë me udhëzime për banorët e pallatit:
“Ndalohet përdorimi i fshesës elektrike të dielave”
“Ndalohet përdorimi i lavatriçes”…
Këto dy ndalime më ranë menjëherë në sy, pa marrë mundimin të lexoja të tjerat. Aty për aty më lindi ideja të shkruaja një poezi për fqinjën marruke dhe ta publikoja në rrjetet sociale, si një formë shpagimi. Nëse ndonjë ditë do t’i lindte kërshëria të kërkonte emrin tim dhe faqen time personale, si padashur mund të ndeshte poezinë dedikuar fqinjës së katit të mëposhtëm (atëherë s’ekzistonte ende fqinja e mësipërme) dhe përmes “google translator” do të zbulonte ngjashmërinë me veten.
Që nga paralajmërimi i parë kaloi njëfarë kohe, derisa një ditë u shkëmbyem në hyrjen e pallatit. Një shami i mbulonte kokën dhe, në mungesë të kurorës së flokëve, i dilte në pah një fytyrë ovale dhe e qeshur, përshkuar nga një dritë e butë. Po të njëjtën ditë, një poezi e dytë do të nxirrte kryet, ku magjistarja e katit të poshtëm do të përshkruhej si një princeshë qerose, që rrezet kimike i prishën modelin kare të flokëve. Neurotikja e poezisë së parë, tani ishte shndërruar në një qenie të ëmbël, ku përziheshin konceptet e dhembshurisë dhe pendesës. Kjo lloj paqeje zgjati disi gjatë, derisa riveshi uniformën e saj të dikurshme. Atëherë rifilloi të dërgonte mesazhe, ku na diktonte sërish rregullat e përdorimit të lavatriçes dhe llojit të zhurmës së lejuar. Kur një ditë, papritmas, dëgjova trokitje në derë, mendova se do të ishte e njëjta, por, për habinë time, një femër shtatvogël, me flokë të zeza si pendë korbi, më tha me zë të dridhur se s’mundej të flinte netëve, pasi dëgjonte hapa, që nuk ishte në gjendje të përcaktonte se nga vinin. Për këtë arsye, na lutej të bënim hapa më të lehtë, “mundësisht të fluturojmë”, shtova me mendje. Kjo gjendje u përsërit disa herë. Zonja misterioze e katit të sipërm, asnjëherë nuk mundi të përcaktonte se nga vinin ecejaket e vona të mesnatës. Fillova të ndihesha si mesi i një sanduiçi, ku një dorë gjigante herë më shtypte nga sipër, herë nga poshtë ose njëkohësisht nga të dyja anët. “Mesi i artë”, mendova, teksa nënshkruaja aktin e kapitullimit.

Shkëputur nga Revista Letrare – Verë, 2021. E gjeni në Amazon.

Similar Posts: