A nuk ulesh pak?
A nuk ulesh pak?
Se çështja është më e madhe
se unë dhe ti
Siç edhe e di…
ajo që ndodhi mes nesh,
nuk ishte vrimë në ujë,
por diçka e madhe, e madhe,
sa ky qiell.
Dhe në një çast dobësie,
si u vriska qielli?
A ulesh pesë minuta të tjera?
Në zemër kam shumë gjëra
dhe po aq trishtim.
Nuk është e lehtë t’i vrasësh ndjenjat në një çast
dhe dashurinë për ty ta hedhësh në plehra,
sepse një trashëgimi dashurie, poezie dhe trishtimi,
buke, kripe, duhani dhe kujtimesh,
na rrethon nga çdo anë.
Mendoje pak çfarë po bën,
pasi çështja
është më e madhe se ti,
më e madhe se unë.
Siç e di,
tani ndjej që kriza nuk është ilaç
i stacionit tonë,
se pëllumbi nuk është rruga e sigurisë,
se çështjet e vogla mes meje dhe teje,
nuk do të vdesin kaq lehtë
dhe se ndjenjat nuk ndryshojnë
siç ndërrojmë rrobat e bukura.
Nuk po orvatem të të ndryshoj mendje;
është vendimi yt,
por ndjej që rrënjët e tua shtrihen deri në zemrën time,
majtas dhe djathtas,
si thuhet rrethimi i zogjve dhe i detit
i verës dhe jaseminit.
Si pritet për dy sekonda,
shiriti që kemi tjerrë për dhjetëra vite?
Do mbush një gotë për vete,
po ti?
Po, më kujtohet që nuk pi.
Nuk jam kundër ikjes tënde, por
mendoj se qielli është vrenjtur
dhe kam merak mos të zë shiu.
Ç’të gjen të ulesh
sa të pushojë?
Çfarë dëmi ke
nëse vë pak rimel në sy?
Ke qarë shumë
dhe fytyra jote,
pavarësisht përzierjes së lotëve me rimel,
vazhdon të jetë si hëna.
Por…
Kam një propozim: të lexojmë ca poezi,
mbase do të na e thyejnë këtë mërzi.
Po thua që s’të pëlqejnë poezitë e mia?
Do ta pranoj këtë sfidë të re.
Më kujtohet
sa ngazëlleheshe me poezinë time.
I përqafoje shkronjat e mia mëngjes e mbrëmje.
E unë qesh
me tekat e grave.
Ulu pak, zonja ime,
çështja është më e madhe se ti dhe unë.
Siç e di…
A vazhdon të jesh e zemëruar?
Më fal, atëherë!
Gjithsesi, ti je e dashura e zemrës sime.
Po supozoj se jam sjellë si gjithë burrat,
disi i vrazhdë,
me vetëpëlqim.
A mjafton kaq për t’i prerë të gjitha urat?
Për t’i prerë të gjitha pemët?
Nuk po përpiqem të ta kthej vendimin,
por, tani e ndjej që
të të shkul nga nervi i zemrës është e rëndë,
të ekzekutoj dashurinë për ty është e vështirë,
dashuria jote është e vështirë,
urrejtja për ty është e vështirë,
dhe vrasja jote është ëndërr e largët.
Prandaj, mos më shpall luftë;
bukuroshet s’dinë të luftojnë.
Dhe mos qëllo djathtas
e majtas,
sepse, në fund të fundit,
nuk i vret dot të gjithë burrat,
nuk i vret dot të gjithë burrat.
