Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

***

Më vranë këto dreq këpucësh,
e nuk di, a u rrita një numër,
a ngrënë koha i kish!?

I shtyp shputat me gishtat e ngrirë,
dhimbjes e shtrëngimit të gjakut gjymtyrëve
dhe nis ëndërroj për atë kohë,
kur zharg tërhiqja këpucët e mamit.

Pllaquritej këmba ime e vogël,
pa vraja e pa ngushtime mbi takat,
që shllap-shupeshin rrugës deri te pasqyra.
Po sot, për deri ku jam nisur?!

***

Më mungon,
sa hapat e mi kuturu këtij qyteti,
enden të pagjurmëta,
pa peshë, të ajërt,
si balona në zemër të boshllëkut.

Më dhemb,
sa zëri im qosheve ka humbur,
si jehonë e largët,
që nuk të mbërrin.

Më djeg,
sa zemra ime bërë prush,
rrëmon të fryjë kongjijtë,
e në shkreptima flake,
të shohë sytë e tu.

Të dua,
aq sa pas kësaj,
nuk mund të të prek më,
nga frika se mos më rrënon kujtimin.

***

Dielli shtron çakëll,
nga ai me peta të mëdha.
I shtron gjithë kujdes,
si të mos prishen më.
Shtron udhën,
ngre velat e varkës,
asaj të fundit drejt Hadit.
Cerberi në këmbët e tij
flijonte demat e zinj.
Me pllaquritje këmbësh,
të lodhura, të rreshkura,
e shënjoi dielli udhën.
Ikte me kokën pas
dhe hidhte kokrra gruri të arta,
për të siguruar rikthimin…

***

Krejt dritën merre,
frymën,
shpirtin,
ashtin e mishin,
por mos më merr vërtetësinë.

Krejt natën rrëmbeje,
gjumin,
ëndrrat,
qetësinë,
yjet dhe epshin,
por mos më merr dashurinë.

Krejt detin thaje,
lulet,
aromën,
borën dhe ngrohtësinë,
por mos më merr rininë.

Merri të gjitha,
t’i kam falur,
por mos ma rrëmbe kryqin tim,
mos ma rrëmbe as mëkatin.

Merri pra, pa pendesë,
më lër veç të vërtetën,
dashurinë,
rininë
dhe mëkatin.

***

Notin e mësova herët,
kur zhytesha blusë së feksur errëtinave.
Hënës ia futa këmbkat e rreth belit e shtrëngova,
si kamerdare gjysmë të shfryrë shtrëngate.

Me të veshur notova larg,
aq sa kandilat e qiellit u zhdukën.
Ne të dyja humbëm hapësirës së pamatë,
me diellin, që thikën pas shpine na kish ngjeshur…

Pikonim ujë kohës së syve
e shpinës derdhnim gjak.
Dikur, e mora hënën e shfryva,
e mbylla në sirtar…
Tash diellit e vetme mund t’i dal përballë!

E mësova notin thellësive;
hënën dhe diellin pata kumbarë.

***

Lëre heshtjen t’i fshijë gjurmët tona,
të pashkelura,
të pashenja,
të eterta.

Lëre syrin e qiellit të shuajë sytë tanë,
kurrë parë njëri-tjetrin,
kurrë humbur thellësive,
kurrë xixuar dashurive.

Lëre frymën tonë ta marrë era,
ashtu të pandier ngrohtësie,
të panginjur dëshire,
të pahukatur buzëve e syve.

Lëre ëndrrën tonë në marri,
të arratiset syve,
e pa ëndërruar,
e paprovuar
e thyer mërive.

Lëri hijet tona ta mbysin dritën,
që dikur na vezullonte,
e pastër,
e derdhur lotësh
e dehur dashurie.

Hesht, mbyte në heshtje çdo fije marrëzie
dhe kurrë mos u kthe arratie.
Pa gjurmë, pa sy, pa frymë, pa ëndërr, pa dritë,
largohu si një hije.

***

Duke shpënë kafkën
retë u mblodhën majë malit.
Prej aty nisi,
aty sosi,
buçima e tokës
dhe vërshoi qielli.

-Blofsha kockat e mia,
nuk e bëra unë,
prafullonte toka.
-Nuk e urdhëroj dot qiellin,
unë gjithmonë pres.
Pres, çfarë do më sjellë!

E kështu ngeli,
pa kokë, pa këmbë.
Veç tërmete toke
dhe rrufe qielli.

***

Lëvizin trupat e bardhë poshtë meje.
Zogj që vërvitin lart e poshtë
kotësinë njerëzore, me bileta në duar.
-Për ku e ke biletën zotëri?
-Për në vendin e dhunës.
-Po ti zonjë, për ku e preve?
-Për në vendin e sorrave.
-Po ti atje?
-Për në vendin ku buzëqeshja ka ngrirë,
ku seksi quhet dashuri,
ku ëndrrat janë nxirë.
-Ku është ky vend, zotëri?
-Kudo ku ka ajër, ku ka njeri.
-Po vendi yt zonjë, cili është?
-Atje ku kafshët kanë më tepër besë.
Atje në cepin e largët në Antarktidë,
në Ekuador e në jug.
-Ah! Kudo ku ka tokë,
ku shkel një këmbë dhe hap një gropë.

Në çdo cep ku ka njeri,
shkon e vjen ky zog kotësie.
Unë vazhdoj e pyes,
me shpresën e një destinacioni lumturie.

***

Gjerbojnë qiejt epuar erës,
as gjethet, as strehët nuk i mbajnë,
të mos përzihen me pluhurin tokë.

Ngrihem majë gishtave t’i arrij,
e të mund t’i zë gjerbat.
Po shtati im zvogëlohet, hollohet,
e qiejt lartohen, largohen si për inat.

Atëherë mbyll sytë, hap buzët,
që hurba-hurba qiellin ta pi.
Këmbët nuk do më llangosen më
pellgjeve të baltës…
të gjitha gjerbat i përpiva.

Shkëputur nga Revista Letrare – Verë, 2021. E gjeni në Amazon

Similar Posts: