Press "Enter" to skip to content

Kalendar: Si sot, 27 shtator

27 shtator. Lindën: Cosimo de’ Medici (27 shtator 1389 – 1 gusht 1464), politikan e bankier italian, sundimtar i parë i Venecias dhe i pari burrë shteti nga familja Medici; Jacques-Bénigne Bossuet (27 shtator 1627 – 12 prill 1704), peshkop e teolog francez, i famshëm për predikimet e tij, i cili konsiderohet si një ndër mjeshtrit më të shkëlqyer të stilit; Alfonso Maria de’ Liguori (27 shtator 1696 – 1 gusht 1787), filozof, spiritualit, shkrimtar e teolog italian; Samuel Adams (27 shtator 1722 – 2 tetor 1803), burrë shteti, politikan e filozof amerikan, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Henri Frédéric Amiel (27 shtator 1821 – 11 maj 1881), filozof moral, poet e kritik zviceran; William Empson (27 shtator 1906 – 15 prill 1984), poet e kritik letrar anglez; Grazia Deledda (27 shtator 1871– 15 gusht 1936), shkrimtare italiane, fituese e Çmimit Nobel më 1926; Catherine Marshall (27 shtator 1914 – 18 mars 1983), shkrimtare amerikane;
Jayne Meadows (27 shtator 1919 – 26 prill 2015), aktore amerikane teatri dhe filmi; Kay Ryan (21 shtator 1945), poet dhe edukator amerikan.

Cosimo de’ Medici (27 shtator 1389 – 1 gusht 1464):
“Në kopshtin e secilit ndodhet një bimë që duhet lënë medoemos të thahet, pavarësisht se pjesa më e madhe e njerëzve e ujisin vazhdimisht. Është ai bari i keq, që quhet Lakmi.”

Jacques-Bénigne Bossuet (27 shtator 1627 – 12 prill 1704):
“Pështjellimi më i keq shpirtëror ndodh na ndodh kur besojmë se gjërat janë kështu, ngaqë duam ne t’i shohim kështu, në vend që t’i shohim siç janë në të vërtetë.”
“Ndër të gjitha llojet e dobësive njerëzore, dobësia më e madhe është frika se mos dukemi të dobët para të tjerëve.”
“Vdekje, ne të falënderojmë ty për dritën që hedh mbi injorancën tonë.”

Alfonso Maria de’ Liguori (27 shtator 1696 – 1 gusht 1787):
“As e tërë bota nuk mund ta bëjë të lumtur zemrën tonë; vetëm Zoti mundet.”
“Parajsa e Zotit është zemra e njeriut”

Samuel Adams (27 shtator 1722 – 2 tetor 1803):
“Tiranët janë të interesuar t’i mbajnë njerëzit zhytur në injorancë e në vese, sepse ata vetë nuk do mund të sundonin dot kurrë në një vend ku mbizotërojnë dija dhe virtytet.”
“Liria nuk mund të mbijetojë gjatë në kushtet e humbjes së plotë të moralit.”

Henri Frédéric Amiel (27 shtator 1821 – 11 maj 1881):
“Jeta është e shkurtër dhe nuk kemi kohë të mjaftueshme për t’i ngazëllyer zemrat e atyre që udhëtojnë në errësirë së bashku me ne. Atëherë ngutu të jesh i sjellshëm, nxito të jesh i dashur!”
“Nuk mund të thuash se e respekton vërtet dikë nëse s’tregohesh i përunjur.”
“E vërteta nuk dhunohet vetëm nga gënjeshtra, por edhe nga heshtja.”
“Njeriu që i mungon jeta e brendshme është skllav i asaj që gjendet përreth tij.”
“Muzika është harmoni. Harmonia është perfeksion. Perfeksioni është ëndrra jonë. Ëndrra jonë është parajsa.”

Grazia Deledda (27 shtator 1871– 15 gusht 1936):
“Nëse yt bir dëshiron të bëhet shkrimtar apo poet, mundohu t’ia ndryshosh mendjen. Nëse ai këmbëngul në të tijën, kërcënoje se do ta lësh pa pasuri. Nëse u reziston të gjitha përpjekjeve tuaja për ta penguar, atëherë fillo të falënderosh Zotin që ju ka dhënë një djalë aq të frymëzuar, aq të ndryshëm nga të tjerët.”

William Empson (27 shtator 1906 – 15 prill 1984):
“Funksioni kryesor i letërsisë fantastike është të na bëjë të kuptojmë se ekzistojnë persona të tjerë, të cilët veprojnë mbi bazën e një morali të ndryshëm nga ai i joni.”

Jayne Meadows (27 shtator 1919 – 26 prill 2015):
“Më vjen keq për gratë që veshin gëzofë me lëkurë të vërtetë kafshësh. Atyre u mungon ndjeshmëria dhe cilësi të tjera, që janë të domosdoshme për një grua.”
“Njerëzit më të mirë që kam njohur, kanë qenë njerëz të cilëve u është dashur të kapërcenin shumë pengesa në jetë.”

Kay Ryan (27 shtator 1945):
“Pjesa më e madhe e punës së një shkrimtari duhet të përqendrohet në mbrojtjen e gjërave që nuk i përkasin kësaj bote.”

Përzgjodhi e përktheu: Shpëtim Kelmendi