Kërkoj të largohesh
Le të ndahemi pak
Për të mirën e kësaj dashurie
Për të mirën tonë
Le të ndahemi pak
Se unë dua ta shtoj dozën e dashurisë sime
Dua të të urrej pak
Për atë që na lidh
Kujtimet e shtrenjta që kemi
Dhe dashurinë e mrekullueshme
Që është ende e gdhendur në buzët tona
Dhe duarve
Për hir të letrave që më ke shkruar
Dhe fytyrës së mbjellë si trëndafil brenda meje
Dhe dashurisë tënde të mbetur në flokët dhe mollëzat e gishtave
Për hir të kujtimeve tona
Dhe trishtimit të bukur
Dhe kësaj dashurie, që është më e madhe se fjalët tona
Më e madhe se buzët tona
Për hir të historisë sonë të bukur të dashurisë
Të kërkoj të largohesh
Le të ndahemi të dashuruar
Si zogjtë, që çdo stinë
Braktisin rrafshnaltat
Edhe dielli, i dashuri im
Bëhet më i ëmbël kur orvatemi të mungojmë
Ji dyshimi dhe tortura e jetës sime
Ji legjendë, qoftë dhe një herë të vetme
Ji mirazh
Ji pyetje në gojën time
Pyetje pa përgjigje
Për hir të dashurisë të mrekullueshme
Që banon në zemër dhe sy
Që të jem gjithmonë e bukur
Që të jesh gjithmonë afër
Të kërkoj të largohesh
Le të ndahemi si dy të dashur
Le të ndahemi pavarësisht
Gjithë dashurisë dhe dhembshurisë
Nëpërmjet lotit, i dashur
Vështromë
Nëpërmjet zjarrit dhe tymit
Dua të më shohësh
Le të ndahemi, të qajmë i dashur
Se e kemi harruar me kohë
Bukurinë e lotit
Le të ndahemi…
Që dashuria jonë mos të bëhet e rëndomtë
E hir të bëhet malli
E lulet të vyshken në vazo
Ji i sigurt, i vogli im
Dashuria jote akoma ma mbush syrin dhe ndërgjegjen
Vazhdoj të jem e dhënë pas dashurisë tënde të madhe
Ëndërroj akoma se do jesh i imi
O kalorësi dhe princi im
Por, unë… unë
I frikësohem pasionit tim
Kam frikë si ndihem
Kam frikë nga emocioni
Kam frikë nga ndjenja
Kam frikë mos lodhet malli ynë
Kam frikë nga lidhja jonë
Kam frikë nga përqafimi ynë
Në emër të dashurisë së mrekullueshme
Që lulëzoi si pranvera brenda nesh
Që rrezatoi si dielli brenda syve tanë
Në emër të historisë më të bukur të dashurisë sonë
Të kërkoj të largohesh
Që dashuria të mbetet e bukur
Që të kemi jetë të gjatë
Të kërkoj të largohesh…
Zgjidh e merr
Zgjidh e merr, o zonjë,
të vdesësh mbi kraharorin tim,
apo mbi shënimet e poezive të mia.
Zgjidh dashurinë apo refuzimin;
paburrëri është të mos zgjedhësh.
S’ka zonë rehatie të mesme,
mes parajsës e ferrit.
Hidhi të gjitha letrat e tua,
unë do ta pranoj çdo vendim.
Fol, reago, shpërthe,
por mos qëndro si gozhdë,
se nuk mund të pres gjatë,
si kashta në shi.
Zgjidh njërin fat nga të dy;
të egra janë fatet e mia,
e topitur je ti, e frikësuar,
të gjatë e kam rrugëtimin unë.
Kridhu në det ose ik,
det pa dallgë s’ka.
Dashuria është beteja e madhe,
është lundrim kundër rrjedhës,
është kryqëzim, torturë, lot,
është ikje mes hënash.
Më vret pavendosmëria jote, o grua;
argëtohesh pas perdes
e unë nuk i besoj një dashurie,
që s’mbart frymën revolucionare,
që nuk thyen gardhe,
që nuk godet si uragan.
Ah… sikur të përpihesha nga dashuria jote
e të më shkulë si tornadot!
Zgjidh e merr, o zonjë,
të vdesësh mbi kraharorin tim,
apo mbi shënimet e poezive të mia.
S’ka zonë rehatie të mesme,
mes parajsës e ferrit.
Shqipëroi Elmaz FIDA
Shkëputur nga Revista Letrare – Verë 2021. Mund ta blini në Amazon.
Të tjera nga ky autor:
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Zemërohu!
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Nizar KABAN: Kaposhi delenxhi